Qeveria krijon Agjencinë e Blerjeve të Përqëndruara në varësi të ministrisë së Brendshme, ja funksioni

Qeveria krijon Agjencinë e Blerjeve të Përqëndruara në varësi të ministrisë së Brendshme, ja funksioni
Qeveria miratoi sot vendimin për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara në varësi të ministrit të Brendshëm.

Sipas vendimit, kjo agjenci organizohet dhe funksionon si institucion qendror, person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë.

Kjo agjenci ka si qëllim kryerjen e procedurave të prokurimit të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve të përcaktuara në aktin nënligjor përkatës.

Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj Agjencie dhe përgjigjet para ministrit.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet, lirohet ose shkarkohet nga ministri.

Sipas vendimit, Agjencia kryen detyrat, si më poshtë vijon:

Në rastin kur kryen procedura prokurimi për të nënshkruar marrëveshje kuadër:

a) zhvillon procedurat e prokurimit deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër;

b) përllogarit fondin limit për mallrat dhe shërbimet që do të prokurohen;

c) unifikon specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave, të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj, dhe harton katalogët e standardeve të cilët miratohen me udhëzim të ministrit;

ç) shqyrton ankesat e operatorëve ekonomikë deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër;

d) në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa për kryerjen e procedurës së prokurimit, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, Agjencia verifikon arsyet e vonesës, shpall procedurën e re të prokurimit për këto kërkesa dhe njofton Agjencinë e Prokurimit Publik;

dh) monitoron, në çdo kohë, zbatimin e kontratave nga autoritetet kontraktore dhe për këtë qëllim harton një raport për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratës, një kopje e të cilit i dërgohet Agjencisë së Prokurimit Publik.

Në rastin kur Agjencia kryen procedura prokurimi për të lidhur kontratë, ka këto detyra dhe përgjegjësi:

a) Zhvillon procedurat e prokurimit të përqendruar të mallrave dhe të  shërbimeve deri në shpalljen e fituesit;

b) Bashkërendon punën me autoritetet kontraktore për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për prokurimet publike që do të zhvillojë si organ qendror blerës;

c) Unifikon specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj, dhe harton katalogët e standardeve, të cilët miratohen me udhëzim të ministrit;

ç) Verifikon përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet kontraktore me ligjin dhe standardet në fuqi;

d) Përllogarit fondin limit për përcaktimin e të dhënave sasiore për mallrat dhe shërbimet që do të prokurohen, para publikimit të tenderit, dhe vë në dijeni autoritetet kontraktore;

dh) Shqyrton ankesat e operatorëve ekonomikë deri në shpalljen e njoftimit të fituesit;

e) Në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa për kryerjen e procedurës së prokurimit, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, Agjencia verifikon arsyet e vonesës, shpall procedurën e re të prokurimit për këto kërkesa dhe njofton Agjencinë e Prokurimit Publik;

ë) Monitoron në çdo kohë zbatimin e kontratave nga autoritetet kontraktore. Në përfundim të monitorimit harton një raport për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratës, një kopje e të cilit i dërgohet Agjencisë së Prokurimit Publik.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: