Politika shqiptare, “sherr” për votën në OKB mbi Jeruzalemin

Politika shqiptare, “sherr” për votën në OKB mbi Jeruzalemin
Deputetët kanë debatuar mbi rezolutën e opozitës që kërkon rishikimin e votës së 21 dhjetorit 2017. Pas politikës së jashtme, sulme për zhvillimet e brendshme

Vota e Shqipërisë në 21 dhjetor të vitit të kaluar, kundër vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e ri të Izraelit, ka krijuar një situatë të tensionuar dje në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe kjo, pasi deputetët kanë diskutuar rezolutën e opozitës, për ta rishikuar një votim të tillë.

Nga ana e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati deklaroi se qëndrimi i Shqipërisë pro statusit të Jerusalemit është një qëndrim konsistent, i mbajtur ndër vite në OKB nga ana e qeverisë shqiptare. Sipas tij, të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE kanë votuar si Shqipëria, pro.

Por ish-ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha i kërkoi qeverisë ta rishikojë votën e dhënë në rezolutën e Jerusalemit, duke e theksuar këtë si tejet të nevojshme.

Kurse kryeministri i vendit, Edi Rama e ka ironizuar këtë kërkesë të opozitës, duke pohuar se e vetmja gjë që ajo ka sot është frika nga vettingu dhe reforma në drejtësi.

“Sot për Jeruzalemin nesër për Panamanë, pasnesër për rritjen e temperaturës në polin e Veriut, sepse ju jeni në hall. Do ishit në gjendje të shpërthenit edhe një luftë nukleare nëse do kishit gjë në dorë. Fati juaj lidhet më atë që po ndodh në Shqipërinë tonë të vogël, ndaj e kërkoni shpëtimin larg saj. Sot e kërkoni në Lindjen e Mesme, mjafton të jetë diku larg këtij vendi këtu”, iu drejtua Rama opozitës.

Ndërsa kreu i kësaj të fundit, Lulzim Basha e akuzoi atë se e ka futur vendin në një qorrsokak, në krye të një qeverie që eksporton drogë, krim, papunësi, korrupsion dhe emigracion.

“Detyra e opozitës në këtë parlament është tërësisht e pamundur. Nuk ka reformë në drejtësi, por reformë për të mbrojtur Tahirin, Beqajn, Shullazët, Dakon”, tha ai.

Ndërsa në fund, deputetët e kanë rrëzuar rezolutën e opozitës për ta rishikuar votën e Shqipërisë në OKB, lidhur me statusin e Jeruzalemit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: