Piktori Igli Levani: Artistët e vërtetë, i mbijetojnë mediokritetit e tregut të masave

Piktori Igli Levani: Artistët e vërtetë, i mbijetojnë mediokritetit e tregut të masave
INTERVISTA/ Flet piktori Igli Levani: Përmes gjërave materiale, pasqyroj gjëra abstrakte. Më pëlqen kur piktori pikturon diçka që nuk ekziston, p.sh., ndjenja, ëndrra, perceptime, kujtime, gjëra jo materiale

“Artistët e vërtetë, ndryshe nga imazhi i  publikut (ëndërrimtarë, të ndjeshëm dhe idealistë) me kalimin e kohës krijojnë një karakter të fortë, si gozhdë arkivoli dhe i mbijetojnë mediokritetit të shoqërisë e tregut të masave”. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, piktori Igli Levani. Sipas tij, suksesi më i madh është të shprehurit e vetes, të asaj që është, apo mendon se përfaqëson në këtë jetë. “Mendoj se fjalët shpesh janë të tepërta. Më e rëndësishme është ndjenja që ti ke kur sheh një pikturë”, pohon më tej ai...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. Zholi

Kur është shfaqur tek ju dëshira për të pikturuar?

Gjithmonë kam patur dëshirën për të pikturuar. Vizatimet e para kanë qenë me laps, duke u përpjekur të pasqyroja në mënyrë realiste sendet që më rrethonin. Kur isha 4 apo 5 vjeç, babai më tregoi punimet që i përzgjodhi për një ekspozitë me punimet e fëmijëve, e cila u zhvillua në Pallatin e Kulturës. Mësuesi i tha babait se duhet të më inkurajonte të vazhdoja të vizatoja.

Pra, në këtë mënyrë nisi rruga juaj si piktor?

Po, vazhdova të pikturoj përsëri rreth moshës 19-vjeçare kur ndodhesha në Itali, pra jam autodidakt, nuk kam patur kurrë mësues. Ndoshta mësuesi i parë ka qenë Nikolaos, një artdashës grek, që kishte një dyqan e shiste materiale pikture në qytetin e Ferrarës. Kur blija materialet (telajo, bojëra, penela) dyqanxhiu Nikolaos në rrugën “Saraceno” më orientonte për mënyrën e përdorimit, (p.sh., bojërat e vajit përdoren me vaj lini, terpentina), si të pastroja penelat, çfarë penelash të përdorja me ngjyrat.

Në moshën e fëmijërisë, cilin nga piktorët e njohur keni njohur nëpërmjet leximit dhe çfarë përshtypjesh ju ka lënë?

Kur isha fëmijë, pikturat e para që kam parë ishin katalogët me punimet e rilindjes fiorentine, Botticeli, Da Vinci, Michelangelo dhe në të njëjtën kohë, pikturat propagandiste të realizmit socialist, që akoma mund t’i shihje në libra, postera apo gazeta. Përshtypjet që të linin, një lloj çudie, jetoja apo jetojmë në një vend anti-art.

Kur e keni vizituar ekspozitën e parë të pikturës dhe ku? Cilat janë mbresat që ju la?

Kam vizituar ekspozita pa fund, kudo ku kam shkuar, mbresat më të thella m’i ka dhënë jo e para, por “Musee D'Orsay’ dhe vendosa se ajo është rruga ime, kur pashë punimet e Chaim Soutine. Një nga të preferuarit e mi si artist.

Po ju vetë, kur e keni hapur ekspozitën e parë tuajën dhe si jeni ndjerë? Si reagoi kritika?

Duhet të them se kur pikturoja, në fillim një inkurajim shumë të fortë më ka dhënë profesori i Arteve Vizuale, Shpend Bengu dhe skulptori Vladimir Metani. Ekspozitën e parë personale e kam bërë në maj të vitit 2013 në qytetin e Ferrarës në Itali, në monumentin e UNESCO-s, i quajtur “Porta Degli Angeli”; kurator Alberto, Squarcia. Përveç reagimeve pozitive të njerëzve, disa kritikë arti e vlerësuan stilin dhe origjinalitetin e punimeve.

Në fillimet tuaja, cilën gjini të pikturës keni pasur më për zemër; kompozimin, portretin, natyrën e qetë apo peizazhin?

Më për zemër kam pasur kompozimin, pikturën simboliste, ekspresionizmin, ilustrimin. Sa për natyrën, e qetë apo portreti, më duken të mërzitshme. Më pëlqen kur piktori pikturon diçka që nuk ekziston, p.sh., ndjenja, ëndrra, perceptime, kujtime, gjëra jomateriale, të tipit Picasso, Chagall, Gauguin, Otto Dix, por është e vështirë të kufizosh pikturën në zhanre.

Kohët e fundit keni hyrë bindshëm tek piktura kontemporane, abstraksioniste, surrealiste. Cila është e veçanta e kësaj pikture? A është më e vështirë se gjinitë e tjera dhe pse? A mund ta kuptojë kushdo këtë lloj pikture?

Të veçantat e këtyre zhanreve janë pafund dhe sigurisht që kuptohen nga pak persona. Por punimet e mia janë rezultat i frymëzimeve të ndryshme, le të themi post-klasike deri diku, ilustrative, ekspresioniste, subjektiviste. Më pëlqen që nëpërmjet gjërave materiale të pasqyroj gjëra abstrakte të padukshme që ndodhin nivel psikik e emotiv. Kjo është sfida ime, e është e vështirë e ta kategorizosh në zhanre apo ta përshkruash me fjalë. Mendoj se fjalët shpesh janë të tepërta. Më e rëndësishme është ndjenja që ti ke kur sheh një pikturë.

Aktualisht, në sa ekspozita vetjake dhe kolektive keni marrë pjesë?

Në Tiranë kam zhvilluar disa ekspozita personale, “Tirana Ekspres” në 2014 me kuratorin Andri Ibrahimi; pastaj shumë kolektive, nga të cilat mund përmend në “Firence COSPE”, punime grafike që u ekspozuan në Itali, Francë, Gjermani; në Tiranë me “Tirana Art Lab Prizren”, me kuratorin Gani Sunduri; në Maqedoni, me Ministrinë e Kulturës kam marrë pjesë në dy edicione me novelat grafike në vitin 2015 dhe 2016 e kolektive të tjera që nuk i mbaj mend. Ekspozita e fundit ishte personale, në “Vivart Janar 2018”, me kuratorin Olsi Shtylla, e cila më pëlqeu shumë për nga serioziteti e profesionalizmi i organizimit.

Cili ka qenë suksesi juaj më i madh?

Suksesi më i madh ka qenë të shprehurit e vetes, të asaj që unë jam, apo mendoj se përfaqësoj në këtë jetë.

A është maskiliste shoqëria shqiptare?

Te pikturat e mia ka shumë femra, nudo. Ndoshta e bën këtë pyetje duke u nisur nga ideja se unë mendoj që shoqëria është maskiliste dhe prandaj unë dua ta ekuilibroj, duke futur feminilitet. Realisht pikturoj femra, sepse më pëlqen trupi i femrës, po nuk mendoj se shoqëria shqiptare është maskiliste. Mendoj se kjo e fundit është pa formë dhe pa identitet.

Teknika që përdorni, bojëra vaj, akrilik apo akuarel? Cilat janë të veçantat e tyre?

Teknika që përdor kryesisht është akrilik. E veçanta është që thahet shpejt dhe nëse je i frymëzuar, apo ke një ide në kokë, apo një gjendje emotive që do ta pasqyrosh, koha e realizimit është në harmoni me tharjen e bojës dhe kështu mund ta fiksosh. Më pëlqen gjithashtu akuareli për pikturat e mia dekadente, apo kur dua të eksperimentoj. Akuareli është i vështirë të kontrollohet dhe pastaj nxjerr nuanca bojërash tejet interesante.

VLERËSIMI

 “A jetohet sot me pikturë? Të paktën jeton shpirtërisht”

“E para, jeton shpirtërisht, në një vend dhe një kohë që duket sikur qëllimi parë i masës (e sistemit eko-politiko-social, që kjo e fundit ka ndërtuar) është vdekja e shpirtit të individit. E dyta, nuk kam menduar kurrë se mund të kisha sukses komer-cial, e bëja për pasion. Nëse do Të nisesha nga suksesi komer-cial do bëja ndonjë gjë tjetër, jo pikturë. Duhet thënë se artistët e vërtetë, ndryshe nga imazhi i  publikut (ëndërrimtarë, të ndjeshëm dhe idealistë), me kalimin e kohës krijojnë një karakter të fortë si gozhdë arkivoli dhe i mbijetojnë mediokritetit të shoqërisë e tregut të masave. Piktura ime, nga ana tjetër vlerësohet nga shumë pak njerëz dhe është ajo që unë dua. Unë jam shumë i kënaqur, qoftë nga vlerësimi i këtyre të fundit dhe qoftë e nga mbështetja financiare me blerjet e tyre”.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: