PËRBALLJE NË “ALBANIAN FREE PRESS”: A ka nisur Vettingu në policinë e burgjeve?

PËRBALLJE NË “ALBANIAN FREE PRESS”: A ka nisur Vettingu në policinë e burgjeve?
INTERVISTA/ Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko dhe ish-komandati i RENEA-s, eksperti Hilë Lushaku flasin mbi “vettingun” e deritanishëm në burgje. A duhet të ekzistojë një i tillë edhe për Policinë e Shtetit?

 Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 Rreth 130 punonjës të burgjeve kanë rezultuar me dënime penale, pas verifikimeve të kryera nga ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve. Teksa kjo e fundit, tashmë po kryen verifikimin e të dhënave penale për të gjithë punonjësit e policisë gjyqësore, në të gjitha nivelet, për të konstatuar kështu nëse janë bërë shkelje në pranimet e tyre në radhët e policisë. Proces ky i cili bazohet në ligjin nr. 10032 “Për Policinë e Burgjeve”, ku shprehimisht thuhet se një nga kriteret e përgjithshme për t’u pranuar në këtë institucion, është që personi “të mos jetë dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë”. Pas këtyre verifikimeve, lind pyetja a filloi vettingu në Policinë e Burgjeve?Dhe a është sot më tepër se kurrë, koha për një vetting edhe në Policinë e Shtetit?Aktualisht, ekziston një projektligj për dy formularët që do të plotësojnë 12 mijë policët, ku mes të tjerave do të deklarojnë pasurinë pronat e blera ose të trashëguara, makinat që përdorin dhe paratë që kanë në llogaritë bankare, udhëtimet që kanë kryer jashtë shtetit në tre vitet e fundit, përfshirë familjarët e tyre. Madje, edhe shkollat private brenda apo jashtë vendit ku kanë arsimuar fëmijët, policët duhet t’i specifikojnë në formularin e tyre për pasurinë. Por një tjetër formular i rëndësishëm që do plotësohet nga uniformat blu, është edhe ai për kontrollin e figurës ku do specifikojnë nëse kanë pasur emër tjetër, apo ndonjë nofkë që e kanë thërritur nga personat e tjerë etj. Rreth këtyre zhvillimeve, flasin për “Albanian Free Press”, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko dhe ish-komandanti i RENEA-s, Hilë Lushaku. Ky i fundit, ka botuar edhe një libër me jetëshkrimet e drejtorëve të policisë shqiptare, që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri sot...

 

ARBEN ÇUKO:

Ka nisur vettingu në Policinë e Burgjeve, jo më emërime kundër ligjit

Z. Çuko, ju si drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve keni bërë prezent deri tani faktin se rezultojnë rreth 130 punonjës të burgjeve me dënime penale. A është e vërtetë kjo?

Po, më se e vërtetë. Nga kontrolli i dosjeve të të gjithë efektivit të Policisë së Burgjeve rezultoi se 130 policë ishin mobilizuar në mënyrë flagrante dhe në kundërshtim të hapur me ligjin e saj. Një nga pikat e ligjit thotë sigurt, saktë, qartë: Kur një qytetar është i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, nuk mund të jetë pjesë përbërëse dhe efektiv i Policisë së Burgjeve, sepse një nga kriteret e përgjithshme ose kriteri bazë për t’u pranuar në të është që personi të “mos jetë dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë”. Në rastin konkret, këta të 130-të janë punësuar dhe janë bërë pjesë e Policisë në mënyrë flagrante me ligjin, duke e shkelur atë. Kjo është një shkelje që është bërë duke e nëpërkëmbur ligjin dhe duke dalë mbi të. Se kush dhe si e ka bërë, kjo është çështje tjetër, kryesorja është që tashmë ata janë evidentuar dhe nuk do të jenë pjesë e Policisë së Burgjeve. Mobilizimi në këtë strukturë do të bëhet vetëm në përputhje me ligjin.

A kanë kaluar deri më sot në skaner efektivët e policisë shqiptare, kur 130 punonjës të burgjeve janë me dënime penale? Dhe a mendoni se sot është i domosdoshëm një proces vettingu?

Rasti konkret tregon se nuk kanë kaluar në skaner, ose janë anashkaluar ligjet në dëm të strukturës së Policisë së Burgjeve. Ky është fillimi i vettingut në Policinë e Burgjeve, pasi një nga pikat e tij është ky. Më tej, ka dhe hapa të tjerë, ku ne tashmë jemi në përgatitjen e një ligji për Drejtorinë e Burgjeve, i cili është bërë gati për miratim, ose më mirë të them se është në fazën përmbyllëse, që ka të bëjë me rekordet gjatë gjithë jetës civile, jo vetëm në Shqipëri, por edhe kur kanë banuar ose kanë qenë jashtë saj. Besoj se ky ligj plotëson një boshllëk që është shfaqur kohët e fundit dhe kështu bëhet më i plotë, më funksional dhe më praktik. Në këtë mënyrë pastërtia e çdo figure të policit të Burgjeve bëhet më e kontrollueshme, domosdoshmërisht më e pastër dhe më e besueshme.

 

HILË LUSHAKU:

Pas vitit ’90, policë u bënë ata të cilët erdhën nga burgjet

130 punonjës të burgjeve rezultuan se janë me dënime penale. A besoni se deri më sot efektivët e policisë kanë kaluar në skaner?

Po shikoj me vëmendje çfarë ndodh me pastërtinë e figurës së policit në tërësi, por edhe atë të burgjeve. Shteti është mbi fusha të minuara dhe duhen marrë në hetim administrativ, ose edhe penal, ata që kanë përgatitur dosjet e pranimit në punë. Kjo është një katastrofë dhe e papranueshme për një shoqëri demokratike.

A mendoni se duhet realizuar një vetting për Policinë e Shtetit në tërësinë e saj?

Në fakt, sot më tepër se kurrë është i domosdoshëm një vetting për të gjithë administratën e shtetit, se ka njerëz të dënuar që punojnë në inspektorate dhe punë nga më të rëndësishmet, pa diskutuar që janë edhe në radhët e policisë. Kjo kërkon një punë serioze dhe tepër korrekte jashtë çdo lloj ndikimi partiak apo fisnor. E them se ishte e papranueshme kjo gjendje në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ku deri tani rezulton që rreth 130 punonjës të burgjeve janë me dënime penale. Nisma duhet përshëndetur dhe duhet vazhduar më tej. Kjo tregon se Drejtoria e Burgjeve e ka nisur rrugën e vettingut në mënyrë korrekte me ligjin dhe seriozisht.

Po më parë, a verifikohej figura e policit?

Pa mëdyshje, madje me verifikim deri në shtatë breza. Por pas vitit ’90, policë u bënë ata që erdhën nga burgjet dhe më pas, ata që dinin të vidhnin, të mashtronin, të pasuroheshim me portofol shtetëror, ndërsa të aftit dhe të ndershmit duhej të numëronin pllakat e trotuareve.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: