Pedagogët paralajmërojnë grevë. Rama: Kujdes “pikën fundore”, aty “priten koka”

Pedagogët paralajmërojnë grevë. Rama: Kujdes “pikën fundore”, aty “priten koka”
Pedagogët e Universitetit të Tiranës kanë dalë dje me një deklaratë ku kërkohet rishikimi i ligjit për Arsimin e Lartë, dorëheqjen e Bordit të Administrimit, rritjen e financimeve për universitetin dhe të tjera kërkesa.

“Nëse Ministria, Kryeministria dhe institucionet e tjera nuk do t’i përgjigjen kërkesës sonë për negocim, dhe nuk do të reagojnë ndaj shqetësimeve tona, ne rezervojmë të drejtën që brenda dhjetë ditësh të përshkallëzojmë reagimet tona deri në grevë të përgjithshme”, thuhet në deklaratë.

Kërkesat e pedagogëve u nxitën nga vonesa 10-ditore e pagesës së rrogave, për të cilën konsideruar përgjegjëse Qeverinë për mosnxjerrjen e akteve nënligjore.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, kanë zhvilluar sot një takim me Senatin e Universitetit të Tiranës.

Përkundrejt akuzave të pedagogëve një ditë më parë, Kryeministri Rama e konsideroi pothuajse si shenjë pozitive vonesën e pagesave.

“Vonesa e pagave është shembull i qartë që reforma është sfidë edhe për ne që e kemi udhëhequr dhe kemi kthyer në legjislacion, sepse na ka vonuar ne vetë si qeveri një debat midis Ministrisë së Arsimit dhe Financave për trashëgiminë e grantit të pakushtëzuar”.

Sipas Ramës, Ministria e Arsimit ka patur të drejtë në këtë debat.

Të dyja ministritë varen nga Kryeministri Rama, por ai tha se nuk ka ndërhyrë në këtë debat, duke e lënë të zhvillohej në rrugën e vet.

Ministri i Financave, që duket si “fajtori” për mbajtjen peng të rrogave të pedagogëve, nuk ishte i pranishëm në takim.

Kryeministri Rama debatoi me dekanin e Fakultetit të Drejtësisë, që e kundërshtoi në pikën ku Rama deklaroi se nuk mund të ndërhyjë në problemet e brendshme të universitetit.

“Unë e di që po erdhi puna në një pikë fundore na e jep ne ligji të drejtën të ndërhyjmë, po ajo është pikë fundore dhe është seancë ndëshkimi, nuk është më seancë pajtimi. Mos më çoni tek pika fundore, se ligji na e lejon të ndërhyjmë, por unë nuk dua. Po vajtëm tek ajo pikë, aty duhen prerë koka. Ti shkove direkt te gijotina”.

Rama tha se Universiteti i Tiranes “është bishti i fundit i kavallit i universiteteve të Shqipërisë”, duke iu referuar rezultateve të akreditimit.

Ai tha se rezultatet e kompanisë britanike janë të besueshme pasi “nuk e bënë ekspertët e PS as kushërinjtë e mi apo të Dhori Kules”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: