PARATË QË HEDHIM PËR RRUGËT E BALLKANIT - OPINION NGA PLATOR NESTURI

PARATË QË HEDHIM PËR RRUGËT E BALLKANIT - OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Po shndërrohet në një mister se, cila do të jetë harta e linjave kryesore të rrugëve, që do të lidhin vendet e Ballkanit dhe, së pari, ky pështjellim vihet re pikërisht në Ballkanin Perëndimor, në tre shtete të tij, ku është e shpërndarë edhe popullsia shqiptare, - Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Shkëputja e Kosovës nga shteti serb dhe zhvillimet e viteve të fundit në Maqedoni, kur pas shpërthimit të konfliktit etnik, marrëveshja e Ohrit siguroi të drejtën e gjuhës dhe të flamurit për shqiptarët e këtij messhteti ballkanik, ka nxitur politikën zyrtare të Tiranës, në bashkëpunim edhe me autoritetet e dy shteteve të reja fqinje të saj, që projektet e mëdha infrastrukturore, të drejtohen pikërisht drejt Verilindjes dhe Lindjes. Padyshim, në këtë vendim, patriotizmi ka qenë ndër shtysat kryesore dhe si mënyrë se kështu do të lidheshin me njëra-tjetrën viset shqiptare. Vetë autostrada Durrës-Morinë me destinacion Kosovën, është mbiquajtur "rrugë patriotike". Ndërkohë në median shqiptare, analistë dhe ekonomistë të pavarur, i kanë vënë theksin fuqishëm idesë për krijimin e një hapësire të përbashkët ekonomike panshqiptare. Me gjithë këtë dëshirë patriotike, problemet e zhvillimit perspektiv ekonomik të Shqipërisë më së tepërmi, varen me krijimin e akseve që do ta lidhin me vendet e fuqishme dhe të industrializuara të Europës. Por faktet po tregojnë se, ne ende nuk e dimë apo nuk arrijmë të përcaktojmë se ku do të lidhemi me rrjetin europian të qarkullimit. Kjo dilemë ngatërrohet më tepër, duke parë se dhe vendet tona fqinje, Kosova dhe Maqedonia, pas të cilave jemi ankoruar me ndërtimin e autostradave, në strategjitë e tyre të zhvillimit nuk përputhen me idetë fillestare, për të cilat ka derdhur pará në ngritjen e udhëve, shteti shqiptar. Moskoherenca dhe mungesa e planifikimit rajonal, vërehet edhe në vendimet e përcjella së fundmi nga autoritetet zyrtare të tre shteteve. Gjithësecili shtet ka bërë planet e veta të zhvillimit të vet infrastrukturor, premton me bujë përpara shtetasve të vet se, kështu do të zgjidhë e lehtësojë komunikimin me botën dhe me fqinjët, porse hesapet e të "tre hanxhijve", janë bërë veç e veç e llogaritë e dinamizmit të kësaj hapësire ekonomike me shqiptarë brenda, sikur nuk dalin mbarë. Gjithësesi, si shtetas i Shqipërisë dhe si taksapagues për punët publike që kryen shteti im, shqetësimi kryesor mbetet që rrugët e autostradat të cilat do të përthithin miliarda euro nga buxheti, të mos mbeten me pikë fundore kufijtë e shtetit shqiptar.

"Përpjekjet titanike" të një vendi të vogël si i yni dhe që kërkon të krijojë infrastrukturën rrugore moderne të vetën, rrezikojnë të mbesin pa dalje për në botën moderne. Kështu, autostrada e veriut apo e Shkodrës, e cila shkon deri në Han të Hotit në kufi me Malin e Zi, mund të mbesë pikërisht deri aty. Shteti i Malit të Zi nuk ka ndonjë projekt për ta zgjatur këtë linjë në territorin e vet, çka do të mundësonte lidhjen me autostradën Danubiane, duke hapur kështu aksesin e lidhjes me vendet e Europës Qendrore. Autostrada tjetër e Shqipërisë së Mesme, përgjatë lumit Shkumbin dhe mbi shtratin e Via Egnatia, e cila planikohej të ishte pjesë e korridorit të tetë, gjithësesi mund të shkojë më tutje se Qafa e Thanës. Në paraqitjen e programit të qeverisë së re maqedonase, kryeministri deklaroi se, një ndër objektivat madhorë të mandatit të tij do të jetë pikërisht krijimi i korridorit të tetë, që do të lidhë Lindjen dhe Perëndimin e Ballkanit. Në këtë aspekt, ai u angazhua se linja antike me Shqipërinë e Bullgarinë do të kompletohet me të gjitha elementët e infrastrukturës moderne. Pra, jo vetëm në ndërtimin e rrjetit rrugor, por edhe atij hekurudhor. Përpjekjet e Shkupit për t'iu shmangur varësisë së saj nga Greqia dhe portet e saj, në këtë rast ndikojnë për mbarë në krijimin e një rrjeti të përbashkët, çka i intereson Shqipërisë, për më tepër që portet e saj, Durrësi dhe Vlora, shihen si alternativat më të afërta portuale për Shkupin, që do të shmangë me çdo kusht Selanikun. Gjithësesi, krijimi i një korridori të plotë nga Durrësi në bregdetin bullgar, nuk është diçka e thjeshtë. Nëse hekurudha shqiptare mbetet dy kilometra larg kufirit maqedonas, rrjeti i saj nuk ka asnjë kilometër të elektrifikuar. Ndërkohë, nga ana maqedonase mungojnë 50 kilometra hekurudhë deri në pikën e Kërçovës, ndërsa mbetet gjithashtu e mangët linja Shkup-Sofje, me gjatësi 164 kilometra. Gjithësesi, një gjë është e sigurt që, pavarësisht nëse shndërrohet në korridor të tetë puna e nisur, autostrada përgjatë Shkumbinit, do të fundojë në Shkup.

Si të mos mjaftonte me kaq, qeveria shqiptare ka vendosur t'i paraqesë edhe një shans më tepër fqinjit tonë lindor. Me projektin për rrugën e Arbrit, çka në vetvete, sipas përllogaritjeve të ekspertëve tanë, do të shkurtonte me 100 kilometra distancën e Tiranës me Shkupin.

Lidhjet me Shkupin vërtet po rezultojnë shumë të shtrenjta, duke patur parasysh se, drejt tij fokusohen tri autostrada vetëm nga territori i Shqipërisë. Pyetja që shtrohet është, nëse ia vlejnë gjithë këto harxhe thjesht për të lehtësuar trafikun me Maqedoninë dhe nëse vërtet zhvillimi ekonomik i vendit varet pikërisht nga rrugët eskluzive me Shkupin? Do të ishte paradoksale të mendohej që kjo është zgjidhja e vetme, ashtu siç duket e çuditshme që të gjitha paratë për vepra të rëndësishme publike infrastrukturore, hidhen vetëm në një drejtim. Shqipëria nuk është aq e pasur sa të ketë të tilla lukse. Për më tepër që, ende ka mungesa të theksuara në rrjetin e saj të brendshëm infrastrukturor. Jugu i Shqipërisë duket se ka mbetur imun në mungesat e lidhjeve moderne me Tiranën e pjesët e tjera të vendit. Autostrada e jugut që, prej katër vjetësh, duket se është stopuar. Ndërsa vërehet bollëku i linjave të Shkupit dhe boshllëku infrastrukturor në jug të vendit, nuk mund të të shkojë mendja se, në këtë mënyrë, nga politikat e planeve të zhvillimit të qeverisë, po krijohet një disekuilibër i madh midis veriut dhe jugut të Shqipërisë. Mos harrojmë se, përveç tre linjave të autostradave që gjithsesi do të fundojnë në Shkup, është planifikuar dhe ndërtimi i një aksi që do të lidhë Kukësin dhe Pogradecin, çka do të krijonte një rrjet të plotë për lehtësimin e lidhjeve dhe zhvillimin e zonave të veriut. Ndërkohë, në jug do të presim radhën. Jo për të krijuar linja të brendshme, si fjala vjen Tepelenë-Korçë, apo Berat-Këlcyrë, por për lidhjet më normale me qendrën e vendit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: