Mjekësia, shpallen kriteret për pranimet e studentëve të rinj

Mjekësia, shpallen kriteret për pranimet e studentëve të rinj
Në bazë të dokumentacionit të firmosur nga rektori i universitetit rezulton se, kusht për të qenë kandidat duhet të jetë nota mesatare, e cila për mjekët, farmacistët dhe stomatologët, duhet të jetë mbi 8.5

Sonila Isaku

Me publikimin e rregullores së maturës shtetërore, si dhe udhëzimit për provimet me detyrim dhe atyre me zgjedhje për maturantët, tashmë universitet kanë publikuar kriteret e pranimit për studentët e rinj. Kështu, senati i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, ka përcaktuar kriteret e pranimit të studentëve, ku kryesore mbetet nota mesatare, nota mesatare e provimeve të lëndëve me zgjedhje dhe cilat janë ato lëndë që kanë edhe peshën më të madhe të pikëve.

Kriteret

Universiteti i Mjekësisë me degët e tij përkatëse, duket se ka edhe kriteret më të forta për studentët, pasi nota mesatare për tu regjistruar në farmaci, stomatologji dhe mjekësi, do të jetë më e madhe se 8.5. Kurse në shëndet publik, do të pranohen studentë me mesatare mbi 8 dhe në degët e infermierisë, fizioterapisë, mamisë, teknik laboratori dhe imazherie, si dhe logopedi, mesatarja duhet të jetë mbi 7.5.

“Kriteret e pranimit të studentëve në programet e ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, përbëhen nga nota mesatare aritmetike e provimeve të maturës shtetërore, 35% në rastet kur kandidati jep provim lënde me zgjedhje në Kimi (bërthamë), Fizikë (bërthamë), Biologji (bërthamë), nota e provimit shumëzohet me 1.15. Kur kandidati jep provimet në Kimi ( e thelluar), Fizikë ( e thelluar), Biologji (e thelluar), nota e provimit shumëzohet me 1.25. Ndërsa, nëse provimet do të jenë të lëndëve të tjera, atëherë nota e provimit do të shumëzohet me koeficientin 1”, - thuhet në udhëzimin e Universitetit të Mjekësisë. Ndërkohë, në kriteret e tjera përcaktohet se, nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme për të gjitha vitet, është 35%. Kurse kriteri tjetër ka të bëjë me notën mesatare aritmetike të lëndëve formuese, të zhvilluara gjatë viteve të shkollës së mesme 30%, përkatësisht në kimi 10%, biologji 10% dhe fizike 10 %.

Formula

Formula e përllogaritjes së pikëve për kryerjen e procesit të rankimit të kandidatëve, që do të aplikojnë në programet e studimit të ciklit Bachelor dhe të cikleve të integruara në mjekësi, farmaci e stomatologji, për vitin 2018-2019, do të jetë:

PP= {(M1x35)+ |(Kmx10)+(Mfx10) + [D1+D2+D3+(Z1xKZ1) + (Z2xKZ2]/5x35}xKSHMx100

Provimet

Sipas udhëzimit të maturës shtetërore edhe këtë vit, do të jenë 5 provime, ku 3 prej të cilave me detyrim dhe dy me zgjedhje. Kështu, maturantët në provimet me detyrim do të kenë “Gjuhë shqipe dhe Letërsi”, “Matematikë” dhe “Gjuhë e Huaj”. Do të jenë katër gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht, që do të mund të përzgjidhen nga maturantët për t’u dhënë si provim i detyruar.

“Testi i gjuhës së huaj (D3) hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë trajtohet si gjuhë e huaj në nivelin gjuhësor B1”, - thuhet në udhëzim.

Në udhëzimin e ri të Maturës, sqarohet se, gjuha e huaj si provim i detyruar do të përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1/A1Z. Maturantët e viteve të kaluara që kanë marrë pjesë në Maturat 2014, 2015, 2016, dhe kanë rezultuar jokalues në provimin e gjuhës së huaj D3, duhet ta rijapin këtë provim. Ndërsa kandidatët e tjerë që do të aplikojnë sivjet me formularin A1Z, nuk duhet ta rijapin më provimin e gjuhës së huaj D3.

 

http://umed.edu.al/wp-content/uploads/2018/02/KRITERET-E-PRANIMIT-2018-2019-UMT.pdf

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: