Mishela Rapo:Ëndrra ime në sirtar, të shkoj në Eurovizion!

Mishela Rapo:Ëndrra ime në sirtar, të shkoj në Eurovizion!
Vajza me zë dhe fytyrë të bukur, është vetëm 18-vjeçare; në jetën e përditshme një maturante me rezultate ekselente në një shkollë private, me ambicie për një formim edhe më cilësor. Por në asnjë moment nuk u shkëput nga pasioni i saj më i madh, kënga, me të cilën u ngjit në skenë që në moshë të vogël në Festivalet e Fëmijëve. Mishela Rapon e pret ndoshta një karrierë me bazament, si koleget e saj më të rritura që, ashtu si ajo, e kanë nisur me shkallë, nga qendrat kulturore për fëmijëve e deri në skenën e Pallatit të koncerteve. Një arritje të madhe e ka shijuar, të ishte e pesta në “Festivalin Europian për Fëmijë”, rezultat ky më i larti i arritur ndonjëherë nga Shqipëria. Por ëndrra e saj për të nderuar vendin në Eurovizion, është akoma e ndezur. Në këtë rrëfim rinor, vjen vajza e talentuar dhe me shpresa të mëdha për të ardhmen, Mishela Rapo.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Kur ka filluar pasioni yt për muzikën, këngën?

Nuk di ta them ekzaktësisht se kur, por di të them se, që e vogël fare, unë vetëm këndoja këngë të zhanreve të ndryshme, sidomos popullore. Pastaj, kur isha vetëm 8 vjeç, prindërit duke parë energjinë dhe dëshirën time për të kënduar, menduan që rrugëtimi im drejt muzikës, duhej të niste nga festivalet e fëmijëve, për dy arsye: e para, që të kisha një fëmijëri dhe adoleshencë sa më të bukur, por dhe vlerat që unë kisha, do të shërbenin pozitivisht dhe për brezin tim.

 

Ju kanë mbështetur prindërit, familja në fillimet tuaja, për këtë pasion?

Çdo artist në fillimet e veta ka patur mbështetje familjen, sepse vërtet një fëmijë ka dëshirë të këndojë ..., por është prindi ai që e drejton dhe e orienton për rrugën që duhet të ndjekë (të paktën në Shqipëri). Nuk mjafton vetëm të kesh talent apo zë të bukur, sepse skena ka dhe elementë të tjerë. Skena me të gjithë elementët është e vështirë, por ideja që ty të udhëheq dhe ajo që ti do të arrish, duhet të kanalizohet në shinat e duhura, për të përcjellë vlerat më të mira për brezin tënd dhe ato që do vijnë. Unë kam qënë me fat që prindërit më kanë orientuar drejt festivaleve dhe sfidave drejt skenave të mëdha.

 

A keni pasur vështirësi në fillimet tuaja?

 

Kur je fëmijë, nuk i llogarit vështirësitë, ose ato janë aty, por ti i kapërcen shpejt dhe lehtë, sepse nuk je vetëm. Përveç prindërve dhe mësuesve në shkollë, të cilët më kanë mbështetur maksimalisht, unë kam punuar fort, sepse jo çdo gjë ia kam besuar talentit. Asnjë arritje e deritanishme nuk është arritur aksidentalisht, por çdo sukses i imi ka pasur një punë dhe përkushtim shumë të madh nga ana ime dhe e prindërve të mi.

Kur je ngjitur për herë të parë në skenë? Si i kujton ato emocione?

 

Për herë të parë, konfirmimin që unë kisha një zë të bukur dhe kisha elemente artistike, si dhe mund të zotëroja një skenë, ma ka dhënë stafi organizator i Festivalit Mbarëkombëtar të Shkodrës, me udhëheqës artistik Kujtim Aliaj. Në atë festival, unë u vlerësova me çmimin: “Debutuesja më e mirë” dhe këndova këngën “Jemi një, s’jemi dy” me muzikë dhe orkestrim të Klodian Qafokut dhe tekst të Arben Dukës, një këngë që sot këndohet në të gjitha festat ku ka fëmijë. Të them të drejtën, janë emocione që i kujtoj gjithmonë, por që nuk kam gjetur kurrë fjalë për t’i përshkruar. Ndoshta sepse isha shumë e vogël.

Sot, si është jeta jote e përditshme?

Jam maturante në Kolegjin Turk, “Mehmet Akif”, të vajzave. Për mendimin tim, shkolla më cilësore në të gjithë elementët në Shqipëri. Jam Mishela me uniformë kolegji, e barabartë me gjithë shoqet e mia. Nuk jam shkëputur asnjë moment nga muzika, si me QKKF, “Këngën Magjike”, koncertet e bamirësisë, dhe me aktivitetet e shumta të organizuara nga shkolla jonë.

Sot muzika është në faza të reja. Ritme e rryma të reja. Si të duket ndikimi që ka në publik?

Muzika që unë dua të bëj ka si pikëqendër muzikën shqiptare ... nuk dua t’i largohem, sepse muzika jonë është shumë e bukur. Të paktën do të mundohem që në gara ndërkombëtare, të arrij t’i jap vlerat e duhura. Ndërsa për rrymat e reja mendoj se, të rinjtë duhet të eksperimentojnë dhe të bëjnë atë muzikë që ju shkon përshtat.

Si po vazhdon karriera? Hitet e reja, si janë pritur nga publiku?

 

Pasi lashë pas muzikën për femijë, kam marrë pjesë dy vjet rresht në festivalin “Kënga Magjike”. Me këngën “Mama”, fitova statusin Big dhe u ndjeva e vlerësuar, sepse vetëm në moshën 16-vjeçare, u rendita mes këngëtareve Big të muzikës shqiptare. Një vit më pas, konkurova me një këngë rinore, “E doja, s’e doja”, e cila dhe kjo u prit mjaft mirë. Mendoj nga vera të sjell nje material te ri me videoklip, por duke qenë se jam maturante, do ta kem pak të vështirë, por shpresoj t’ia dal.

Ke ndonjë pasion të veçantë, përveç muzikës?

Fotografia dhe aktrimi ... Do të ngelen thjesht pasione për të kaluar kohën e lirë, por nuk besoj se do të investohem tek këto dy pasione.

Ke ndonjë ëndërr që ende pret ta realizosh në muzikë?

Ëndrrat e fëmijërisë unë i kam realizuar të gjitha, jo vetëm me trofe brenda dhe jashtë vendit. Kam gjithsej 5 këngë shumë cilesore për fëmijë, të cilat mbartin vlera për artin muzikor për fëmijë, katër prej të cilave kanë autor kompozitorin më të mirë në trojet shqiptare, Adrian Hila. Ëndërra ime në sirtar është pjesëmarrja në Eurovizion. Siç pozicionova Shqipërinë, në vendin e 5-të në Junior Eurovision Song Contest (rezultati më i lartë i arritur deri më sot), ashtu dua ta rendis përsëri, sa më lart emrin e Shqipëisë, nëse do të më jepej ky shans. Unë do të punoj fort për t’ia arritur ... i ngelet të ardhmes, duke shpresuar të mos mbetet ëndërr në sirtar.

Duhet kurajë të jesh një këngëtare femër në Shqipëri?

Unë mendoj se, nëse ti ndërton nje figurë artistike, pa e përdorur artin si mbijetesë ..., nuk është e vështirë. Unë muzikën e kam frymë, jetë dhe do mundohem të bëj muzikë të bukur, që të mbetet gjatë.

Kur je e lodhur, ku gjen prehje më shumë?

Tek kitara ... Jam e dashuruar me kitarën, që ditën e parë kur vendosa të konkuroj në liceun artistik. (Kam studiuar katër vite në liceun artistik për kitarë dhe piano). Prindërit e kuptojnë kur unë kam një shqetësim apo ndihem e lodhur, sepse i bie kitarës ndoshta deri në mesnatë, dhe e shoqëroj me këngë. Ajo më jep energji tepër pozitive.

Je përfaqësuar me krijime të tuat në konkurrime e festivale. Sa mendon se kanë qenë të vyera këto interpretime?

Unë kam patur fatin që prindërit e mi janë kujdesur në çdo detaj për daljet e mia në skenë, si për këngën ashtu edhe për performancën apo veshjen. Vazhdoj të mendoj ende, se ka dhe një një sekret tjetër që kompozitorët e anashkalojnë. Çdo kompozitor që kam bashkëpunuar, kur bën një këngë për mua, mundohet t’i bashkangjisë atij krijimi jo vetëm zërin tim, por gjithçka që unë mund të bëj në skenë, përshtatur me tipin dhe natyrën time, si dhe kënga vetë të shoqërohet me nje tekst me mesazh të fortë. Në festival kompozitorët bëjnë këngën dhe pastaj gjejnë këngëtarin që do t’ua këndojë në skenë. Prandaj mendoj që dhe këngët e kënduara nga unë, kanë patur sukses.

Çfarë shije ka jeta jote në këto momente, e ëmbël apo e thartë?

Jeta ime ka shijen e pestë. Mund ta quash Umami, e ëmbël, e hidhur, e kripur, e thartë. Është një shije kaq e fortë, sa i përmbledh të katërta. Është shija e pestë.

 

Për çfarë do të luftoje më fort?

Do të luftoja, pa asnjë hezitim, për lumturinë e familjes time! Çdo gjë në jetë është kalimtare, por emëruesi i përbashkët i të gjithave, është familja.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: