Mevlan Shanaj: Kinemaja është arti i shumicës, arti i përjetësisë

Mevlan Shanaj: Kinemaja është arti i shumicës, arti i përjetësisë
INTERVISTA/ Flet “Mjeshtri i Madh” i kinematografisë shqiptare: Filmi i dobët eliminohet vetë. E eliminon koha. Filmi i mirë reziston.

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

Biseda me të, edhe pse zgjati rreth dy orë, rrugëtoi si një film i bukur me shumë emocione. Falë kujtesës, por dhe ngjarjeve të shumta jetësore me shumë personalitete të artit shqiptar, dëshira ishte që kjo bisedë të mos mbaronte kurrë... Episode, mbresa, kujtime, debate, dialog i mrekullueshëm me Mevlan Shanajn, që jo në çdo artist mund t’i gjesh... Ende pa mbaruar studimet, ftohet si një nga folësit e parë të televizionit eksperimental shqiptar. Më vonë, tek ky gjigant i medias vizive shqiptare, ai hedh hapat e parë në regjisurë, duke realizuar disa filma dokumentarë, por njëkohësisht edhe si një ndër nismëtarët e filmave artistikë televizivë. Teksa krahas regjisurës, ai prek sheshet e xhirimit edhe si aktor. Dy nga rolet e tij më të spikatur, “I teti në bronz” në interpretimin e parë kinematografik (roli i Ibrahim Kovaçit) dhe Nebi Surreli tek “Rrugicat që kërkonin diell”, për vetë realizimin e lartë artistik diskutohen edhe sot, si ndër filmat më të arrirë të kinematografisë shqiptare. I qetë, i saktë, shumë komunikues, por korrekt deri në detaj në mësimdhënie, janë disa nga tiparet dalluese të aktorit, regjisorit, pedagogut, folësit Mevlan Shanaj. Për meritat e tij në fushën e kinematografisë si regjisor, aktor, pedagog (por së fundi dhe producent), nga Presidenti i Republikës para disa vjetësh, ai mori edhe titullin “Mjeshtër i Madh”. Ndërsa shtysë për këtë intervistë të posaçme me “Albanian Free Press” ishte shfaqja e dokumentarit për Xhanfise Kekon, një dokumentar i rrallë ky që mori për shumë minuta duartrokitje të shumta nga të pranishmit...

 Z. Shanaj, si ju lindi dëshira apo cila ishte shtysa që të realizonit një film dokumentar për Xhanfise Kekon dhe pse ai solli kaq emocion tek të pranishmit?

Së pari, solli emocion sepse i kthehem një kineasti të madh, Roger Vadimit, që ishte duke filmuar Brigitte Bardo-n, gruan e tij, në një film me Trintignant, i cili ishte një djalë i ri (marrëdhënia qe e kapërcyer, nuk qe vetëm një interpretim). Vadim, regjisori, pas skenës i thotë aktorit të ri: “Mirë shkoi skena, por mos kishte diçka më shumë aty?”. “Po, - tha ai, - kishte diçka më shumë”. Në këtë kohë, kineasti, regjisori i thotë Brigitte Bardo-së: “Mirë shkoi, por ky djali i ri ishte interesant dhe në skenën e filmuar kishte diçka më shumë”. “Jo”, - i thotë Bardo, paksa e hutuar. “Po, - i thotë regjisori, - të pashë shumë mirë nga kamera dhe ajo nuk gënjen kurrë”. Pra, kjo është dhe përgjigja ime për filmin e Xhanfisesë. Filmi kishte emocion, sepse erdhi tek spektatori nëpërmjet rrëfimit në kamera. Në rrëfimet para kamerave, ajo ka qenë shumë e sinqertë. Kujtimet e jetës së saj për të gjithë auditorin sillnin  copëza të jetës së tyre, pavarësisht rrëfimit të sinqertë të thjeshtësisë, modestisë, mënyrës së perceptimit të Xhanfisesë, jo vetëm të filmit, por edhe të filozofisë, edhe të jetës, edhe të familjes. Të gjitha këto vinin dhe çukisnin në trurin dhe ndjenjën apo shpirtin e çdo shikuesi. Pra, organizimi i materialit, servirja ishte një punë e brendshme artistike; disa herë me metafora kur kalohej nga një episod në tjetrin; por mbi të gjitha ishte një dokumentar i ndershëm, pa gënjeshtra dhe ndershmëria sjell një respekt të madh, ndaj edhe publiku mbeti i gozhduar, i hutuar e shumë i emocionuar.

 Nga kush u iniciove për këtë film?

Ishte një dëshirë e brendshme e imja, pasi Natasha Lako ka pasur shumë miqësi me Xhanfisenë, por dhe unë njëkohësisht. Unë kisha më shumë se 3 vjet që e inicioja idenë për të bërë një film dokumentar për të dhe ky film do të jetë mbyllja e portreteve për mua në filmat dokumentarë.

Pse do jetë mbyllja e portreteve?

Kjo sepse në realizimin e portreteve në dokumentarë vitet e fundit, nga Vangjush Furxhi tek Ndrek Luca, e gjeta mundësinë e kapërcimit të trajtimit të figurave të tjera, por pa i përsëritur, pa u bërë një soditës, një gazetar që shikon dhe qëmton materiale, por në mënyrën e tregimit të ishte rrjedhshëm. Në art, në trekëndëshin e famshëm “çfarë, pse, si”? Çfarë bën, përse e bën dhe si e bën? Në këtë trekëndësh si-ja është talenti dhe si-ja fillon tek forma, gjykimi, që është shumë e rëndësishme në art. Nëse e kisha gjetur tek dy filmat e parë zgjidhjen e këtij trekëndëshi, tek Xhanfiseja na lodhi, derisa duke biseduar gjatë me Natashën, u gjet çelësi i portretit. Kur gjendet çelësi, le të jetë kështjellë, le të jetë apartament modest, ti di të ecësh dhe ta ndriçosh sekretin dhe rrugën e filmit. Dhe ne e gjetëm këtë çelës, që Xhanfiseja të vinte në film si Xhanfiseja, pra që Xhanfiseja të tregonte për Xhanfisenë. Ndërsa, konturin profesionistët, specialistët e kanë më të thjeshtë për ta gjykuar ata që janë profesionistë. Aq më tepër, kur flasim për një “fushë të minuar” siç është filmi, fusha më popullore në mbarë shoqërinë. Kjo pasi në film të gjithë kujtojnë se dinë, ngaqë është më popullori, por sigurisht nëse nuk ke një edukim profesional, nuk mund të dish të japësh gjykimet e duhura, qofshin edhe subjektive, të cilat nuk janë ato që kërkohen për ta ndriçuar, për ta iliminuar mendjen, shpirtin e shikuesit. Unë pretendoj që në këtë moshë që jam, mund të trokas në zona të panjohura dhe të eksploroj sigurisht gjërat e fshehta. Dhe me Xhanfisenë kështu u bë. Ajo erdhi në film nga fillimi në fund si një monolog i gjatë, sikur ishte ndërtuar për të na dhënë ne portretin e saj. Por ky qe qëmtimi në vite. Një kërkim, organizim i mendimit, ku mendoj se ky ishte çelësi i suksesit, por dua të theksoj se nuk ishte vetëm merita e punës së mençur e Natashës, as e Mevlanit, por në radhë të parë ishte emri i madh, Xhanfise Keko.

Kohët e fundit jeni dhënë shumë pas regjisë, ku keni realizuar shumë filma dokumentarë, por edhe artistikë. A ka ndikuar të qenit aktor që në rini, për t’u bërë dhe një regjisor po kaq i suksesshëm?

Më falni, jo kohët e fundit, pasi unë gjithë jetën kam punuar regjisor, që në ditën e parë të fillimit të punës, pasi mbarova shkollën. Unë kam studiuar për aktor, regjisor më emëruan.  Në fakt, para se të futesha në rrugën e madhe të artit, vija nga një fushë shumë sociale, siç ishte mjekësia. Kam bërë katër vjet shkollë të mesme për mjekësi dhe kam punuar dy vjet në spital. Kur erdha në fushën e artit isha në moshën 20-vjeçare, në moshën e aventurës, moshën e bukurisë dhe romantikës. Aventura është e domosdoshme në jetë. Pa aventurë, jeta nuk do të kishte kuptim. Por kjo aventura ime duket doli për mirë. Një goditje në këtë moshë më ka dhënë emri i madh që citohej në atë kohë si zbulim, aktori i madh Aleksandër Moisiu. Duke u njohur, duke dëgjuar për të, duke parë figurën e tij madhështore, një ditë prej ditësh mendova me vete “pse të mos t’i futem edhe unë rrugës së aktorit”? Pra, nëse unë në këtë moshë deri më sot kam arritur diçka, një majë timen në këtë fushë, ose kam  plotësuar një ëndërr ose e kam tejkaluar ëndrrën sipas idesë time, kjo i takon Aleksandër Moisiut.

Konkretisht, si u njohe nga afër me këtë figurë të madhe të skenës së teatrit?

Thjesht, sepse në moshën time të rinisë po shkruhej shumë për të, flitej, komentohej shumë dhe vazhdimisht për disa vite. Në atë kohë mbreti i informacionit ishte radioja. Madje, ishte mbreti i informacionit për kulturën. Në rast se sot flitet shumë për mjetet e tjera të informacionit, unë jam një radiofil. Radioja ishte ajo që ishte ushqyese e  vazhdueshme e trurit tim, madje edhe në moshën që kam, truri im ka nevojë për një radio, për muzikën e saj, që të më shoqërojë. Pra, në vitet ‘63, filloja të dëgjoja në radio për Aleksandër Moisiun dhe për mua ishte si një zbulim kjo figurë e madhe. Duke  dëgjuar për të, diçka më ngacmoi përbrenda dhe ana tjetër ishte se kur isha nxënës në mjekësore nuk kisha lënë teatër dhe film pa parë. Kur shikoja këto, më dukeshin si një magji në distancë. Në atë kohë, edhe shkolla e aktorëve mbante emrin “Aleksandër Moisiu”.

Me çfarë pjesësh konkurrove për aktrim dhe kush ishin në komision?

Ishte viti 1965 dhe pedagogu, njeriu i parë që kontaktova, njeriu i parë që më dha orientimet ka qenë regjisori, pedagogu Mihal Luarasi. Ai na dëgjonte, na bënte ndonjë sugjerim dhe pastaj do kalonim në komision. Në komision ishin emra të mëdhenj të asaj kohe si Andrea Malo, drejtor  i shkollës, Xhemal Mbroja (drejtor i Teatrit), Drita Agolli, Naim Frashëri. Para se të dilja para komisionit, Mihal Luarasi më orientoi për shumë gjëra. Unë kisha një pjesë nga Stendali një monolog: “E kuqja dhe e zeza” ku bëhej fjalë dhe për një femër. Mihali më tha “kur të vish ne këtë moment, fjalët adresoja asaj femrës që është aty. Shiko atë në sy dhe këtë pjesë të duket sikur ia drejton asaj”. E kishte fjalën për Drita Agollin, këshillë të cilën unë e ndoqa. E kreva detyrën që më caktoi në mënyrën më të përsosur. Pastaj kisha dhe një poezi të Eseninit për “Nënoken”. Pra, kisha disa pjesë nga letërsia ruse, sepse ajo mbizotëronte. Kisha dhe një poezi të Naim Frashërit, që në një moment ngeca. Por ndërhyri Xhemal Mbroja dhe ma kujtoi, e kështu kaloi situata.

Kush ishte konkurrues në këtë vit? A janë emra të mëdhenj të regjisurës dhe të aktrimit shqiptar?

Mund të them se atë vit kanë dalë emrat e njohur të aktrimit dhe regjisurës shqiptare. Ishte Timo Flloko, shok klase, Niko Kanxheri, Llazi Serbo, Minella Borova, Gëzim Kame, Birçe Hasko, Petrika Riza, Saimir Kumbaro, Kristaq Mitro, Dervish Biba, Mirketa Çobani, Veronika Todri, Kristina Mihali, Neriman Resuli, Frederik Fistani, etj. Në atë vit ne ishim jo vetëm një grup i mirë, por dolëm rivalë në jetë, pa xhelozi, pa ambicie dhe gëzoheshim me sukseset e secilit. Edhe sot jemi miq të mirë.

Kë kishit pedagogë kryesorë në Institut dhe çfarë kujton nga auditorët e tij?

Pedagogë kishim Drita Agolli, Pandi Stillo, Miho Gjini. Drita dhe Pandi kanë qenë pedagogët e parë. Ata na jepnin mjeshtërinë e aktrimit. Çdo gjë duhet kuptuar në kontekstin e kohës. Në atë kohë të gjithë ishin më të vërtetë më me pasion, më të sinqertë dhe shumë të ndershëm. Nëna ime nuk e dinte kurrë se ku isha unë dhe ku shkoja. Nuk donte të shkoja në aktrim. Kur pa filmin “I teti në Bronz” në kinema, me shoqet e veta të moshuara të veshura me të zeza, filluan të qanin, pasi u habitëm së tepërmi. Në atë kohë ka qenë një film goditës në publik. Kishte emocion dhe komunikim. Nëna nga kinemaja doli krenare edhe pse mes lotësh. Mbas disa kohësh, unë shkova në Patos, ku banonte nëna ime dhe më tha: “Ëëëëë, tani e mora vesh unë se përse ikje për konkurrim. Paç uratën dhe ke zgjedhur rrugën që doje ti”, e më bekoi. Në atë kohë, shkollën e bënte vetë njeriu. Atëherë nuk ndërhynte njeri, as motër, as vëlla, apo kushërinj. Shkolla ishte një pasion i madh dhe ne ishim në garën e të lexuarit. Kur kam ardhur nga Patosi në Tiranë, kam qenë 14 vjeç, unë u çlirova sepse isha nën hijen e familjes së nënës. Kam qenë fëmijë që doja të dilja mirë në shkollë. Kur erdha në Tiranë pashë se ishte një përzierje nga e gjithë Shqipëria. Konvikti i asaj kohe ka dhe nostalgji. Në konvikt rritet shumë ndjenja sociale. Të gjithë ishim në një prerje nga ana ekonomike. Ishim të gjithë të thjeshtë dhe të gjithë të ardhur nga zona rurale, vetëm 2-3 kishim nga Tirana. Futja ime në këtë rrjedhë intensive në kryeqytet me fëmijë të kategorive dhe të moshave të ndryshme nga e gjithë Shqipëria, më dha një dimension krejt tjetër. Këtë ndjeshmëri timen të  brendshme e ka rregulluar kryesisht marrëdhënia sociale me njerëzit, ku të gjithë kishin ambicie për dije.

Që në fëmijëri jeni dashuruar shumë me librin?

Unë nuk mund t’i bie gjoksit se jam një lexues i shkëlqyer. Por di se nëna ime më thoshte gjithmonë: “Mjaft lexove se do të prishen sytë”.

Po në shkolle u aktivizove në ndonjë film, teatër ose në dramë?

Unë kam mbrojtur diplomën shkëlqyeshëm me dramën “Pushkët e nënës Karrar... ” Bertold Breht, të cilën si regjisor e nisi Misto Zoto ku më pas e la në mes dhe pas tij e mori Naim Frashëri që ishte pedagogu im. Ishte një rol kryesor, doli mirë, dhe ishte një nga tre diplomat e nderit të dorëzuar nga ministri i Arsimit së asaj kohe. Timo Flloko, Minella Borova dhe unë.  Kjo shfaqje ishte trampolinë e jetës. Isha ende pa e marrë diplomën kur vjen Viktor Gjika dhe më merr për tek filmi “I teti në bronz”. Viktori guxoi, guxoi shumë me ne të rinjtë duke na dhënë role kryesore. Ky ishte një fat i madh për mua, kur sapo ke dalë nga bankat e shkollës, të jesh partner me kolosët e mëdhenj të aktrimit shqiptar si Sandër Prosin, Kadri Roshin, Pandi Raidhin, të cilët më vonë i mora në filmat e mi. Në atë kohë kam qenë 24 vjeç. Nuk e besova se do të më merrte Viktori. Ai kërkonte shumë dhe bënte ndryshime. Kur më kërkoi shkova në mënyrë sportive si gjithë të rinjtë, por edhe me mendimin se nuk ka për të më marrë si komisar. Kam bërë një kinoprovë me një indiferencë të madhe, dhe aty kishte qenë suksesi. Më ka ndihmuar indiferenca dhe  thjeshtësia. Pra, në këtë kohë erdhi gjenerata jonë ku flamurin e mbante Rikard Ljarja. Mbas Rikardit vjen Timo, unë, Bujari. Erdhi grupi ynë, ku në kinemanë e brezit tjetër, që po vinte në Shqipëri do merrnim pjesë dhe ne. Edhe  regjisorët donin të tregonin veten me figura të reja. Interpretimet tona vinin më afër kinemasë. Është dhe kinemaja franceze apo italiane që hynte në konceptet tona që ka ndikuar tek ne, pasi mundoheshim ta ndiqnim, të fitonim, ta komentonim.

Po kinemaja ruse?

Kinemaja ruse ishte e përparuar  në gjuhën e filmit dhe mbetet një nga kinematë e suksesshme. Kinemaja shqiptare e pati atë arritje, sepse u shartua kinemaja ruse, italiane, franceze që solli një mënyrë dhe frymë të re, tjetër të kinemasë. Të gjitha këto lanë shenjat e tyre në koshiencën tonë dhe kjo pasqyrohej tek ne.

 

VLERËSIMI

“Ne i dhamë shoqërisë atë që s’e  kishte pasur, i kemi dhënë art”

“Publiku ashtu më thërret, njëherë me njërin dhe njëherë me tjetrin, Ibrahim Kovaçin dhe Nebi Surrelin. Ta kesh bërë një rol para gati 50 vitesh dhe të ketë përsëri komunikim, figura, karakteri është një sukses. Kjo është edhe një sukses për kinematë shqiptare dhe kjo nuk është slogan, por është e vërtetë. Të marrësh akoma edhe pas kaq vitesh mesazhe mendoj se është diçka e çmuar. Ne i dhamë shoqërisë shqiptare atë që nuk e kishte pasur, i kemi dhënë art. Kinemaja është arti i shumicës, i përjetësisë. Dhe në këtë pikë unë ndjehem krenar. Filmi i dobët eliminohet vetë. E eliminon koha. Filmi i mirë reziston”.

 

BIOGRAFIA

Rrugëtimi profesional

Regjisor, aktor, “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh” edhe profesor

Aktor - Filmat

- I teti në bronz,

- Malet me blerim mbuluar

- Guximtarët

- Rrugicat që kërkonin diell

- Pranvera s’erdhi vetëm,

- Rrethimi i vogël

- Unë e dua Erën

- Viktimat e Tivarit

- Lule të kuqe, lule të zeza

- Në kërkim të kujt.

Regjisor - Filma artistikë

- Korrierët

- Plumba perandorit

- I paharruari

- Një telegram, një këngë

- Të shoh në sy

- Fletë të bardha

- Lule të kuqe, lule të zeza.

Producent

- Lule të kuqe, lule të zeza

- Ditët e fundit të Loro Shestanit

- Pharmakon

- Përcjellja

- Ndrek Luca

- Rrugët 2016

- Koha e pelikules.

Filma dokumentarë

- Tefta Tashko

- Marie Kraja

- Pandi Raidhi

- Korça, katër mëngjese

- Berati

- Avni Rustemi

- Gju më gju

- Lasgush Poradeci

- Komani një betejë

- Shqiptari i vonuar

- Rrugët

- Arqile Boti (Bibla dhe Kurani)

- Ftesë nga Iliri

- Përcjellja

- Të fala Ndrekë Luca,

- Shkronjat e Pavarësisë

- Rrugët 2016

- Koha e pelikules (Xhanfise Keko)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: