Kur kampionët goditen rëndë shpirtërisht! Shaban Uka: Nuk gjej arsye, të shpjegoj këtë katastrofë

Kur kampionët goditen rëndë shpirtërisht! Shaban Uka: Nuk gjej arsye, të shpjegoj këtë katastrofë
Të shuash traditën sportive, sikur ajo të mos kishte ekzistuar asnjë ditë, ta çmontosh historinë në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, të hedhësh “në kosh” kampionët e vërtetë të këtij vendi, kjo nuk ndodh kudo, por ndodh fatkeqësisht në Shqipëri! Shaban Uka, ikona e volejbollit shqiptar, i cili me brezin e tij të artë në ekipet e meshkujve dhe të femrave të volejbollit ndërthur historinë me lavdinë e sportit shqiptar, nuk arrin dot të gjejë asnjë arsye logjike pse na duhej kjo katastrofë.

“Shteti është kthyer në pengesë për zhvillimin e sportit, pasi as nuk e financon dhe as nuk ka krijuar kuadrin ligjor që ekipet t’i kalojnë sektorit privat. Fakti që në këto vite, shteti shqiptar nuk ka hartuar një strategji për sportin, do të thotë se nuk e ka në vëmendje.” – nënvizon Shaban Uka.

Godina e klubit “Dinamos” që u ngrit para viteve ’90, strehoi kampionë të vërtetë, në sporte masive si futbolli, volejbolli, basketbolli, por edhe në sporte individuale. Prej pak kohësh, kjo godinë nuk ekziston më.  Si të mos mjaftonte  prishja pa arsye e asaj godine, nuk u mendua as për të ndërtuar një klub tjetër më të suksesshëm dhe as një muze për të “strehuar” kampionë të vërtetë, me të cilët Shqipëria edhe pse një vend i izoluar krenohej dikur. Duhej të paktën një muze, për t’iu treguar sot të rinjve se, edhe Shqipëria dikur ka pasur vërtet kampionë, në gjurmët e të cilëve duhet ecur, sepse për të gjetur një model në karrierë, ata nuk kanë pse kërkojnë dikur tjetër gjetkë. Shaban Uka, para pak ditësh, gjen papritur në tregun e sendeve të përdorura, portretin e tij në shitje, ashtu siç gjendeshin edhe portretet e disa ikonave të klubit “Dinamo”. Ishin hedhur në rrugë ai, Ela Tase, Moza Ibrahimi, Lulezime Duka, Kiço Lena etj, pas prishjes së godinës së klubit. Ç’duhej të bënte, përveç se u detyrua të blinte portretin e tij. Nëse tradita u shkatërrua me qëllim për të formuar një model tjetër suksesi, çështja që shtrohet dhe që duhet të shqetësojë çdo dashamirës sporti, është e thjeshtë: Cili është ky model suksesi dhe ku jemi sot?! Dikur të tretët apo të katërtët në Europë, sot nuk arrijmë të konkurrojmë as me një ekip të rajonit.

“Jo vetëm që nuk rivalizojmë, por jemi dukshëm inferiorë,” – thekson Uka, në një intervistë për “Albanian Free Press”, ku shpreh dukshëm e natyrshëm zhgënjimin e tij të madh. “Shteti është kthyer në pengesë për zhvillimin e sportit”, - konstaton ai, ndër të tjera.

Intervistoi: Aranit Muraçi

Si një prej volejbollistëve më të mëdhenj të Dinamos dhe Shqipërisë, duhet t’ju ketë shqetësuar jo pak prishja e godinës së klubit ...

Natyrisht që po. Jo vetëm që më ka shqetësuar, por ka qenë një goditje e rëndë shpirtërore, sepse në atë klub, unë dhe të tjerë, u rritëm e u formuam si volejbollistë me Dinamon e madhe, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe në Europë.

Çfarë simbolizon emri “Dinamo” për sportin shqiptar e veçanërisht volejbollin, për të gjithë ata që nuk e dinë historinë e këtij klubi?

Dinamo ka qenë shkolla e volejbollit shqiptar, si për meshkuj ashtu edhe për femra. Sukseset e saj kanë qenë jo vetëm në Shqipëri, ku është ekipi me më shumë tituj kampion, por edhe jashtë kufijve. Mjafton të kujtojmë se ekipi i meshkujve ka arritur të jetë në katërshen e Kupës së Kampionëve, pra mes më të mirëve të Europës, ndërsa çdo vit rivalizonte si i barabartë me të gjitha ekipet. Nga ana tjetër, ekipi i femrave arriti i treti në Europë. Gjithashtu, në sukseset që kanë arritur ekipet kombëtare, si medalja e arit në Lojërat e Mesdheut, shtylla kryesore kanë qenë lojtarët e Dinamos. Janë arritur rezultate që sot duken të paimagjinueshme.

Shaban Uka dhe  ish- sportistë të tjerë të volejbollit: si Mimoza Ibrahimi, Vangjel Koja, Ela Tase, Ilir Cirinaku e Lulezime Duka

Në komunizëm, volejbolli u ngrit në një sport masiv. Sot nuk duket i tillë, por ky fenomen nuk ka lidhje me sistemin besoj, përderisa vendet e zhvilluara si Italia, Rusia dhe SHBA e kanë tepër të zhvilluar këtë sport, sikurse edhe vendet fqinje si Serbia dhe Greqia?

Po është e vërtetë, por nuk ishte meritë e komunizmit. Thjesht ai shtet zgjodhi ta mbështeste sportin, megjithëse me investime shumë minimale, dhe arriti të korrë suksese. Sot asgjë nuk e ndalon shtetin shqiptar ta mbështesë sportin dhe volejbollin në veçanti, por siç është parë, e kanë lënë në harresë. Madje mund të them se sot shteti është kthyer në pengesë për zhvillimin e sportit, pasi as nuk e financon vetë dhe as nuk ka krijuar kuadrin ligjor që ekipet t’i kalojnë plotësisht sektorit privat. Fakti që në gjithë këto vite, shteti shqiptar nuk ka hartuar një strategji për sportin, do të thotë se nuk e ka në vëmendje.

Shaban Uka dhe Ela Tase, momenti i dekorimit nga ish-presidenti Bamir Topi, "Mjeshtër i Madh"

Godina e rrëzuar pak javë më parë, ose godina që u bë "streha" dhe ishta shkolla për kampionë ende të papërsëritshëm në të gjitha disiplinat sportive  

Në godinën ku ishte Dinamo, do të ngrihet selia e re e FSHF-së, ndërkohë që aty përreth po ndërtohen edhe pallate. Përse duhej prishur selia e Dinamos?

Unë nuk jam kundër ndërtimit të zyrave të FSHF-së, pasi si çdo institucion duhet të ketë mjediset e saj. Por nuk e kam kuptuar, përse duhej prishur një kompleks sportiv për të bërë zyra. Dinamo ishte klub i kompletuar, si çdo klub europian. Mjafton të përmend se, përveç fushave sportive kishte mjediset akomoduese për lojtarët që vinin nga rrethet, mensën, kishte palestrat e forcës, muzeun edhe sallën e konferencave. Në këtë kuadër ishte një shembull që duhej ndjekur nga klubet e tjera, por që fatkeqësisht u shemb. Nuk arrij të gjej asnjë arsye logjike, pse duhej bërë kjo katastrofë. Pse duhet të shkatërrojmë traditën?

Pasioni nuk ndalet, Shaban Uka edhe sot përgatit e trajnon privatisht vajzat e reja të volejbollit, në kryeqytet  

Para viteve ’90, kishte shumë hapësira apo fusha për stërvitje nga të rinjtë. Sot, ato janë zënë, madje po prishen edhe simbolet e suksesit të sportit tonë. Pse?

Kjo ka lidhje me atë që thashë më lart, pra me prishjen e traditës. Unë nuk arrij t’i jap një përgjigje, pasi siç është parë me rezultate në gjithë këto vite, volejbolli ka shënuar regres. Nga ana tjetër, dua të them që janë ndërtuar shumë palestra brenda shkollave, por këto nuk jepen në përdorim siç ndodh në Malin e Zi, Serbi, Greqi apo në Maqedoni, ku edhe kam trajnuar dikur dhe e njoh realitetin. Në rastin më të mirë jepen në mënyrë selektive dhe jo transparente. Mjafton të them se, unë personalisht kam krijuar një shoqatë sportive për të stërvitur fëmijët në volejboll dhe prej afro një viti nuk gjej dot palestër. Pra, dëshira ekziston si nga ana e të rinjve ashtu edhe nga profesionistët, por mbështetja mungon.

Pak ditë më parë, gjetët në një trotuar një foto tuajën dhe të disa ish-sportistëve të tjerë të Dinamos, në shitje me disa rroba të vjetra. Çfarë ndjesie ju krijoi ai moment?

Problemi qëndron se, ato foto duhet të ishin në muzeun e klubit Dinamo. Ato janë hedhur nga persona të papërgjegjshëm dhe gjysma e të keqes që kanë përfunduar në tregun e sendeve të përdorura, sepse mund të ishin edhe në kosh! Por fotot nuk janë problemi kryesor, pasi duhet thënë se kanë humbur kupat që Dinamo ka fituar në gjysmë shekulli histori, procesverbalet, dokumentacioni i gjithë ekipeve. Kjo është akoma më e rëndë. Pra, është shuar historia në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. Ky fakt nuk më ka shqetësuar vetëm mua, por të gjithë bashkëkohësit e mi, që kanë dhënë gjithçka për sportin shqiptar. Ndërtesa mund të prishet, por jo të zhduket dokumentacioni i një klubi me suksese në arenën ndërkombëtare që nuk janë arritur më. Në 20 vite karrierë me Dinamon, kam fituar 13 kampionate kombëtare, 10 Kupa Republike dhe 2 Spartakiada Kombëtare, por jo vetëm që nuk kam asnjë nga këto kupa, por as nuk e di ku kanë përfunduar.

Shaban Uka dhe ekipi i volejbollit para klubit Dinamo, gjatë viteve të lavdishme   

A mendoni se i ka akoma kampionët e dikurshëm sporti shqiptar, apo po jeton me nostalgjinë e dikurshme?

Patjetër që sporti shqiptar ka edhe sot kampionë, të cilët sukseset e tyre i kanë arritur falë punës personale dhe jo mbështetjes së strukturave shtetërore. Por problemi qëndron se ata nuk promovohen. Për ta kujtohemi vetëm kur marrin medalje apo më keq akoma, pasi ndahen nga jeta. Por siç dëshmon rasti i shembjes së Dinamos, ka një tentativë për të na aneksuar sikur nuk kemi ekzistuar ndonjëherë. Kjo sigurisht nuk do të arrihet, pasi kemi mbetur në kujtesën e shqiptarëve në çdo cep të vendit, por pyetja që shtrojë është se, cilat modele po u ofrohen sot të rinjve shqiptarë, nëse këto nuk janë sukseset në sport e në art?!

Keni njohuri nëse vendet e tjera të rajonit, a i kanë ruajtur vlerat e dikurshme të sportit e veçanërisht të volejbollit?

Po, sigurisht që i kanë ruajtur e madje kanë bërë progres. Për shembull, kombëtaren e Turqisë e kemi mundur vazhdimisht në vitet 1977, 1978, ashtu si edhe ekipet turke. Sot jo vetëm që nuk rivalizojmë, por jemi dukshëm inferiorë. E njëjta gjë edhe me hungarezët e Çepelit, të cilët i kemi eliminuar nga Kupa e Kampionëve në 1989, ndërsa para dy vjetësh ekipi ynë kampion humbi ndaj këtij ekipi pa rivalizuar asnjë moment. Dua të them se, ekipe si Mladosti i Zagrebit, Panathinaikosi i Greqisë, CSKA e Sofies, Vojvodina e Serbisë me të cilat Dinamo e meshkujve është ndeshur përgjatë viteve, sot vazhdojnë të ekzistojnë e janë të suksesshme në vendet e tyre, ndërsa Dinamo është shuar.

Vojo Malo, Shaban Uka, Suzana Karagjozi, Leonard Tase, trajneri Vangjel Koja, Ela Tase, Kreshnik Tartari, Mimoza Ibrahimi, Adrian Doci, emra legjendarë që kërkuan ringritjen e Dinamos, por fjalët e tyre ranë të veshë të shurdhët e sot volejbolli e sporti shqiptar kanë edhe arsye që lëngojnë...

Pamje si në teatër, Ela Tase, Jorgjeta Qirici e Emona Gripshi në ditët e lavdishme, ekip legjendar dhe i papërsëritshëm i Dinamos së femrave para ‘90

Vangjel Koja dhe Kreshnik Tartari, arkitektët e Dianamos, që bënë epokë me ekipet e volejbollit, e krijuan lavdi

Shpërndajeni me miqtë tuaj: