Kupa, gjykimi nën kërcënimin e klubeve

Kupa, gjykimi nën kërcënimin e klubeve
Sot luhen 4 ndeshjet e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, me Laçin në pritje të biletës në Gjirokastër dhe me Skënderbeun e Kukësin, më pranë gjysmëfinaleve. Partizani-Flamurtari është ndeshja e vetme ende e hapur, me të dyja ekipet që pretendojnë ta mbyllin sezonin me trofe  

Aranit Muraçi

Partizani luan sot gati tërë sezonin në 90 minuta, ndaj Flamurtarit. Eliminimi i mundshëm në kupë, duke qenë se trofeu është shpallur objektiv kryesor i të kuqve, mund të jetë “vula” e një dështimi total për të kuqtë kryeqytetas. Në mungesë të trajnerit, Sulejman Starova, i pezulluar nga disiplina, ndihmësi i tij, Klevis Dalipi, i cili do të drejtojë kryeqytetasit në takimin e kthimit të Kupës së Shqipërisë, me synimin për të prerë një biletë në gjysmëfinale,  u bëri thirrje publike gjyqtarëve, që të kenë kujdes nga “gabimet humane”, term që ai e përdori për të shprehur indinjatën nga njëanshmëria e së shkuarës në gjykim.

“Gjyqtarët duhet të kenë kujdes mbi gabimet humane, që kanë bërë gjatë javëve të fundit, sidomos në Vlorë, në anulimin e golit të Prognit”, -  theksoi Dalipi. “Goli jashtë fushe do të na jepte avantazhe të mëdha për kualifikimin, për specifikën që ka kupa. Megjithatë, shpresojmë që gabime të tilla të mos përsëriten më.”

Dalipi nuk konfirmoi, nëse sulmuesi Edgar Çani do të rikthehet sot pas dëmtimit, në një ndeshje kaq të rëndësishme, por shprehu besim se ndryshe nga takimi i fundit të kampionatit me Laçin, sulmi do të gjejë golin e shumëdëshiruar.

“E rëndësishme është të mos pësojmë, sepse në një rast të tillë, kualifikimi do të jetë shumë i vështirë. Kam besim se sulmi këtë radhë, do ta gjejë golin,” – theksoi Dalipi.

Por përballë Flamurtarit, Partizani duhet të sfidojë statistikat që nuk i vijnë aspak në favor. Tre ndeshje gjatë këtij sezoni, dy në kampionat, janë mbyllur me fitoren e Flamurtarit, me të njëjtin rezultat 1-0. Vlonjatët e drejtuar nga Shpëtim Duro, ndonëse vijnë pas humbjes 1-0 me Skënderbeun në Korçë, ndodhen tri pikë para ndjekësve më të afërt, Kukësi, Kamza e Laçi dhe 54 pikë para kryeqytetasve. Shpëtim Duro, ish-trajner i Partizanit, realizimin e objektivit kryesor që është Europa, e sheh edhe si mundësi përmes pozicionit aktual që mban aktualisht në Superiore. Flamurtari, si fitoret edhe humbjet, i ka me një rezultat minimal, çka do të thotë se një rezultat i tillë sot ndaj Partizanit, do ta ndihmojë për kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Plot 15 fitues të këtij kompeticioni, Partizani që kur e ngriti kupën për herë të fundit, në sezonin 2003–2004, nuk njeh më asnjë trofe, duke zhgënjyer tifozët e shumtë. Flamurtari, 4 herë fitues i kupës, për herë të fundit në sezonin 2013-’14, pretendon se ka një skuadër të denjë për ta fituar sërish këtë trofe.

Gjykimi në “gijotinë”

Edhe Tirana shprehu pakënaqësi nga gjykimi i javëve të fundit. Kapiteni, Erando Karabeci, ngriti  shqetësimin mbi gjykimin para ndeshjes me Kukësin.

“Sigurisht kur je në fushë dhe sheh të bëhet një padrejtësi, të vjen natyrshëm reagimi. Por ne nuk duhet të merremi me gjykimin. Të shpresojmë të jetë i drejtë.”

Kukësi, pas humbjes me Kamzën 0-1, fajësoi gjyqtarin, Enea Jorgji, i cili u konsiderua fajtor në humbjen e Skënderbeut. Në javën e parafundit të sezonit të kaluar, i njëjti gjyqtar u shpall fajtor nga Skënderbeu, në ndeshjen ndaj Kukësit, që përcaktoi fatet e titullit kampion.

 

Teuta sot në Korçë pa Karimi-n, “nxehet” Skënderbeu

Reza Karimi i huazuar nga Skënderbeu te Teuta, për të luajtur rregullisht, është larguar nga kampi durrsak një ditë para ndeshjes së kupës mes dy ekipeve. Mesfushori me tipare sulmuese, shihej edhe si përforcim i bujshëm i Teutës, në përpjekje për të siguruar mbijetesën. Pas largimit të trajnerit, Stavri Nica, Gentjan Begeja debuton sot në Korçë, ku për kualifikimin i duhet të përmbysë humbjen e kaluar 2-0, ndaj Skënderbeut. Por më tepër se një biletë në gjysmëfinale, Teutës i duhet të mendojë për mbijetesën, aq më tepër që kjo e gjen në Shkodër, në përballjen direkte të mbijetesës me Vllazninë.

Kukësi e pret me dëborë, Tirana kërkon mrekullinë

Tirana, fituese në fuqi e kupës, kërkon sërish mrekullinë. Ndonëse në një kategori më poshtë, Tirana konsiderohet një skuadër e fortë, pasi kryeson bindshëm grupin e saj dhe është në udhë të mbarë drejt Superiores. Përballë Kukësit në “Zeqir Ymeri”, bardhebluve iu duhet të shënojnë patjetër, ngaqë barazimi pa gola i nxjerr jashtë kompeticionit. Ze Maria dhe të besuarit e tij, shprehen optimistë. Nga ana tjetër, Kukësi e sheh kupën si shpëtim për të shmangur dështimin. Trajneri, Peter Pacult, pas humbjes në shtëpi me Kamzën, mbylli dje përgatitjet nën reshjet e dëborës, me synimin kualifikimin në gjysmëfinale të kupës.

 

Kupa e Shqipërisë

Ndeshjet e kthimit çerekfinale (sot)

17:00 Partizani – Flamurtari          (0-1)

14:00 Kukësi-Tirana                         (1-1)

17:00 Skënderbeu-Teuta              (0-2)

14:00 Luftëtari-Laçi                          (0-3)

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: