Kombëtarja, dilemat e Panucci-t mes zhgënjimit dhe “tradhtisë”

Kombëtarja, dilemat e Panucci-t mes zhgënjimit dhe “tradhtisë”
Mesfushori i Grasshoppers në Zvicër, Gjelbrim Taipi, ish-lojtar i U-21 të Shqipërisë, për “Albanian Free Press”: E mirëpres një ftesë nga stafi kuqezi, e di që 50 futbollistë nuk ftohen menjëherë ..., por kur ikin futbollistët dhe pranojnë ekipet e tjera kombëtare, i quajnë “tradhtarë”

Aranit Muraçi

Christian Panucci gjendet para disa prej vendimeve më të rëndësishme, që pritet të marrë brenda këtij muaji si trajner i Kombëtares sonë. Cilët lojtarë do të largohen dhe cilët do të afrohen si risi në Kombëtaren shqiptare, para ndeshjes së parë miqësore të vitit 2018, ndaj Norvegjisë? Përveç atij që konsiderohet “boshti kuqezi”, i cili përbëhet kryesisht nga lojtarë që luajnë në Itali dhe ai i ndjek më mirë, pjesa tjetër e përbërë nga rreth 40 lojtarë, është ajo që shton dilemat e Panucci-t. Cilët prej tyre do t’i shtohen “boshtit” që nuk lëviz ndoshta as në formacionin bazë: Berisha-Hysaj-Ajeti-Mavraj-Xhaka-Roshi-Grezda-Sadiku.

Kandidatët kuqezi  

Gjelbrim Taipi, kur ishte pjesë e Kombëtares U-21

Ata që presin për herë të parë një ftesë nga Panucci, janë të shumtë. Si ata që janë aktualisht më të dalluarit e U-21, ata që kanë qenë, apo të tjerë lojtarë me origjinë shqiptarë që duhen zbuluar. Ashtu sikurse vetë futbollistët janë të ndërgjegjshëm se, jo për të gjithë ka vend, duke qenë se numri është i limituar në rreth 25 futbollistë. Gjelbrim Taipi, mesfushori 25-vjeçar shqiptar me origjinë nga Lugina e Preshevës, u bë gjatë janarit pjesë e ekipit të Grasshoppers në Zvicër, pas një sezoni pozitiv që kaloi me St. Gallen. Ai ka qenë më herët pjesë e U-21 të Shqipërisë. Mësohet se për të ka shfaqur interes edhe përfaqësuesja e Kosovës, sikurse Serbia i bëri ofertë para se Taipi të zgjidhte ekipin Shpresa të Shqipërisë. Lidhur me të ardhmen që e pret, Gjelbrim Taipi konfirmoi ekskluzivisht për “Albanian Free Press” se, mirëpret një ftesë nga Shqipëria.

“Nuk kam asgjë me nxitim. Deri këtu kam ardhur pa ndihmën e asnjë kombëtareje, kështu që nëse më vjen ftesa e Shqipërisë, do ta mirëprisja. Ashtu si çdo futbollist tjetër që e dëshiron të jetë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, edhe unë e kam një dëshirë të tillë. Por për t’u bërë pjesë, e di se nuk mund të grumbullohen 50 futbollistë menjëherë. Çdo gjë kërkon kohën e vet”, – thotë mesfushori i Grasshoppers.

Zhgënjim apo “tradhti”

Milot Rashica, një nga 5 blerjet më të shtrenjta të Bundesligës, gjatë janarit

Tifozët kuqezi zhgënjehen shpesh, kur mësojnë se një futbollist me origjinë shqiptare largohet për një ekip tjetër përfaqësues. Stafi kuqezi dhe veçanërisht trajneri Panucci, sigurisht nuk e kanë të lehtë të përzgjedhin lojtarët e duhur, por që zhgënjimi të jetë sa më i vogël, përpjekjet duhet të jenë maksimale.

“Nëse më jepet mundësia, e pranoj menjëherë, sepse kam qenë pjesë e Kombëtares U-21 dhe pak a shumë e kam përjetuar ndjenjën e përfaqësimit me fanellën kuqezi,” – thekson më tej mesfushori Taipi. Në Zvicër te Sion, aktivizohen disa lojtarë të Kombëtares si Emir Lenjani e Burim Kukeli, ashtu sikurse me Basel edhe Taulant Xhaka, apo dëshira e madhe e Panucci-t, Albian Ajeti, që është në dilemë për shkak të përfaqësimit dhe ofertës së Zvicrës. Gjelbrim Taipi thotë se ka disa futbollistë shqiptarë me potencial në Zvicër, të cilët kërkojnë më shumë vëmendje.

“Personalisht kudo, me çdo ekip, jap maksimumin. Sukseset ndoshta vonojnë, por s’mungojnë. Ka shumë futbollistë në Superligën zvicerane, që kanë shumë potencial, por duhet të ketë më shumë interes (nga stafi kuqezi) që të vijnë e të na shohin, sepse kur ikin futbollistët dhe pranojnë ekipet e tjera kombëtare, i quajnë ‘tradhtarë’”, përfundon Taipi idenë e tij për “Albanian Free Press”.

 

Vëllezërit kundërshtarë Taulant e Granit Xhaka, ndeshja Zvicër-Shqipëri

Kur “tradhtia” interpretohet sipas rastit

Enea Mihaj mbronte ngjyrat kuq e zi, duke qenë pjesë e U-21, ndërsa deklaroi largimin te ekipi përfaqësues grek pak kohë më parë. Pjesë e ekipit grek të Panteloikosi, Mihaj nuk do të grumbullohet më tej me U-21 të Shqipërisë. Ai nuk është i vetmi futbollist me origjinë shqiptare që largohet, për të mbrojtur ngjyrat e një vendi tjetër. Adnan Januzaj, Sotir Nini, Shkodran Mustafi, Valon Behrami, janë emra të njohur që i dëshironte Shqipëria, para se të zgjidhnin një ekip tjetër përfaqësues. Rasti i Mihaj ngjan me atë të Mërgim Brahimit, i cili ishte pjesë e U-21 të Shqipërisë, por u largua te Zvicra. Ka pasur edhe raste specifike si Elvis Kabashi, Milot Rashica, Sajmir Ujkani, të cilët në shenjë pakënaqësie, pasi kanë kërkuar të luajnë titullar në ekipin A, ose për arsye mos-grumbullimi, janë larguar me dëshirën e tyre nga Shqipëria. Por edhe rasti i Enis Bardhit që luan me Maqedoninë, i lojtarëve më të mirë të Zvicrës, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, janë interpretuar në mënyrë të ndryshme.

Prag-revolucioni kuqezi 2018/ Risitë dhe pikëpyetjet e mëdha të Panucci-t

Christian Panucci në miqësoren e parë të këtij viti ndaj Norvegjisë, ndeshje që do të luhet më 26 mars në “Elbasan Arena”, mësohet se ka projektuar ndryshime të mëdha në ekipin kombëtar. Pasi i ka vëzhguar dhe është konsultuar me trajnerët e ekipeve përfaqësuese, U-21 dhe U-19, Bushi e Bogdani, trajneri italian i ka idetë thuajse të qarta mbi të rinjtë që duhet t’i bashkohen ekipit të tij. Megjithatë, gjatë muajit të fundit, para se të shpallë listën, dilemat e Panucci-t janë të shumta. Disa lojtarë të cilët kanë qenë më herët pjesë e Kombëtares, kanë ndryshuar skuadër, disa nuk luajnë rregullisht me ekipet e tyre dhe disa të ashtuquajtur “senatorë”, janë drejt mbylljes së karrierës me ekipin përfaqësues. Mbi objektivin që i ka vënë vetes, kualifikimin e Shqipërisë në “Euro 2020”, por më kryesorja, siç edhe e ka bërë të qartë presidenti i rizgjedhur, Armand Duka, përgatitja e një ekipi që do të mundësojë kualifikimin historik të kuqezinjve në finalet e Botërorit, Katar 2022, po ringrihet Kombëtarja shqiptare e së ardhmes. Ekipi do të ringrihet mbi atë që konsiderohet “boshti kuqezi”. Mbi risitë e mundshme, pjesa më e madhe e tyre janë aktualisht pjesë e U-21, çka do të thotë se presin një ftesë edhe në të ardhmen. “Revolucioni” që pritet të ndodhë në mars, parashikon largime e afrime mes shumë kandidatëve.

Edon Zhegrova, kandidat kryesor kuqezi

Risitë e mundshme

Edon Zhegrova (Genk), Shkëlqim Demhasaj (Luzern), Endri Çekiçi (Dinamo Zagreb), Kejdi Bare (Atletico Madrid), Fiorin Durmishaj (Panionios), Qazim Laçi (Ajacio), Rey Manaj (Granada), Kristal Abazaj (Luftëtari)

Pikëpyetjet e mëdha

Jahmir Hyka (San Jose), Naser Aliji (Virtus Entela), Gjelbrim Taipi (St Gallen), Armando Vajushi (Avellino), Migjen Basha (Bari), Andi Lila (Pas Giannina), Kamer Qaka (Lasi), Bekim Balaj (Akhmat Grozni), Valon Ahmedi (Maribor), Hysen Memolla (Hajduk Split), Ivan Balliu (Metz), Emir Lenjani (Sion), Burim Kukeli (Sion), Ansi Agolli (Qarabag), Ylber Ramadani (Vejle), Ergys Kaçe (Panathinaikos), Sokol Cikalleshi (Osmanlıspor), Azdren Llullaku (Virtus Entella), Albi Alla (Kukësi), Liridon Latifi (Puskas), Orges Shehi (Skënderbeu), Sabien Lilaj (Skënderbeu)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: