Kiço Mustaqi: Shkolla e Bashkuar nuk sulmoi, por u sulmua

Kiço Mustaqi: Shkolla e Bashkuar nuk sulmoi, por u sulmua
RRËFEN ISH-MINISTRI I MBROJTJES: Provokimi apo sulmi ndaj saj ishte i organizuar dhe kishte për qëllim që forcat e saj të dilnin në rrugë e të gjakosnin popullin. E pastaj të thuhej “ja ç’bën ushtria e Enverit, vret popullin....

Teksa sivjet u shënuan plot 27 vjet nga rrëzimi i përmendores së ish-diktatorit Enver Hoxha, kur më 20 shkurt 1991, dhjetëra mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, ngjarje të tjera e pasuan atë. Pikërisht rreth tyre e vazhdon rrëfimin e tij për “Albanian Free Press”, Kiço Mustaqi, duke folur këtë herë posaçërisht për Shkollën e Bashkuar. Në fakt sipas tij, duhet të themi më mirë” shkollat ushtarake të Tiranës”, pasi atje ishin edhe Akademia Ushtarake e Shkolla “Skënderbej”. Sipas tij, Shkolla e Bashkuar nuk sulmoi dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë “grusht shteti”, siç edhe është aluduar rreth saj gjatë këtyre viteve. Porse ndaj saj u organizua një provokim. “Ndoshta vetëm një shkrepëse ... dhe konfrontimi i palëve do të realizohej me “sukses të plotë”. Por kjo nuk ndodhi”, tregon ai...

(Vijon nga numri i kaluar)

 Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 Z. Mustaqi, si rrodhën ngjarjet e shkurtit 1991 në Shkollën e Bashkuar, ku së bashku ishin edhe Akademia Ushtarake e Shkolla “Skënderbej”?

Përmendorja e Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit ishte rrëzuar, por asgjë nuk kishte përfunduar. Jo vetëm në Shkollën e Bashkuara të Oficerëve, por dhe në segmente të tjera, gjakrat ishin ndezur ethshëm. Vendosja e një busti në miniaturë, që do të zëvendësonte përmendoren e derdhur në 8 ton bronz special, dukej se do të rivendoste nderin e humbur. Dhe ndërsa disa qindra studentë ushtarakë të armatosur ishin të gatshëm ta bënin këtë, edhe forcat jashtë territorit të Shkollës bënin një presion të madh. Ndoshta vetëm një shkrepëse ... dhe konfrontimi i palëve do të realizohej me “sukses të plotë”. Por kjo nuk ndodhi. Është e nevojshme të themi që në fillim se flitet për ngjarjet e Shkollës së Bashkuar, por atje ishin edhe Akademia Ushtarake e Shkolla “Skënder-bej”. Pra, tre shkolla. Kështu që më e drejtë është ta quajmë: “Ngjarja në shkollat ushtarake të Tiranës”.

Është përfolur se në këtë rast kishim të bënim me një “grusht shteti”...

Gjithashtu, jam pyetur për grushtin e shtetit të shkollës, ndërsa dua të bëj të ditur se “grusht shteti” quhet ajo goditje, e cila e rrëzon pushtetin dhe merr në dorë drejtimin e tij. Pra, ne e kishim pushtetin dhe nuk kishim asnjë arsye që të rrëzonim vetveten. Në qoftë se këtë ankesë do ta kishte Ramiz Alia dhe qeveria e Adil Çarçanit, do të ishte ashtu siç pyesni ju dhe siç e ka pagëzuar PD-ja dhe Sali Berisha. Por e vërteta qëndron krejt ndryshe.

Janë thënë shumë në fakt për këtë shkollë...

Po. Midis të tjerave, edhe se ajo po përgatitej për sulm për rivendosjen e përmendores në qendër të Tiranës dhe vendosjen e qetësisë. Por, për mendimin tim, Shkolla e Bashkuar, nuk sulmoi, por u sulmua. U sulmua nga forca regresive që drejtoheshin nga Partia Demokratike. Ndaj kësaj shkolle filluan provokimet. Provokimi apo sulmi ndaj saj ishte i organizuar dhe kishte për qëllim që forcat e saj të dilnin në rrugë e të gjakosnin popullin. E pastaj të thuhej “ja ç’bën ushtria e Enverit, vret popullin”. Midis Shkollës së Bashkuar dhe turmës u vendos policia, pra ajo e kishte kontaktin me njerëzit. Para kësaj ngjarje ishte krijuar një bërthamë, në krye të së cilës ishte një pedagog shumë i mirë i Akademisë dhe disa pedagogë të Shkollës së Bashkuar. Meqenëse Ramiz Alia dhe udhëheqja kishin shprehur keqardhjen për rrëzimin e përmendores, Shkolla e Bashkuar mori përsipër të vendosej shtatorja në qendër të Tiranës. “Po qe nevoja e mbrojmë ne dhe kush të dojë, le të vijë dhe ta rrëzojë”, thoshin ata. Më 21 shkurt më telefonoi drejtori i Televizionit e më tha se kishin shkuar dy studentë të Shkollës së Bashkuar me një peticion dhe donin të transmetohej teksti, siç e kishin shkruar. Madje e kishin kërcënuar, “ose transmetojeni kështu siç është, ose do ta marrim ne televizionin e do ta transmetojmë vetë” . Unë iu përgjigja se nuk kishte gjë të keqe të transmetohej, përderisa çdo natë transmetoheshin dhjetëra peticione nga shoqata me dy-tre anëtarë, megjithatë, i thashë, “unë nuk jam kompetent, se urdhrat i marr nga lart, nga shoku Ramiz”. “Sa për televizionin, - shtova, - mos ki frikë, nuk merret me forcë, pasi ai drejtohet nga Komiteti Qendror dhe shoku Ramiz”. Pas pak më merr në telefon Vaskë Çifliku, sekretari i Ramiz Alisë e më thotë të njëjtat gjëra. “Ti urdhrat i merr nga shoku Ramiz”. “Po, - i thashë, - e di këtë dhe s’kam dhënë urdhër të veçantë”. Pastaj, shtova se, “ajo që duan të bëjnë studentët e Shkollës së Bashkuar është gjë e mirë, meqë juve ju ka ardhur keq që u rrëzua përmendorja, ata duan ta venë prapë në vend. Pra, ngrihen për atë që ju qan zemra”. Përfundimisht, peticioni nuk u transmetua nga Radio-Televizioni. U botua, pa pikën që fliste për rivendosjen e shtatores. Vetëm në gazetën “Zëri i Popullit”, më 22 shkurt 1991 u botua kjo pikë e peticionit.

 

21 Shkurt 1991

Takimi në Shkollën e Bashkuar, pretendimi: “Dëgjuam krisma...”

“Në mbrëmjen e po asaj date, në Shkollën e Bashkuar po zhvillohej një takim me pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve, një përfaqësuesi nga Ministria e Mbrojtjes, (më duket Shefi i Shtabit), Neritan Ceka nga Partia Demokratike dhe të tjerë. Ndërsa po vazhdonte takimi, u dëgjuan krisma. Ata të PD-së, thanë “e ndërpresim diskutimin, sepse shkolla hap zjarr dhe në kushte lufte nuk mund të diskutojmë”. U ngjitën të gjithë në tarracë dhe panë se të shtënat vinin nga jashtë, ku u plagos edhe një oficer i Shkollës së Bashkuar. Pasi u bindën se shkolla nuk kishte hapur zjarr, ata u kthyen dhe mbledhja vazhdoi. Shkolla ndërkaq, ishte nën komandë dhe ndodhej e pozicionuar. Në Shkollën e Bashkuar kishte pedagogë e studentë, (ndonjë edhe në Akademi), që ishin kompromentuar nga PD-ja. Ishin togat e zbulimit, të prapavijës, që përbrenda shkollës ishin rrezik, sepse kisha frikë që po të ndodhte ndonjë situatë brenda saj, mund të shkaktohej vëllavrasje. Në të vërtetë, kur u rrethua Shkolla e Bashkuar nga njerëz provokatorë, këta ishin të parët që u ngritën kundër rrugaçëve që donin të sulmonin shkollën. Togat e zbulimit e të prapavijës që ishin më të komprometuarat, u bënë më luftaraket, pse ata konsideruan se u shkel nderi i ushtarakut”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: