JO HISTERI SHTAZARAKE – OPINION NGA EDISON YPI

JO HISTERI SHTAZARAKE – OPINION NGA EDISON YPI
Nga Edison Ypi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kur pas shembjes së diktaturës, burgjet politike u zbrazën, nuk do habitej askush nëse të shumëvuajturit e sapo çliruar nga zinxhirët, të hakmerreshin ndaj atyre që u kishin nxirë jetën me sfurqe e biçakë. Nuk ndodhi. Të sfiliturit padrejtësisht nuk shfaqën asnjë vullnet, asnjë dëshirë, asnjë zell për masakër apo për çfarëdolloj hakmarrje ndaj tmerreve që kishin vuajtur. Ndaj persekutorëve që u morën jetën, - shumica e të cilëve ishin gjallë, dihej cilët ishin, njiheshin me emër, - nuk bënë asgjë, as gishtin nuk lëvizën. E kishin në dorë ta bënin, por nuk e bënë, as mendja u vajti. I dënuan me moskonsiderim, me përbuzje. Zgjedhja e sjelljes prej njerëzish të arsyeshëm dhe jo prej shtazësh, mos shfaqja e asnjë meskiniteti materialist apo histerie kolektive e të persekutuarve të diktaturës, ishte një sprovë madhore qytetarie, një shembull i lartë respekti dhe tolerance, por më së shumti dëshmi e një vizioni patriotik atdhetar. Ishte ky, i pari shembull, dhe deri më tash i vetmi i tillë në krejt Historinë tonë. Të persekutuarit tanë, kjo sjellje kaq e lartë, i rrethon me aureolë shenjtorësh dhe i ngjit në majën më të lartë të Olimpit të njerzillëkut.

Sot pas tridhjetë vitesh, se nga kanë dalë ca lugetër që kërcënojnë të bëjnë hatanë. Shejtanbudallenjtë burracakë materialistë, pa asnjë lidhje me idealizmin e të sipërpërmendurve të persekutuar, pa asnjë vetëpërmbajtje, pa asnjë arsye dhe asnjë logjikë, flasin e bërtasin ditë e natë për peshq të mëdhenj, që duhen zënë me rrjeta e me grepa e duhen vrarë me dinamit, të korruptuar dhe keqbërës që duhen varur për gjuhe e kalbur nëpër burgje, e të tjera e të tjera.

Tejet domethënëse distanca kolosale mes sjelljes humane tolerante e të shumëvuajturve të diktaturës, që nuk tentuan asnjë hakmarrje, ndaj histerisë shtazarake të shqiptarëve të sotëm që ngrefosen gjoja në emër të drejtësisë, por në mendje kanë interesa të ngushta, pa asnjë thelb idealistik dhe mezi presin të bëjnë, vetë ata, dallavere korruptive.

Peshqit e të gjitha përmasave që bëjnë kërdinë, derrat si hipopotama që gëlltisin miliona, gjarpërinjtë e helmët që pickojnë për vdekje, skilet e shkathëta korruptive, arinjtë që hanë kosheret e mjaltit, vetë i zgjodhën, vetë i votuan, vetë i duartrokitën, vetë i vunë në krye. Tani, pse i ka kapur zekthi ngrehalucët tanë histerikë ?!

Tabloja me anatemues që flasin e bërtasin për shitje deti dhe falje territoresh, dhe pazare nga më të ndryshmet, viktima të pritshme që pritet t’i vari për llape Ligji, është krejt e pahijshme, është e turpshme, është shkatërruese.

Absurdi i tashëm hakërryes vetëshkatërrues, asociohet vetvetiu me momente nga më problematiket të historisë tonë të kaluar dhe të sotme.

Me shqiptarët gjaknxehtë të papërmbajtur që historikisht janë kacafytur për vdekje me njëri-tjetrin për hiçgjë, si gladiatorë me vendin e tyre arenë, për të zbavitur platenë ulëritëse.

Me Shqipërinë që për shkak të paqëndrueshmërisë së brendshme, luftës së klaneve, grindjeve mes vedi, vazhdimisht e vazhdimisht është zvogëluar e zvogëluar, derisa ka mbetur kaq sa është; gosti qesharake e pandërprerë me këngë e valle, mbi sofër veç një thelë.

Me shqiptarët që pas çdo budallallëku vetëshkatërrues, janë pakësuar e pakësuar progresivisht, dhe sot më të shumtët ndodhen jashtë kufijve në disa shtete, ose hallakatur nëpër botë.

Me faktin që ngatërresat e brendshme kanë qenë dhe janë arsyeja kryesore për shkak të së cilës gjithmonë dhe për gjithçka të fundit kemi qenë dhe të fundit jemi.

Me turmat haxhiqamiliste dhe klithmat e tyre të frikshme.

Me gjyqet e kurdisura pas lufte, kundër patriotëve dhe intelektualëve, shoqëruar nga thirrjet "Tradhtarët në litar".

Me sulmet e zellshme të skëterrshme të turmave me kazma në sup, për të shkatërruar kisha e xhamia mes ulërimave.

Me aprovimin sa të neveritshëm dhe kriminal të burgosjes, pushkatimit, varjes së priftërinjve dhe hoxhallarëve.

Me poshtërimin që gjatë diktaturës komuniste, turma u bënte rregullisht të gjithë individëve me mendim alternativ, nga rastet madhore me internime dhe burgosje, tek pështymat që nxënësit e shkollave u hidhnin në fytyrë moshatarëve të tyre, për gjoja shkelje morali apo shkarje disiplinore.

Me paqëndrueshmërinë nervoze kolektive që historikisht në momentet më kyçe, në rrethanat më kritike, gjithmonë na ka karakterizuar.

Me faktin se, gjithmonë ka qenë instinkti dhe kurrë arsyeja që na ka udhëhequr.

Me kolektivizimin idiotesk të pareve nëpër skema mashtruese financiare, me shpresën e marrë për t’i shumëfishuar.

Me armatosjen e të gjithëve kundër të gjithëve, për të shkatërruar gjithçka me themel.

Me demonin shqiptaresk që gjithë kohën fle, dhe zgjohet në momente si këto që po kalojmë.

Drejtësia e reformuar, me rregulla, procedura, ligje, asistencë të huaj, e di vetë si do veprojë.

Histeria shtazarake me britma dhe ulërima të çdo lloj forme për dënime sa më të rënda, është vetëshkatërruese.

Po vazhduam të veprojmë me histeri shtazarake, pra me yxhym, instinkt, kërcënime, peshq, burgje, vetëm të zeza do kemi përpara, kurrë nuk do gjejmë mirëkuptim dhe paqe!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: