FORUM/ “Galeri e Arteve të Bukura”? Piktorët pro dhe kundër emrit të ri

FORUM/ “Galeri e Arteve të Bukura”? Piktorët pro dhe kundër emrit të ri
A duhet t’i ndërrohet emri Galerisë Kombëtare të Arteve, në Galeri të Arteve të Bukura? Flasin për “Albanian Free Press”, piktorët Skënder Kamberi, “Artist i Popullit”; Rakip Shabani, “Artist i Merituar”; Aleksandër Dragoti, Robert Përmeti, Edmond Kojani, Erieta Koliqi, Arben Shira dhe Helidon Haliti

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Një projektligj i ri i qeverisë, publikuar ditët e fundit mbi Galerinë Kombëtare të Arteve, përmes të cilit ky institucion merr emërtimin e ri Galeri e Arteve të Bukura, ka filluar të krijojë edhe debatet e para mes qarqeve të artistëve në vend, se a është e nevojshme një gjë e tillë. Kujtojmë se Galeria Kombëtare e Arteve, aty ku është sot, është hapur në vitin 1946. Aty ruhet madje edhe busti i parë shqiptar, i cili është ai i Skënderbeut, i punuar në vitin 1908 nga Murat Toptani. Në këtë institucion ruhen vepra arti të autorëve shqiptarë dhe të huaj, që përfshijnë një periudhë kohore, e cila fillon që nga shekulli XIII e vazhdon deri në ditët e sotme. Madje, aty ruhet edhe koleksioni Kombëtar i arteve pamore, duke filluar nga gjysma dytë e shek. XIX e deri në ditët tona. Në total, sot në Galerinë Kombëtare të Arteve ruhen rreth 4100 vepra dhe ajo konsiderohet si një ndër institucionet kyçe të kulturës në vend. Por çfarë thonë rreth saj piktorë të njohur në vend? A janë dakord ata me ndryshimin e emrit të Galerisë? “Albanian Free Press” intervistuan disa prej tyre, mes të cilëve ka zëra pro dhe kundër këtij ndryshimi...

 

 “Artist i Popullit”

SKËNDER KAMBERI:

“Luvri” në Francë qëndron ashtu, se ka një emër e një histori

Z. Kamberi, si do t’i komentonit ju ndryshimet e fundit të parashikuara në projektligjin e ri të qeverisë për Galerinë Kombëtare të Arteve?

Sot nuk duhet të merremi me ndryshim emrash, por me problemet që kemi me artin figurativ. Pra, sa po propagandohen piktorët dhe skulptorët tanë, sa vend u lëmë për t’i ballafaquar me piktorët jashtë, si duhet t’i nxisim dhe inkurajojmë ata, pasi paraqesin historinë dhe kulturën e vendit. Sot Galeria e Arteve ka një fasadë me hekura para, e cila ia ka zënë frymën dhe ia ka prishur bukurinë. Nuk e di se çfarë përfaqëson ajo masë metalike në hyrje të një galerie aq të bukur. Unë dua të them së pari që ajo Galeri duhet që të shtohet në hapësirë, kaq aq shumë vend, pra duhet të marrë përmasa të reja, se Shqipëria ka shumë piktorë me emër dhe të aftë që duhet të ekspozojnë veprat e tyre. Emrin ajo galeri e ka shumë të bukur. “Luvri” i famshëm në Francë, që kur ka lindur ka mbajtur atë emër, ndaj edhe qëndron ashtu i madh e me emër në botë. Aty ka shumë vepra që nuk janë ekspozuar, madje vepra shumë të bukura që kritika botërore i ka vlerësuar. Pra, nëse do zgjerohet Galeria, do mund të shtohen pikturat e ekspozuara, do rritet interesi i turistëve, do propagandohet arti pamor shqiptar dhe në botë do marrim vlerësime të tjera pozitive. Unë kam aty mbi 40 punë, por si unë ka me dhjetëra piktorë të tjerë, që kanë shumë vepra dhe askush nuk mund t’i shohë të ekspozuara, pasi kaq është ai vend, ajo hapësirë. Pra, ne kemi aty veprat tona, kemi punët tona dhe nuk marrim më asnjë shpërblim si të drejtë autori.

Cili është vizioni juaj për Galerinë? Si duhet të jetë ajo?

Artistët sot nuk shpërblehen.  Dua të them, se Galeria ka shumë mundësi që të kthehet një qendër të madhe turistike, e cila mund të thithë mijëra turistë brenda saj. Do vetëm pak ide dhe menaxhim koherent. Le t’i kthejmë sytë nga Europa, sesi i ka bërë galeritë e saj. Jo të shkojmë larg, por në Italinë fqinje. Në Firence, në Romë, në Venecia kanë galeri që tërheqin miliona vizitorë. Personalisht, në Komo të Italisë në kështjellën muze Komo, kam dy punë që i kanë blerë me kënaqësi dhe i kanë ekspozuar. Pra, se dinë të blejnë, pasi dinë të reklamojnë. Ndërsa tek ne, piktorët kanë ngelur të varfër shumë, si piktorët e shquar holandeze të shekullit të XVI që i shisnin pikturat për bukën e gojës. Pra, këto duhet të shihen, jo të shikohet ndërrimi i emrave.  Artisti i mirë duhet të vlerësohet, se piktorë si Sali Shijaku apo Nestor Jonuzi e shumë të tjerë paraardhës  nuk po vlerësohen dhe pse veprat e tyre janë në galeritë më të bukura të botës.

Cila është gjendja e Galerisë sipas jush sot?

Galeria sot është lënë në vitin që e ndërtoi Enver Hoxha. Funksioni i saj nuk është zmadhuar, madje është zvogëluar, pasi me ato që janë vendosur para saj, ajo nuk duket nga bulevardi, i ka ikur ai shkëlqim. Ndoshta kanë dashur të imitojnë Luvrin, që ka një si piramidë trekëndëshe në hyrje, por ajo është e vogël, e konceptuar dhe është në funksion të galerisë, pasi të intrigon. Por ajo që është vendosur tek ne është e shëmtuar dhe pa ide funksionale në shërbim të galerisë. Nëse ajo do zmadhohet, do përzgjidhen veprat, do restaurohen veprat e vjetra, do seleksionohen në gjithësinë e tyre, do ekspozohen ahere vlera e saj do jetë e shumëfishtë. Pra, këto janë problemet e artit figurativ sot, këto janë ato që duhet të na shqetësojnë, pasi po të ridimensionohet Galeria, nis do marrë paraqitje bashkëkohore, ajo do bëhet burim të ardhurash. Zgjerimi, afrimi i veprave të bukura të viteve të fundit, reklamimi i gjithanshëm i vlerave që mbart janë detyra imediate që do t’ia rrisin vlerën kësaj galerie, që e kemi pasur aq të bukur dhe në zemër të Tiranës . Me këto ndryshime, ajo do jetë e denjë të konkurrojë galeritë më të mira të rajonit dhe do i bëjë paraqitjen më dinjitoze identitetit të kombit shqiptar. Emrin ajo galeri e ka, të bukur madje. Le ta fisnikërojmë më tej atë, nga brenda dhe jashtë, që të ndriçojë në çdo aspekt.

 

“Artist i Merituar”

RAKIP SHABANI:

Galeria është e piktorëve dhe e skulptorëve, duhen pyetur ata

Z. Shabani, cili është mendimi juaj lidhur me propozimin për ndryshimin e emrit të Galerisë Kombëtare të Arteve?

Kjo galeri është e arteve figurative, ka një përcaktim të qartë. Nuk mund të kemi art të bukur dhe art të shëmtuar. Art të shëmtuar nuk ka, ka vetëm art të bukur, ndaj quhet art.  Mund të ndërrohet emri, por emri i saj është lidhur pazgjidhshmërisht me pasurinë e saj, me pikturat dhe skulpturat që ka. Ndoshta, ky ndryshim do të bëhet pasi Galeria mendohet se lidhet me artin socialist. Për mendimin tim, aty nuk ka piktura të kësaj natyre me këtë përcaktim. Arti socialist është një shtojcë që nuk merret në konsideratë, pasi nuk ka ndjenjë socialiste, pasi arti është ndjenjë. Ashtu siç nuk ka ndjenjë kapitaliste. Ndjenja është individuale.  Në të vërtetë, në atë galeri është arti i realizmit shqiptar. Aty është historia e kombit tonë. Kur vijnë të huajt në Shqipëri, vetëm Galerinë e Arteve duan të vizitojnë. Ajo është galeria e piktorëve dhe skulptorëve shqiptarë. Aty ka një histori të kombit, që nga piktorët e parë shqiptarë, si David Selenica  dhe deri tek piktorët më të rinj. Për mendimin tim, galeria të mos jetë si sallë ekspozitash, por të jetë si galeri për vizitorë që të njihen me pikturën shqiptare. Ajo është pronë e artistëve shqiptarë që kanë dhuruar mendjen e tyre, shpirtin e tyre për të paraqitur botën e bukur të artit shqiptar tek vizitorët. Unë aty kam 24 vepra, por ka të tjerë kanë më shumë dhe besoj janë në mendimin tim që ajo të jetë me historinë dhe emrin që ka. Pronarë të Galerisë janë artistët shqiptarë, që kanë dhuruar punimet më të bukura të jetës së tyre për të pasuruar artin shqiptar në sytë e të huajve. Veprat tona aty janë flasin me ngjyrat, me penelin e hollë mjeshtëror të artistëve tanë ndaj duhet të pyeten, por edhe të ruhet tradita. Galeria është një muze me shumë vlerë e artit pamor shqiptar, që ka fituar emrin e tij. E bukur është dhe një femër edhe një lule, por nuk është përcjellë në art, është fizikisht aty në rrugë.

Cila është sipas jush, vlera e vërtetë që përcjell ky institucion?

E rëndësishme se ne me këtë galeri kemi fituar identitetin e kombit tonë, madje e kemi përcjellë me shumë forcë tek të huajt që e pëlqejnë dhe e propagandojnë këtë art. Madje, duhet ta ruajmë dhe ta pasurojmë atë, por me këtë emër. Nga ana tjetër, kemi në mes të Tiranës, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që ka një emër të bukur, por nuk ka asnjë bust të dëshmorëve, asnjë portret figurativ të tillë. Kot e ka marrë këtë emër, kur ka me dhjetëra buste, monumente, statuja të autorëve shqiptarë, që rrinë të fshehura në galeri? Në galeri, është identiteti i kombit, identiteti historisë, ndaj rrugët, parqet, lulishtet duhen të mbushen me statuja dhe me buste të heronjve dhe dëshmorëve tanë.

 

ALEKSANDËR DRAGOTI:

Galeria e Arteve në Tiranë, mund të ndërtohet  tjetër me emrin e ri

Për ju z. Dragoti, si ju duket propozimi për ta ndryshuar emrin e Galerisë Kombëtare të Arteve?

Jetojmë në një kohë ndryshimesh të mëdha. Jetojmë në një situatë, kur në Shqipëri mendohet se gjithçka fillon tek unë, tek ty, tek ai. Por e vërteta nuk është kështu sidomos në art, në pikturë. Vera, piktura dhe skulptura, sa më të vjetra të jenë aq më të vlerësuara dhe të shikuara bëhen. Në këtë këndvështrim, mendoj se Galeria e Arteve në Tiranë ka historinë e vet, ka emrin e vet, ka pozicionin e vet që duhen breza të tillë ta mbajnë mend riemërtimin. Aty gjenden piktura të piktorëve më të shquar shqiptarë në breza. Pikturat janë një pjesë e historisë së një kombi, ose pjesa më origjinale dhe e pakontestueshme e historisë, ndërgjegjes së tij kombëtare. Në aspektin terminologjik, piktura është një shprehje internacionale, që nënkupton vizatim, ose paraqitje e një motivi të caktuar në sipërfaqe të sheshtë. Piktura është edhe degë, ose disiplinë e artit figurativ, e cila në disa shkolla të mesme dhe fakultete studiohet me vite. Motivet pikturale mund të jenë të llojllojshme, nga bota e florës dhe e faunës, portretet, peizazhet, etj. Stilet e pikturimit janë të ndryshme, p.sh: realizmi, surrealizmi, hiper-realizmi,  ekspresionizmi,  post-ekspresionizmi,  pointilizmi, romantizmi, kubizmi,  abstraksionizmi etj. Kjo s’do të thotë që pikturat e kryera në sistemin socialist janë të gjitha të politizuara, ideologjizuara. Absolutisht jo. Piktura në radhë të parë është një frymëzim dhe ideim individual, që më vonë bëhet pjesë e ndërgjegjies shoqërore.

Pra, cili është mendimi juaj konkret rreth këtij debati?

Ndaj mendoj se në kaq vite, shqiptarët janë mësuar me GKA-në dhe një ndryshim i emrit do t’i humbte historinë, kujtimet, ngjarjet që ka përjetuar. Piktura dhe skulptura janë tërësia e aftësive të njeriut që na jep të gjithëve kënaqësi shpirtërore dhe intelektuale, pasi ajo ka 3 tiparet dalluese të së bukurës që janë masa, drejtpeshimi dhe harmonia. Që një send apo dukuri të jetë i/e bukur, duhet të përmbushë disa tipare, të cilat të gjitha pikturat dhe skulpturat që janë brenda GKA i kanë. Ndaj jam i mendimit që GKA të qëndrojë si një trashëgimi e pasur kulturore me emrin origjinal dhe diku tjetër le të ngrihet Galeria e Arteve të Bukura. Kështu e bëjmë Tiranën më të bukur, por dhe artit shqiptar i japim rëndësinë dhe vlerën e duhur në sytë e botës së qytetëruar.

EDMOND KOJANI:

Vendosja e emrit Galeria e Arteve të Bukura është e drejtë

Për mendimin tim, ndryshimi i emrit me emrin Galeria e Arteve të Bukura është i drejtë, për disa arsye.

Kjo referuar dhe krahasuar  konceptit të artit dhe atij të arteve të bukura. Historikisht, ka një evoluim të konceptit të artit, nga Greqia e lashtë dhe Mesjetë që shihej si aftësi për të bërë një objekt sipas rregullave të caktuara. Në Rilindje kemi ndarje të artistëve nga shkencëtarët e artizanët. Botohet në vitin 1746 libri “Artet e bukura” nga Charles Batteux, ku përfshin në arte pikturën, skulpturën, muzikën, poezinë, krijimtarinë letrare, vallen. E përbashkëta e tyre, imitimi i natyrës për të krijuar objekte të bukura. Në fund të vitit 1700 kemi krizën midis të bukurës dhe artit, lindi fotografia, zhvillim i arkitekturës industriale, etj, që duheshin futur në konceptin e artit. Në vitin 1900,  çdo përcaktim i artit futej në art. Lëvizjet moderniste ndryshuan mënyrat dhe qëllimin e artit. Si rrjedhojë, arte të bukura janë çdo formë arti me qëllime estetike dhe konceptualisht, e ndarë nga funksioni utilitar. Kështu, që emri Galeri Kombëtare e Arteve  ndryshuar me Galeria e Arteve të Bukura është i saktë.

 

ERIETA KOLIQI, GAJTANI:

Galeri e Arteve të Bukura, emri është bashkëkohor

“Nuk më duket ide e keqe. Gjithsesi, ajo Galeri e Arteve të Bukura është edhe kombëtare, është e tillë dhe po mos titullohet ashtu. Pastaj ajo përveçse kombëtare, ka ekspozuar edhe piktura të autorëve të huaj, jo vetëm në ekspozita të ndryshme. Pra, nuk do ishte keq dhe ta ndërronin, se emrin që ka pasur, e ka trashëguar nga sistemi i kaluar”.

 

ROBERT PËRMETI:

 Duhet të mbetet Galeria Kombëtare e Arteve

 “As që e mendoj të ndryshojë. Duhet të mbetet "GALERIA KOMBËTARE E ARTEVE". Ky është emri që kur u krijua dhe tentativat për t’i ndryshuar emrin, do të sjellin shumë shpejt vjedhje të tjera të veprave. Emri nuk duhet të ndërrohet për faktin kryesor: Të gjitha veprat që përbëjnë fondin, janë blerë me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe duhet të mbeten pronë e shtetit”.

 

ARBEN SHIRA:

 Emri Artet e Bukura nuk shkon është terminologji më shumë latine

“Mendoj se ka ardhur koha që ajo të jetë Muzeu i Artit Shqiptar, ku të përfshihet gjithë arti sipas shekujve dhe hapësirës kombëtare edhe arti i huaj. Ku drejtori të mos jetë politik, as piktor, por historian arti. Ose ajo të mbetet muzeu i realizmit socialist dhe të ndërtohet një muze arti i madh. Veç kësaj, duhet një fakultet i historisë së artit që s’e kemi pasi dikush do të bëjë studimin e vlerave të pikturës. Për gjuhën shqipe, emri Artet e Bukura nuk shkon, është terminologji më shumë latine është më afër shqipes Galeria e Arteve. Kjo në respekt edhe të atyre që e ndërtuan, paçka ç’ishte diktatura”.

 

HELIDON HALITI:

Duhen ndryshime në artin pamor shqiptar

“Jam i bindur që zhvillimet nuk mund të ndalohen. Duhen ndryshime në interes të komunitetit dhe të artit pamor shqiptar, që po vlerësohet në botë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: