FMN: Jo Partneritet Publik-Privat për të ndërtuar rrugët

FMN: Jo Partneritet Publik-Privat për të ndërtuar rrugët
Ndërtimi i rrugëve përmes koncesioneve, nuk është aspak rruga e duhur për to. Por duhen gjetur mënyra të tjera më efikase për t’i realizuar të tilla projekte. Dhe jo mënyra e Partneritetit Publik-Privat që ka zgjedhur Shqipëria kohët e fundit. Sidomos për vende me një nivel të lartë të borxhit publik, siç është ajo. Një fakt i tillë konfirmohet nga vetë ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët nuk e shohin aspak këtë mënyrë si efikase për të përmirësuar infrastrukturën rrugore jo vetëm në Shqipëri, por në tërësi në rajonin ku ajo bën pjesë. Kështu, në raportin “Infrastruktura publike në Ballkanin Perëndimor: Një rrugë për të ardhura më të larta”, thuhet qartë se financimi për rrugët do të jetë i nevojshëm, si nga burimet vendore dhe ato të huaja. “Një plan i mirë për planifikimin dhe zbatimin e projekteve të invers-timeve publike është gjithashtu një domosdoshmëri”, thotë ky raport. Për të detajuar më tej konkretisht, se një nga rrugët kryesore si mund të gjenden paratë për rrugët, është “Investimi në investime”. Duke nënkuptuar me këtë invers-timet me paratë e buxhetit të shtetit për ndërtimin e rrugëve dhe krijimin e kushteve për të thithur financime nga donatorët. “E rëndësishme është që projektet e infrastrukturës të mos bien viktimë e politizimit”, argumentojnë ekspertët e FMN-së. Për të shtuar një mënyrë tjetër, e cila sipas tyre është edhe ajo që shumë rrjete të infrastrukturës rrugore të jenë rajonale, pra të shtrihen përtej kufijve të tyre dhe të mos jenë vetëm lokale. “Koordinimi më i mirë rajonal i projekteve të investimeve do të jetë thelbësor”, cilësojnë ata lidhur me një fakt të tillë. Duke theksuar gjithashtu edhe se qeveritë duhet të synojnë mbledhjen e sa më shumë parave nga taksat, në mënyrë që kështu të sigurojnë sa më shumë fonde për të ndërtuar rrugët. “Ato mund të krijojnë hapësira të mëtejshme për manovrim duke zgjeruar bazën e tyre tatimore”, pohon gjithashtu raporti i FMN-së. Gjithashtu, sipas këtij institucioni të rëndësishëm financiar ndërkombëtar, arritja e BE-së në nivelet e infrastru-kturës është e vështirë, pasi investimet publike kërkojnë burime të mjaftueshme buxhetore dhe korniza të forta ins-titucionale që rregullojnë përzgjedhjen, ekzekutimin dhe monitorimin e projekteve. “Këto dy kushte kryesisht mun-gojnë në Ballkanin Perëndimor. Shumica e vendeve në rajon tashmë kanë nivele të larta të borxhit publik dhe disa gjitha-shtu kanë deficite të larta buxhetore. Vështirësia e përgjimit të tregjeve ndërkombëtare të kapitalit kufizon likuiditetin. Menaxhimi i investimeve publike është gjithashtu i dobët”, paraqesin kritikat e tyre ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

 

ALTERNATIVA

“Duhet të thithen sa më shumë financime nga jashtë Ballkanit”

 Për të ndërtuar rrugët, vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, duhet që të gjejnë sa më shumë financime nga vendet e tjera. “Financimi i jashtëm duhet të luajë një rol më të madh në zhvillimin e infrastru-kturës publike në Ballkanin Perëndimor, duke lënë hapësirë që burimet e brendshme financiare t’u shërbejnë nevojave të sektorit privat. Donatorët zyrtarë, financimi shumëpalësh dhe dypalësh në kushte koncesionare do të duhet të luajë një rol dominues”, cilëson raporti i fundit i FMN-së. Duke e drejtuar një apel të tillë veçanërisht për vendet me borxh të lartë publik, ku këtu përfshihet edhe Shqipëria, pasi kanë qenë vetë ekspertët e FMN-së që e kanë kritikuar vazhdimisht atë për nivelin e lartë të këtij treguesi makro-ekonomik.

APELI

“Vendet nuk duhet të rrezikojnë stabilitetin e tyre të përgjithshëm makroekonomik nga projektet infrastrukturore publike të ekzagjeruara ose të dobëta”, është një tjetër apel që Fondi Monetar Ndërkombëtar i drejton Shqipërisë dhe në tërësi vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

SITUATA

Shqipëria, me rrugët ende “copë-copë”

Sipas vlerësimit që bën Fondi Monetar Ndërkombëtar, vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia) kanë rrjete të pazhvilluara të rrjetit të transportit. Por në të njëjtën kohë të energjisë e telekomunikacionit, krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian (BE). Duke shtuar se niveli i të ardhurave drejt niveleve të BE-së është ngadalësuar ndjeshëm në këtë rajon, që nga kriza globale financiare. “Zhvillimi ekonomik i rajonit po ecën ngadalë. Nëse vendet do të mbyllin hendekun në standardet e jetesës me BE-në, ata do të duhet të gjejnë një mënyrë për të riaktivizuar rritjen ekonomike. Ndërsa infra-truktura publike e munguar e rajonit, përbën një pengesë e madhe për një rritje më të lartë ekonomike”, cilëson FMN-ja. Duke shtuar se “rrjetet më të mira të transportit, energjisë dhe telekomunikacionit do t’i ndihmonin vendet e Ballkanit Perëndimor të rrisnin produktivitetin, të integrohen më thellë në tregtinë globale dhe të përmirësonin atraktivitetin e rajonit për investimet e huaja”, cilëson FMN-ja. Duke përfunduar me faktin se një përmirësim i infrastrukturës publike të koordinuar rajonale, së bashku me menaxhimin më të mirë të projekteve aktuale, mund të rriste ndjeshëm të ardhurat për frymë. “Fitimi afatgjatë i Prodhimit të Brendshëm Bruto real për person mund të ishte deri në 3-4%”, vlerëson FMN.

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: