Fatos Klosi: Izet Haxhia burracak, historia e tij ka marrë fund

Fatos Klosi: Izet Haxhia burracak, historia e tij ka marrë fund
INTERVISTA/ Flet me “Albanian Free Press”, ish-kreu i SHIK-ut, Fatos Klosi: Pse reforma në drejtësi nuk do të ketë ngjyrime politike

Reforma në Drejtësi, marrëveshja e Shqipërisë me Greqinë dhe qëndrimi i Presidentit për negociatat mes tyre; ndalimi i hyrjes së ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; si edhe ekstradimi i Izet Haxhisë janë temat më të nxehta të politikës shqiptare... Rreth këtyre çështjeve, zhvilluam  ekskluzivisht për “Albanian Free Press” këtë intervistë me z. Fatos Klosi, ish-drejtues i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK). Duke u ndalur posaçërisht në çështjen e Izet Haxhisë, Klosi thotë se “kjo çështje  është mbyllur” dhe shton se “ai më shumë flet broçkulla sesa fakte”. “Shumë gjëra që ai mendon se janë fakte, i sjell tani dhe jo në kohën e duhur. Historia e tij ka marrë fund, pasi është treguar burracak, i friguar dhe pa ekuilibër në momentet e duhura”, - vlerëson më tej Klosi...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Z. Klosi, reforma në drejtësi sipas shumë specialistëve dhe organizmave ndërkombëtare ka filluar të ecë në shina. Besoni se nuk do të ketë pengesa në vazhdimin me sukses të saj?

Unë besoj, siç kisha besuar, se reforma do të gjejë kohën dhe vendin e saj për të hyrë në shinat e duhura. Tashmë besoj akoma më shumë se me këtë fillim të mbarë, ajo do të ecë e sigurt në rrugën e saj të drejtë. Me ndihmën e madhe të organizmave ndërkombëtarë, me deklarimet e tyre unë besoj në një sukses dhe vazhdim të suksesshëm të saj, pavarësisht të ndonjë presioni të pabazë.

Opozita nga ana e saj, thotë se reforma drejtohet nga pozita dhe bën seleksionim e ndarje në goditjen ndaj korrupsionit. Por edhe se reforma në drejtësi është e kapur. Mendimi juaj rreth kësaj?

Reformën nuk po e bën as e majta, as e djathta, as pozita dhe as opozita. Këtë reformë kaq shumë të mirëpritur nga populli shqiptar po e bën Amerika dhe Bashkimi Evropian. Ata janë nxitësit, përkrahësit dhe nismëtarët e kësaj reforme kaq të shumëpritur dhe të domosdoshme. Kush thotë se kjo reformë është e kapur, gënjen veten, ose  nuk po e ndjek gjithë procesin e saj. Reforma është më kollaj, më e favorshme për ata që kanë qenë në pushtet, sesa për këta që janë tani. Nuk besoj kurrë se do të ketë ndarje, e majtë, e djathtë dhe seleksionime në favor të partisë në pushtet. Kurrë. Ndërkombëtarët kanë punuar për një proces të reformës tërësisht të pavarur, ndryshe reforma nuk mund të konceptohet. Deklarime të tilla janë zëra në shkretëtirë për të manipuluar opinionin e shoqërisë, që tashmë dhe ai është ndërgjegjësuar sesi po ecet dhe çfarë rruge po ndjek kjo reformë shpëtuese për shoqërinë shqiptare. Nëse kjo reformë do të ecë mbi baza seleksionuese, favorizuese ndaj partisë në pushtet do të ishte e pakuptimtë dhe tërësisht e gënjeshtërt. Kjo s’do të ndodhë kurrë, kurrë. Reforma në drejtësi nuk do të ketë ngjyrime politike, përkundrazi, besoj se do të jetë e kundërta, ashtu siç ka filluar.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llallës dhe familjes së tij iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vendim përmenden me emra edhe bashkëshortja, vajza, madje dhe fëmija tjetër i mitur. Vendimi u mor me firmën e Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson dhe njoftimi u shpërnda në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit. Adriatik Llalla është zyrtari i parë shqiptar që merr një vëmendje të tillë negative nga shteti amerikan. Çfarë tregon ky refuzim sipas jush?

Ky veprim tregon se Amerika është ajo që inicion, drejton dhe nxit reformën në drejtësi. Pa Amerikën, mendoj se kurrë kjo reformë nuk do të merrte rrugën e duhur. Faktikisht, Amerika dhe Bashkimi Evropian ishin formatuesit e reformës, të cilët i detyruan deputetët që të mblidheshin plot 140, e të bënin ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që kjo reformë të kryhej. Ndalmi i hyrjes së Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është sinjali më i qartë që reforma është në rrugën e drejtë dhe nuk paraqet asnjë kompromis. Ky qëndrim nuk është thjesht një mosdhënie vize, por pas saj ka probleme shumë serioze. Një gjë tashmë duket qartë që në këtë reformë SHBA-të nuk sjellin vetëm orientime, por dhe prova dhe fakte. Pra, sjell ato që kërkohen në një reformë të tillë.

Z. Klosi, ditët e fundit në shtyp po përcillet si lajm edhe ekstradimi i Izet Haxhisë, i cili ka deklaruar se do sjellë fakte të reja rreth vrasjes së Azem Hajdarit. A mendoni se do ketë zhvillime të reja?

Kjo çështje  për mendimin tim është mbyllur. Izeti me deklaratat e herëpashershme në shtyp do që të duket, do që të evidentohet, do që të jetë në qendër të vëmendjes. Por tashmë është shumë vonë. Izeti kur duhej të tregonte, kur duhej të dëshmonte, kur duhej të jepte fakte, u struk, u tremb. Izeti më shumë flet broçkulla, sesa fakte. Shumë gjëra që ai mendon se janë fakte, i sjell tani dhe jo në kohën e duhur. Ky është problemi më i madh i tij. Historia e tij ka marrë fund, pasi është treguar burracak. I friguar dhe pa ekuilibër në momentet e duhura.

Ndërkaq, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar para disa ditësh për çështjen e marrëveshjes për paktin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Meta u shpreh se po e ndjek më vëmendje këtë çështje dhe se do të veprojë vetëm sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Shqipërisë. Ai tha gjithashtu se e mirëkupton shqetësimin e qytetarëve lidhur me këtë pakt dhe se ai do të veprojë sipas Kushtetutës në kohën e duhur. Mendimi juaj për këtë qëndrim të kreut të shtetit?

Them se ai ka mbajtur një qëndrim të ekuilibruar, pasi firma e tij nuk është fare formale. Duke mos e dhënë firmën menjëherë, ai tregon se kjo firmë kërkon seriozitet, kërkon përgjegjshmëri, kërkon studim të çështjes, kërkon ndërgjegjësim në njohjen mirë të marrëveshjes. Ky qëndrim i Metës në këtë pikë mua më duket pozitiv. Me këtë qëndrim, Meta tregoi se për një marrëveshje kaq të rëndësishme, kaq delikate, kaq shumë të diskutuar duhet vepruar me shumë qetësi dhe maturi.

DEBATI

Vendimi për ekstradimin nga Turqia, ish-truproja i Berishës: Dua të dëshmoj

Ish-truproja i ish-kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia, do të ekstradohet drejt Shqipërisë. Një vendim të tillë është marrë së fundmi nga Gjykata e Lartë në Turqi dhe ndaj tij, ka reaguar edhe vetë Haxhia. “Jam i gatshëm të zbatoj vendimin e drejtësisë, sado që është i dirigjuar politikisht. Është e drejta ime që kur të kthehem, të rihap çështje për të cilat jam dënuar në mënyrë të padrejtë dhe theksoj këtu çështjen “Hajdari”, ka deklaruar ai. Duke shtuar se pret që drejtësia shqiptare, këtë herë, të tregohet e pavarur lidhur me këtë çështje. Teksa ka ripërsëritur akuzat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. “U qëndroj të gjithave çfarë kam thënë deri më sot, si për Berishën, ashtu edhe për çdo person tjetër, dhe në qoftë se drejtësia e pavarur ma krijon mundësinë të dëshmoj para saj, unë do ta bëj këtë”, ka theksuar ai. Duke risjellë në vëmendje se akuza që rëndon ndaj tij dhe për të cilën është dënuar, ka qenë se ai ka telefonuar Azem Hajdarin, e ka nxjerrë enkas nga selia e Partisë Demokratike dhe më pas, atë e kanë vrarë. Bëhet fjalë saktësisht për ngjarjen e 12 shtatorit të vitit 1998, të ndodhur vetëm pak metra larg selisë së PD-së në kryeqytet, ku mbeti i vrarë ish-deputeti i Partisë Demokratike,  Azem Hajdari.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: