FANTAZMA E KUFIJVE NË BALLKAN – OPINION NGA FRROK ÇUPI

FANTAZMA E KUFIJVE NË BALLKAN – OPINION NGA FRROK ÇUPI

Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Fjalët se kryeministrat e Ballkanit mblidhen dhe flasin si të ndajnë gadishullin, nuk janë pa gjë... As kërkesa e zëvendës kryeministrit të Austrisë për një autonomi Ballkanike, nuk janë bosh... Etj.

A po ndryshojnë kufijtë në Ballkan?

Ndryshimi i kufijve në Ballkan është si një ‘nickname’ i gadishullit. Por ndërsa ndryshimet që kanë ndodhur në shekujt para këtij, kanë ndodhur hapur dhe me buçima, kësaj here fantazma e “Ndryshimit” po lëviz fshehurazi  në rajonin tonë, madje po lëviz me një ballonë ku shkruhet: “Nuk ka ndryshim kufijsh”.

Jo vetëm politikanët vendas, por edhe politikat globale kanë përsëritur pa pushim frazën se "nuk ka ndryshim kufijsh". Politika, e pasinqertë me konsumatorët e saj, është fshehur pas paqes globale, por ndryshimin e kufijve nuk e ka ndërprerë. Ajo që ndodhi në vitin 1999 me luftën e Kosovës, dhe pastaj me pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, është pikërisht ndryshim kufijsh në Ballkan. Thirrjet e BE në samitet e fundit për krijimin e TPB ( Tregu i Përbashkët Ballkanik), në fakt përfaqësojnë një ndryshim të panatyrshëm të kufijve në kontinent. Sipas këtij projekti, Ballkani Perëndimor ndahet në mënyrë të panatyrshme ekonomikisht nga kontinenti i vjetër ku ka vendin. Hamendjet e bazuara në shumë fakte se me këtë rast krijohet "Jugosllavia e Vjetër", ku inkludohet Shqipëria, Kosova dhe ndonjë copë tjetër ballkanike, mund të rezultojnë deri diku të vërteta.

Ndarja e Ballkanit (që mund të quajmë edhe kufij të ndryshuar) ndodh nën mbikëqyrjen e Bashkimit Europian dhe të institucioneve të tjera që premtojnë se ‘nuk do të ketë ndryshim kufijsh”. Ndahen zonat e influencës të kriminelëve (p.sh. Mitrovica dhe Vlora hyjnë në zonat e rrezikshme, njëra për krim dhe tjetra për trafik droge), zonat e influencave fetare, zonat e influencave nga ISIS, zonat e  influencave ruse, etj. Megjithatë rëndom thuhet se nuk ka ndryshim kufijsh. Kamuflimi i realitetit i kapërcen qëllimet e institucioneve globale se ‘nuk ka kufij të ndryshuar’.

Tani ndodhemi në një realitet konkret:

- Qeveria e Shqipërisë po negocion një marrëveshje me Greqinë për kufijtë detarë.

- Sipas mediave të Kosovës dhe Maqedonisë, qeveritë shqiptare, maqedonase dhe kosovare, sa herë takohen diskutojnë për kufijtë e Ballkanit, d.m.th., kufijtë e shteteve të tyre duke aluduar se nesër mund të kemi kufij të rinj edhe tokësorë mes nesh.

- Po zhvillohet beteja mes popullit dhe qeverisë në Kosovë për ‘demarkacionin’, d.m.th., për kufirin. Edhe kjo bëhet si kusht perëndimor.

- Ka të dhëna se pas anulimit të prishjes së Tribunalit të Kosovës, presidenti Thaçi ka filluar aventurën e re të ndarjes së Kosovës me Serbinë. Mënyra për të shpëtuar nga dënimet mbi krimet, do të ‘detyrojë’ udhëheqësit politik shqiptar që të shesin tokat e atdheut.

- Zv. kryeministri i Austrisë ka propozuar një autonomi për Veriun e Kosovës. Pas vrasjes së Ivanoviç edhe politika e Perëndimit do ta pranonte një zgjidhje “më jep toka, të të fal koka”.

- Ish ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni ka thënë se ndarja e kufijve nuk mund të bëhet pa tragjedi. Paralajmërimi është i kobshëm. Mund të na vijë një ditë e zezë kur na duhet të përballemi me shekujt e kaluar.

Por pyetja shtrohet: Pse po ndodh ndryshimi i kufijve?

Për shkak të krimit: Qeveritë e Ballkanit kanë hyrë në krim, dhe për të larë krimin do të ndryshojnë kufijtë. Atëherë zhurma patriotike do të mbulojë zhurmën e ligjit.

Për shkak të varfërisë: Sa kohë që në gadishull ka një varfëri të lartë, qeveritë dinake të rajonit do të japin pak kufij që të marrin pak ‘zjarr’ nacionalist, ku do të mbytet uria dhe problemet e vërteta të rajonit.

Për shkak të mbajtjes së pushtetit: Qeveritë e Ballkanit, janë bërë bashkë për të mbajtur pushtetin. Ata do të bëjnë aleanca të fshehta, të zbuluara dhe të vërteta ose të pavërteta - vetëm që të mbajnë pushtetin shumë gjatë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: