Etmond Mancaku: Të jesh artist në Shqipëri, 183 këngë për 4 dollarë!

Etmond Mancaku: Të jesh artist në Shqipëri, 183 këngë për 4 dollarë!
Sa kam memorie për festivale dhe këngë në Shqipërinë e sapodalë nga izolimi, aq kam edhe për kitarën e Etmond Mancakut, Virtuoz i lindur, më pas kantautor i qindra këngëve që, pas disa sukseseve, zgjodhi t’i shprehte në skenë vetë. Etmond Mancaku, pjesë e brezit më të artë të muzikës pop-rok shqiptare, që nisi në vitet ’90, ende edhe sot, vazhdon t’i rezistojë kohës dhe ndryshimit të shijeve, falë një publiku të zgjedhur dhe me shije të Tiranës, që e ndjek me besnikëri, teksa këndon live. Është intervista e parë kaq e gjerë e Mond Mancakut. Sigurisht që u ulëm shtruar, pranë një pianoje të kuqe, në një nga mjediset tiranase ku ai performon. Sot, kantautori jep kontributin e tij në RTSH me emisione mbi nostalgjinë e muzikës, por pa ndarë jetën e tij asnjëherë nga kënga, ku edhe vajzat e tij të dashura, bëjnë pjesë.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Kur ka qenë albumi juaj i parë?

Kujtoj që ka qenë viti 1990, me grupin “Klandestin”. Ishin 6 këngë të regjistruara tek Agron Vreto e më pas një intervistë mbi të, me gazetarin e TVSH-së, Ëngjëll Ndocaj. Më pas, u nisa ushtar, atëherë ishte një  vit ushtria. Pas ushtrisë, vazhdoi karriera ime që njihet deri më sot.

Por si nisi pasioni juaj për muzikën?

Kam qenë shumë i vogël dhe fëmijë tepër i shkathët. Kanë qenë disa pjata druri të pikturuara nga Artistike Migjeni. Unë merrja dy prej tyre, i bëja bashkë dhe i përdorja me një bisht, si kitarë. Gjyshja më qortonte shpesh, sepse i shkulja një tel bakri, me të cilin ajo vinte një perde poshtë lavamanit. E përdorja si një notë “la” dhe ajo bëhej nervoze, sepse zbuloheshin gjithë enët e shtëpisë, ha ha ha. Në klasë të katërt fillore u regjistrova në kurse kitare me mësuese Diana Xhanin, te shtëpia e pionierëve në lagjen nr. 3, që sot është kishë. Kujtoj që shtëpinë e kam pasur te Medreseja, ku ka qenë një lulishte. Aty mblidheshin shumë njerëz të dashuruar pas muzikës. Ne, në ato kohë, shikoheshim si rrugeçërit, me pantallona kauboj e flokë të gjata. Këndonim “këngët e liqenit”, siç quheshin. Unë isha i fiksuar me këngën “Shtëpia ku lind dielli”, i grupit Animals. Ishte magji e madhe ajo që ndienim. Nga sjellja e mirë, më dhanë një kitarë nga shtëpia e pionierit, kitarë kineze, të cilën e mbaja një ditë e duhet ta dorëzoja të nesërmen. Kujtoj lumturinë time atë ditë. Pas një muaji, më kujtohet, ma mori policia. Erdhën në shtëpi dhe ma morën. Shpëtova se isha nxënës i mirë. Pasioni im për kitarën ishte aq i madh, sa që kam bërë edhe një budallallëk. Në fillim kur luan në kitarë, të krijohen disa kallo te gishtat. Duke menduar se ato kallo të ndihmonin të luaje më mirë, unë rrezikova shumë. Ndesha me një punëtor të komunales që po meremetonte një shtëpi dhe unë e pyes se si të bëja të forcoja kallot e gishtave. Ai me shaka më thotë të fusja gishtat tek gropa e gëlqeres, gjë që unë e bëra. Kujtoj tmerrin kur pashë gishtat pa lëkurë fare e të djegura nga gëlqerja dhe babanë që bëri namin ndaj papërgjegjshmërisë së punëtorit të shkretë. Me gishta të lidhur me fasho, përsëri luaja në kitarë, - pasion i çmendur i imi. Këtë histori ia tregoj shpesh edhe nxënësve të mi, sigurisht jo që të bëjnë si unë, por të kuptojnë se mund të bëhesh kitarist i mirë vetëm nëse ke të tillë pasion. Prindërit ndonjëherë vijnë e më thonë se, përse fëmijët e tyre fillojnë me dëshirë e më pas ngelen në vend ose e lënë fare kitarën dhe unë u shpjegoj se kitara është vegël të cilën duhet ta kesh dëshiruar shumë, që ta zotërosh.

Ju vazhduat shkollën e mesme në Politeknikum. Aty, patët probleme?

Mua më ka ndjekur që në klasë të parë, në fakt, një kleçkë në biografi për një lopë që nuk u fut në kooperativë, nga e cila vuajti i gjithë mbiemri Mancaku. Mësuesja e shkollës "Kongresi i Lushnjës", emri i madh i sportit Farie Hoti, që në ato vite ishte mësuese fizkulture, por që ishte dhe mike shtëpie, kur unë nuk u pranova aty, i tha tim ati se, unë prandaj nuk kisha fituar, nga mbiemri. Në gjimnaz vazhduan ato “rrugaçëritë” e rinisë, me të shkuarat në Dajt e nga Liqeni, duke kënduar këngë të ndaluara me kitarën time. Deri në momentin kur gjërat u ngushtuan shumë, sepse u bë një rrahje midis shkollash, në Politeknikum. Në ato vite, kam pasur dy dashuri të mëdha, kitarën dhe futbollin. Kam arritur deri tek para të rinjtë e Tiranës, kam qenë një brez me Alban Bushin, i cili më pas kaloi me të rriturit. Unë për pasion kalova me Kamzën me Shkëlqim Fanën si trajner. Aq i dashuruar kam qenë edhe me futbollin, sa që luaja me Kamzën në futboll, kur Kamza nuk ishte kjo që është sot, as në kategori të tretë nuk ishte. Kjo vazhdoi deri në vitin 1989. Kujtoj që më pas, pata edhe fatin të studioja kompozicion me Tish Dainë, pjesë jetës time, me shumë mbresa e kujtime, sepse ishte me të vërtetë një artist i madh nga i cili mësova shumë. Me humor, ai ankohej, duke u shprehur se përse atij i dërgonin këta studentët e vështirë, që nuk vinin nga Liceu Artistik. Por të bëje mësim me të, kishte aq vlerë, sa më kujtohet se bëhej “luftë” të kishe në dorë një vërtetim që kishe bërë mësim me profesor Tishin.

Ishte pragu i demokracisë, si rrodhën ngjarjet më pas?

Në vitin 1990, u ndesha me grupin “Klandestin”, të cilët ishin të formuar dhe këndonin në stilin e Bitëllsave, përzierë me stil korçar. Më pas, u shpërndanë nëpër botë, ikën refugjatë. Unë kisha një stil tjetër, si Eric Clapton ose Gary Moore. Kishte një farë konflikti artistik aty, por arritëm të regjistronim 6 këngë që janë sot në TVSH dhe morëm pjesë në Festivalin e Grupeve me këngën, “Vajzës së harruar”, që më pas u interpretua nga Redon Makashi në albumin tim të parë, ku janë edhe këngë të kënduara nga Abaz Zusi, në Festivalin RTSH-së së 1994. Ai kishte një zë të rrallë dhe unë i dhashë katër këngë tek ky album. Ndërkohë, artistë të tjerë të njohur nga një këngë, mos harrojmë që ishin emra të kohës si grupi "Ritfolk", Elton Deda, Gjergj Jorgaqi, Redon Makashi, Dashnor Diko. Jam ende krenar për atë album, sepse ishte hera e parë që një autor kompozonte këngë sipas rrymave dhe tipologjive të këngëtarëve të njohur, të gjitha në një album. Për herë të parë, unë solla në orkestracion një rrymë reggae-dance ose një lloj reggae-pop. Më pas në vitin 1997, erdhi dhe kënga “Si banania”, që mori çmim të parë me interpretim të Dashnor Dikos e pas kësaj, kënga “Vajza me minifund”, edhe ajo ju afrua shumë çmimit të parë. Nga ai vit dola si kantautor, ide të cilën e kisha me kohë, duke qenë se këndoja këngët e mia qysh në fillore. Përveç kësaj, në vitet ’90 e tutje, duhet të ishe patjetër “djali i filanit”, madje edhe për këngën “Si banania”, Dashnor Diko ishte ai që vendoste veton, unë bëja këngën, Nori i fuste në konkurrim. Që në ato vite, e pashë këtë dukuri e më pas m’u kristalizua në kokë se, që të kishe sukses, duket të ishe pjesë e diçkaje. Por mua më pëlqen se i ngjaj shumë vetes time. Nuk u bëra kurrë pjesë e kësaj “diçkaje”. Prandaj, pas suksesit të këngës “Si banania”, karriera ime vazhdoi me albume që ishin pjesë e dëshirës time për të dalë me albume, pavarësisht disa dyerve që mbylleshin. Po t’i shikosh, pjesëmarrjet e mia nëpër festivale, ishin një vit po e një vit jo. Domethënë, jo pa qëllim, unë regjistroj, në të drejtën e autorit, plot 183 materiale, 6 kolona zanore filmash, dy kolona zanore dokumentarësh, dy koncerte recitale me nga 3 orë e gjysmë. Dhe më e bukura është, ironi e fatit, që nga “Arkiva Shqip” ku regjistrova materialet përpara një viti, mora 4 dollarë, ndaj u tërhoqa. Ja, mendojeni vetë, si ndihet një artist në Shqipëri, me 183 këngë dhe 4 dollarë.

Kjo është shumë interesante dhe e trishtë! Me çfarë koeficienti matet kjo gjë?

Këto të dhëna nuk të jepen, ndaj për këtë arsye u tërhoqa, nuk ishte serioze aspak. Me humor, ju them që kam shumë videoklipe, e po bisedonim një natë me bashkëshorten që, nëse unë nuk do të kisha realizuar këto videoklipe me shpenzimet e mia, sigurisht nuk do të kishim një shtëpi me kredi.

Pra, arsyeja ekonomike ju shtyn të këndoni live?

Jo, nuk është vetëm nevojë, është edhe “gjimnastikë”. Në pamundësi për të realizuar ato koncertet e mëdha live, sepse kanë kosto marramendëse, ky aktivitet më mban gjallë. Pavarësisht kësaj, jam mjaft i kënaqur nga dy koncertet recitale që zgjatën mbi tre orë, i fundit në vitin 2014, ku morën pjesë shumë miq të mi, të cilët më respektuan me praninë e tyre dhe përfaqësues nga grupet muzikore. U trajtua si një mbrëmje miqsh, me tavolina në skenë, që të ishte mjedis sa më i ngrohtë e tepër spontan. Kam në plan një koncert të madh. Uroj të realizohet, sepse në momentin kur nuk ke ekonominë, nuk mund të kesh edhe kulturën!

Pra, ti nuk hyn tek artistët që janë pasuruar me muzikën ...

Unë thjesht po jetoj me muzikë. Më vjen mirë që jam i projektuar siç dua, pa u bërë pjesë e diçkaje, por nuk paragjykoj asnjë koleg. Për mua, fjala modë do të thotë siç e ka kuptimin, mënyrë në veshje, ushqim, muzikë. Unë kam modën time dhe ai ishulli ynë i kënaqësisë, është muzika live. Vërtet mund të kesh pak tavolina, por këtu publiku është shumë i sinqertë. Ai vjen për ty e jo për 5 mijë-lekshat që merr publiku në televizor ku t’i paraqitesh me këngën që të tjerët zgjedhin për ty. Respektoj publikun tim dhe e di se, edhe pse nuk marr çmim, këngët pëlqehen. Shpresoj shumë që kjo e drejta e autorit të zgjidhet pa vdekur unë, se me rregull është deri 70 vjet pas vdekjes. Ka disa sinjale të mira, por uroj të jenë më serioze! Një artist nuk këndon apo krijon tërë jetën. Ne, sigurisht, nuk mund të jemi një treg si SHBA-ja, por të paktën artisti të ketë disa të ardhura mujore nga të drejtat e prodhimeve të veta, që ta lejojnë të bëjë një videoklip për shembull. Jo të shkojmë ne t’u kërkojmë shokëve e miqve të na i bëjnë gjërat pa pará ose me pak pará, sepse ashtu mundemi.

Nuk ju ka prishur punë, që jeni kaq krenar?

Këtë temperament kam dhe e pranoj; po, kjo më ka prishur punë, duke qenë se jam më tepër krenar nga sa duhet. Nuk kam pranuar të jem “i tërhequr nga kapistalli”. Mendoj se kam lënë gjurmë me albumet dhe përzgjedhjet e mia. Publiku ka të drejtën të zgjedhë preferencat e tij. Ka një arsye se, përse disa këngë  si, “Alo alo” ose “Shi në Prishtinë” etj., na i kërkojnë kudo edhe sot, t’i këndojmë.

Dikur ne kishim kokën nga perëndimi, nga Italia. Sot jemi ballkanizuar në muzikë. Pse?

Niveli ekonomik mendoj se ka ndikuar, sepse nxit kulturën të zhvillohet. Gjithashtu, sistemi nuk i përkrahu artistët e vlerave, Tonin Tërshanën, Luan Zhegun, Liliana Kondakçiun etj., si ata.  U vuri fshesën të gjithëve. Keq mirë, pavarësisht sistemit të kaluar, ata kanë qenë kultura e kombit. Ndaj, u zhduk etaloni matës i muzikës, u kujtuan për ta shumë vonë. Këtu hyn edhe mosrespektimi i të drejtës së autorit. Kështu, muzika ra në dorë të çdo lloj njeriu, “mantanxheri” që solli në skenë këdo që i dha pará. Shkonin “mantanxherët” në Turqi, merrnin baza orkestrale të këngëve turke, ia jepte dikujt që s’kishte lidhje me muzikën. E për këto turpe, shikoje njerëz me kollare e pushtetarë në karriget e para nëpër koncerte. Por ishte edhe një gabim yni, i të gjithëve ne që bëmë muzikën e mirë të viteve ’90, sepse u tërhoqëm duke menduar se kjo dukuri nuk do të zgjaste dhe publiku do të lodhej me ta.

Më tregoni më shumë mbi familjen tuaj ...

Bashkëshortja është shkrimtare dhe ka kënduar kur ka qenë e vogël. Ne jemi njohur në një bashkëpunim teksti. Në momentin që na njohën, ajo ishte shumë kryelartë e mua më ndezi inatin. Më bëri për vete, sepse ishte mospërfillëse. E kam deri më sot mbështetësen më të mirë dhe kritiken më të madhe! Ajo nuk njeh rrugë të mesme, nëse një gjë nuk i pëlqen, ma thotë. Ka pasur raste që më ka kapur apatia, por ajo më ka shkundur. Nuk është vetëm nëna e fëmijëve të mi, por një shok i mirë.

Di që vajzat ju kanë ngjarë të dyja ... e vërtetë?

Po, dy vajzat e mia studiojnë për piano dhe të dyja kanë prirje në këngë. Vajza ime e madhe ka kënduar këngë të sajat, qysh në moshën 10 vjeç. E shpesh e mendoj që ndoshta mbiemri, pra të qenët vajza ime, e ka penalizuar në karrierën që nisi si këngëtare. Këtë e them sepse, Uendi ka marrë pjesë në disa vente, ka shkuar deri në finale dhe zëri duket. Hera-herës më vjen keq që ajo bën pjesë në këtë komunitet pak agresiv, si ai i artistëve.

Kam vetëm dëshirën dhe detyrimin që t’i shkolloj mirë. Vlerësimin për to, le ta bëjë publiku. Së fundmi ka ardhur një ofertë nga një shtëpi amerikane diskografike, e cila dëgjoi një cover të Uendit dhe e ka ftuar që ajo të regjistrojë një album aty. Por ata ndoshta vlerësuan talentin, pa menduar se sa shumë procedura e shpenzime kemi ne shqiptarët. Por shpresoj shumë që këtë album ajo ta realizojë, sepse e meriton. Ja pse unë si çdo prind, jam bërë keq shpeshherë, sepse kanë miqtë e mi që e kanë pasur në dorë ta vlerësojnë e unë edhe mund të ndërhyja. Por ndërgjegjja nuk ma lejonte! Dua t’u mundësojë shkollimin e, më pas, talenti të flasë vetë për to.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: