DEBATI NË “ALBANIAN FREE PRESS”: E ardhmja e godinës së Teatrit Kombëtar, flasin artistët

DEBATI NË “ALBANIAN FREE PRESS”: E ardhmja e godinës së Teatrit Kombëtar, flasin artistët
INTERVISTA/ Flasin për “Albanian Free Press”, artistët Xhemil Tagani, Arben Derhemi, Zamira Kita, Ilirian Ali dhe Eliona Thomaraj

Ka vazhduar edhe ditën e djeshme debati publik, mes komunitetit të aktorëve të Teatrit Kombëtar dhe Ministrisë së Kulturës. Sërish, polemika për zhvendosjen e këtij institucioni nga godina ekzistuese tek një tjetër, e cila po ndërtohet, i mblodhi edhe dje artistët, të cilët kanë kërkuar një takim me ministren Kumbaro, ditën e nesërme, në orën 16:00. Dhe njëri nga aktorët, i cili ka shprehur publikisht revoltën e tij ishte Bujar Asqeriu. Ai ka theksuar se qeveria është tallur me aktorët, duke u hedhur prej vitesh vetëm një “kockë”. Sipas Asqeriut, “artisti më i mirë merr një rrogë sa nëpunësja më e ulët e shtetit”. “Ky vend qeveriset nga hajdutë, që vjedhin edhe 100 lekëshin e dosjeve dhe stilolapsave dhe neve na hedhin një kockë dhe tallen me ne”, tha ai. Madje, ai kujtoi edhe faktin se aktori Bujar Lako u largua nga kjo botë, në kushtet e të jetuarit në një dhomë prej vetëm 50 metra katrorësh. Nga ana tjetër, dy ditë më parë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i ka kthyer përgjigje shqetësimit të artistëve lidhur me zhvendosjen e Teatrit Kombëtar, tek ndërtesa më e re, “Turbina”. Ajo sqaroi se “lëvizja do të jetë e përkohshme, deri në ndërtimin e një teatri të ri”. Njëkohësisht, ajo ka hedhur poshtë edhe zërat se në ambientet aktuale të teatrit do të ndërtohet një kullë e siguroi se nuk ka një projekt të tillë, ndaj dhe shqetësimi i artistëve sipas saj, është i panevojshëm. Ndërsa lidhur me disa ndryshime që Ministria e Kulturës i ka bërë ligjit bazë, ministrja sqaroi se drafti është në fazën fillestare dhe se gjatë javës në vijim do të ketë konsultime me grupet e interesit, pasi sipas artistëve, amendimet i japin më shumë pushtet titullarit të ministrisë, në vend që të ndodhë e kundërta. Por si do të veprohet në fakt me Teatrin Kombëtar? Është më mirë që të ndërtohet një i ri, apo të rikonstruktohet ai ekzistues? Flasin rreth kësaj çështjeje për “Albanian Free Press”, disa prej aktorëve dhe regjisorëve në vend...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

Aktor

XHEMIL TAGANI:

Në truallin e tij, të ndërtohet një teatër i përmasave evropiane

“Po e ndjek me vëmendje debatin. Ka dhe gjëra, të cilat nuk janë sqaruar. Por me dialog të sqarohen. Por në gjykimin tim jam dakord që në truallin e Teatrit Kombëtar të ndërtohet një Teatër i ri Kombëtar i përmasave europiane dhe asgjë tjetër. Pra, teatri duhet në qendër dhe jo në periferi, për shumë arsye. Madje, teatro të jenë sa më shumë në Tiranë, pasi janë vepra që ndihmojnë në evidentimin e kulturës shqiptare”.

 

Aktor

ARBEN DERHEMI:

 Vetëm tek Teatri Kombëtar, vetëm atje e kemi vendin

“Vetëm tek Teatri Kombëtar, vetëm atje e kemi vendin.

Me asnjë mënyrë nuk kërkojmë vend tjetër. Kurrë! Vetëm tek Teatri Kombëtar, vetëm atje e kemi vendin. Teatri Kombëtar dhe vetëm Teatri Kombëtar...”

 

Aktore, drejtore e Teatrit Korçë

 ZAMIRA KITA:

Rikonstruktim ose ndërtim i një teatri të ri kombëtar

“Sipas asaj që përcolli ministrja Kumbaro shënohet se do ndërtohet një teatër i ri, pra në vendin ku është (ose do rikonstruktohet). Jam plotësisht dakord me rikonstruktimin ose ndërtimin e një teatri të ri, sepse artistët krijojnë dhe nuk kanë ku të shfaqin premierat e tyre, si në dramë dhe në komedi. Ashtu siç vihet re, do fitohen dy teatro të rinj dhe kjo është në interes të të gjithë komunitetit të artistëve, pasi Tirana është një metropol evropian, me kërkesa të shumta për artin”.

 

Aktore, Regjisore

ELIONA THOMARAJ:

E gjithë bota ruan vepra historiko-artistike e vetëm i mirëmban ato

“Po zhurmohet këtë herë për të vetëvendosur mbi fenomene, ku qytetarët nuk janë dakord. Erdhi radha e Teatrit Kombëtar dhe artistët të shqetësuar reagojnë. Nuk duhet tjetërsuar në asnjë mënyrë, as forma dhe as përmbajtja e Teatrit Kombëtar. E gjithë bota ruan vepra historiko-artistike dhe vetëm i mirëmban ato. Kërkoj ndërgjegjie mbi interesat vetjake të gjithësecilit. Godina shumëfunksionale le të ndërtohen diku gjetkë. Tirana ka nevojë të unifikohet estetiko-artistikisht në të gjithë shtrirjen e saj, ku banojnë taksapaguesit e saj. Boll më në kurriz të teatrit. Mos ia prishni shtëpinë teatrit!.

 

Aktor, Vlorë

ILIRIAN ALI:

Teatri të rindërtohet apo të rikonstruktohet në qendër të Tiranës

“Në gjykimin tim, pa diskutim që duhet ndërtuar një teatër i ri dhe modern, por gjithmonë duhet ndërtuar aty ku është ekzistuesi. Aty është historia, aty është jeta e shumë artistëve për më shumë se gjysmë shekulli. Nga ana tjetër, Teatri Kombëtar të mos ngatërrohet siç është komentuar, me objekte të tjera shumëkatëshe, që në këtë kompleks ndërtesash, të konceptohet edhe teatri. Pra, teatri të rindërtohet apo të rikonstruktohet aty në qendër, ku është tani dhe të jetë me të gjithë parametrat, si të gjithë teatrot që ka bota sot. Unë këtë kam kuptuar dhe nga kërkesat e aktorëve, përpos problemeve të tjera që ngrinin. Me të drejtë ngrihen, pasi artistët nuk kanë një status real”.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: