“Arratia” e Skënderbeut dhe dorëzimi i Lushnjës, Kukësi “fajtor” shpall gjyqtarin e titullit kampion

“Arratia” e Skënderbeut dhe dorëzimi i Lushnjës, Kukësi “fajtor” shpall gjyqtarin e titullit kampion
Skënderbeu fitoi 1-0 ndaj Flamurtarin me gol të Gjergj Muzakës krye-ndeshjen e javës, duke u shkëputur ndjeshëm nga rivalët kryesorë. Humbja direkte e Flamurtarit, ndjekësi më i afërt, humbja e papritur e Kukësit dhe barazimi i Partizanit, i dhanë Skënderbeut qetësinë e duhur për të ecur në rrugën e duhur, drejt titullit të radhës kampion.

Gjergj Muzaka shënoi 7 minuta para përfundimit të takimit golin me vlerën e 3 pikëve.

Plot 11 pikë është diferenca mes Skënderbeut e Flamurtarit, që mban vendin e dytë, pas javës së 19-të në Kategorinë Superiore. Në javët e mbetura luhet për vend të dytë si dhe për ekipin e dytë që pritet të shoqërorë Lushnjën në një kategori më poshtë.

Kukësi edhe pse arriti një barazim me plot polemika 1-1 përballë Flamurtarit, gjatë javës së kaluar, humbi në shtëpi me rezultatin 0-1 nga Kamza, duke dorëzuar përfundimisht kurorën e titullit kampion. Skuadra e drejtuar nga Ramazan Ndreu, falë golit të shënuar nga Rezi në ‘70, mori tre pikë të çmuara që e mbajnë në garë për një vend në Kupat e Europës.

Kjo ishte humbja më dëshpëruese e trajnerit austriak të Kukësit, Peter Pacult.

Kamza shkon në vendin e 4-t, me 29 pikë, aq sa ka edhe Kukësi i vendit të 3-të.

Trajneri Peter Pakult theksoi pas humbjes, “Rezultati është zhgënjyes, mendonim ta fitonim ndeshjen. Mendoj se jam shumë gjatë në futboll, dhe më ka ndodhur disa herë të kem ndeshje të tilla, kur kundërshtari pa asnjë rast na mposht. Me një krosim nga ana e djathtë, një pakujdesi e jona dhe Kamza shënoi. Në ndeshje të tilla, nuk duhet të mundemi, pasi në çdo moment kërkonim golin që të kalonim në avantazh, por nuk duhej të mundeshim.”

Klubi i Kukësit në një deklaratë pritet të analizojë humbjen e fundit, që komplikon ndjeshëm pozitat për një vend në Europë. Interesant është fakti se Kukësi ka shpallur non grata gjyqtarin kryesor të ndeshjes, Enea Jorgji, si përgjegjës i humbjes. Ishte i njëjti gjyqtar që u shpall nën grata nga Skënderbeu sezonin e kaluar, si përgjegjësi i humbjes së ekipit korçar, humbje në javën e fundit të parafundit, që vulosi fatet e titullit historik kampion për Kukësin.

Të tilla paradokse, për ta shpallur menjëherë fajtor gjyqtarin, shoqërojnë shpesh futbollin shqiptar.

Ndaj Lushnjës në betejën e mbijetesës Vllaznia arriti të marrë maksimumin e pikëve. Sulmuesi shkodran i ardhur në janar nga Partizani, Xhevahir Sukaj, shënoi dy golat e fitores.

Lushnja mundi të mbrojë rezultatin e paprekur në pjesën e parë, por pjesa e dytë në “Roza Haxhiu” foli për kuqeblutë e trajnerit Ernest Gjoka.

Laçi ndali sërish Partizanin, në “Selman Stërmasi”, në barazim 0-0. Dy pikë të humbura për Partizanin, që zonën e Europës e sheh gjithnjë e më larg.

Në “Niko Dovana” të Durrës, sfida mes Teutës dhe Luftëtarit mbyllet me fitoren e miqve.

Shkurtaj hapi serinë e golave në favor të Luftëtarit. Hila në 17’ barazoi me një 11-metërsh, por Shkurtaj kaloi sërish në 33 Luftëtarin në avantazh. Pjesa e parë mbyllet në barazim 2-2, pas golit të shënuar nga Lajthia, pesë minuta para fundit.

Në pjesën e dytë Dejan Shehi për të larguar rrezikun nga porta godet me top portierin Kastrati, por topi përfundon në rrjetë. Dalja me karton të kuq të Liçaj nuk ndihmoi vendasit të barazonin rezultatin në 13 minutat e fundit, pavarësisht epërsisë. Kjo humbje zbriti Teutën në vend të parafundit, një pikë pas Vllaznisë, që falë fitores në Lushnjë kaloi zonën e ftohtë të rënies në një kategori më poshtë. Gjithsesi, me Lushnjë gati të dorëzuar, duket se mbijetesa do të diskutohet mes dy ekipeve tradicionale të futbollit tonë, Vllaznia e Teuta.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: