“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Bashkim Fino zbulon fjalinë që Duka i tha Ramës dhe i ndërroi mendjen ...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Bashkim Fino zbulon fjalinë që Duka i tha Ramës dhe i ndërroi mendjen ...
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. (Të premten, botuam bashkëllafosjen me shokun Armand Duka, fituesin e pesëfishtë në krye të Federatës së Futbollit). Lajmi i mirë është se, sot për baraspeshim apo siç i themi në gazetari, balancim, po sjellim bisedën e bërë me shokun Bashkim Fino, menjëherë pasi mori vesh humbjen.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Fino!

Bashkim Fino: ... Po turp nuk pate?! Më le vetëm! Le që, ku ka turp në politikë!

Antena: Unë s'ju kam lënë vetëm, shoku Bashkim; ja, këtu jam.

Bashkim Fino: Po edhe më premtove mo mashtrues, mo të zëntë tartakuti! Po pse mor Edi, mo i pabesë! Përse ma bërë këtë mo?!

Antena: Tani e kuptova. S'po më thoshit mua, por Kryeministrit. Ndiheni i zhgënjyer prej tij?

Bashkim Fino: Ma hodhi! Nuk e prisja! Luajti bukur me skemë të fshehtë sulmuese, mo.

Antena: Edhe në ditë të vështira, nuk hiqni dorë nga të folurit për skemat.

Bashkim Fino: Po ç'a thua o gjigant! Unë nga skemat dhe nga futbolli s'hoqa dorë në ditët e zeza të 97-ës. Veçse ta dish! Kjo e sotmja është nga ditët më të zeza në jetën time, mo!

Antena: Do kalojë, po hë! Garë ishte. Jo të gjithë do fitojnë.

Bashkim Fino: Ashtu thua ti, por më ikën gjithë ato pará nga UEFA. E përse t'i marrë ai "vezaku", e jo unë, mo?!

Antena: Kujt i thoni "vezak"?

Bashkim Fino: Atij që merret me vezë. "Dukës së Krimit" i them.

Antena: Mua personalisht, më duket se ...

Bashkim Fino: Ma hodhi Kryeministri! Tani që u ula dhe mora veten, e kuptova këtë gjë.

Antena: Çfarë kuptuat?

Bashkim Fino: Kuptova që Edi më la të vetëm, si qyqar. I vetëm nuk fitohet beteja. E di ti si pushtonet një kala, apo si fitohet një ndeshje futbolli?

Antena: Me luftë. Bam-bum, me gjyle topash. Sa të hapet ndonjë e çarë. Ose me tradhti, nga brenda. Duke bërë për vete mbrojtësit e kalasë, apo duke blerë lojtarë kundërshtarë.

Bashkim Fino: Pikërisht. Edi s'më ndihmoi të hapja të çara. As nga jashtë e as nga brenda. As nuk bleu kundërshtarët.

Antena: Pak më thjeshtë në shpjegimin, shoku Bashkim, ju lutem!

Bashkim Fino: A, ti qenke aguridhe! Po të thosha simbolikisht që, Edi nuk u përpoq fare, që ta kthente në favorin tim, ndonjë që ishte kundër meje.

Antena: E si mund ta bënte këtë?

Bashkim Fino: E mo gjigant, po të donte Edi, ju gjente gratë, motrat, vëllezërit, etj., atyre që votuan. Ja u hiqte nga puna, ose i fuste në punë të mira në administratë. Nuk ka dashur ai që të fitoja unë, jo!

Antena: Nuk di ç'të them! Politika është kaq e ...

Bashkim Fino: Edi bëri siç bëri Berisha. Saliu e la Dukën për t'u treguar të huajve, që nuk është diktator.

Antena: Ashtu? E çuditshme! D.m.th. ju...

Bashkim Fino: Edhe Edi kështu veproi. Më përdori mua për t'u treguar të huajve që, ai nuk është njeri që ndërhyn në pushtetet e të tjerëve.

Antena: Tani po filloj të kuptoj diçka. Ju besoj se do bënit diçka për futbollin e fëmijëve, që ka mbetur në kushte skan ...

Bashkim Fino: Një lesh do bëja për futbollin në vend. Tani do konkurroj për President i Federatës së Peshëngritjes. Futbolli këtu në vend, do dekada të bëhet. Ku t’i ndërtoja fushat, apo mbi tarraca? E di ti mo, ç'i tha një ditë Armandoja i FSHF-së, Edi Kryeministrit?

Antena: Ma thoni ju lutem, nëse nuk përbën sekret shtetëror!

Bashkim Fino: “Edo, t’i kam fal paratë e Federatës! Merri dhe ndërto një fushë futbolli me përmasa 110x68 metra, në Tiranë! Po gjete vend të lirë, bëje fushën! I ke bërë të gjitha pallate”, - i tha.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: