“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Milena Harito: Më mbyllën në palestrën e shkollës "Halim Xhelo"...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Milena Harito: Më mbyllën në palestrën e shkollës "Halim Xhelo"...
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një lajm të mirë, që ka të bëjë me rrogat në administratë, që do rriten ndonjë ditë. E meqë ra llafi te administrata. Ish-ministren Milena Harrito, e takuam rastësisht pranë godinës së Teatrit Kombëtar. Iu afruam për të biseduar me këtë figurë të kahershme socialiste.

Ja bashkëllafosja e bërë më të:

Antena: Përshëndetje, shoqja Milena! Ç'ne ju këtu?!

Milena Harito: Erdha të protestoj së bashku me artistët. Kjo që po bën me Teatrin, ai Edi Rama, është kriminale! Nuk gjej fjalë ta përshkruaj!

Antena: Çfarë po bën?!

Milena Harito: Ç'të bëjë më?! Do që t'i lërë kushëririt tim të tetë, pjesë nga kulla që do ndërtohet këtu. Ja, këtë po bën!

Antena: Kushëririt tuaj të tetë?

Milena Harito: E de, djalit të tij, do që t'i lërë akoma prona. Nuk u fry me ç'ka marrë deri tani. Është lidhur me ndonjë ndërtues dhe do që të bëjë kullë këtu.

Antena: Unë e vlerësoj Ramën. Është burrë. Para 20 vitesh, donte të bënte kullë këtu.

Milena Harito: Nuk e di se ç'donte atëherë, se shyqyr nuk isha në Shqipëri!

Antena: Edhe tani, po ashtu. Pra, mendoj që, kemi të bëjmë me një njeri që e mban llafin që i ka dhënë atij ndërtuesit. Kanë ardhur kohë të këqija! Njerëzit nuk e mbajnë llafin 20 ditë, jo më ta mbajnë 20 vjet.

Milena Harito: Të ishte siç thua ti, nuk do t’i harronte nderet që i kam bërë unë në Paris atij. I di unë lidhjet e tij ...

Antena: Meqë ra llafi te lidhja. Si po shkon puna me lidhjet e Shqipërisë, me vendet e Ballkanit?

Milena Harito: Ku di unë se ç'bëhet! Unë njëherë që shkova para disa ditësh në Kosovë, u karkallosa fare. S'më punonin gishtat, nga të ftohtit.

Antena: U plevitosët në Kosovë! Si ndodhi?

Milena Harito: Desh "lashë leshtë" e trikos që kisha veshur, me shtrenjtësinë e shërbimit telefonik "roaming" me Shqipërinë. Ti më thua, ç'po bëhet për bashkimin e Ballkanit. Ne s'po bashkohemi dot me telefoni me Kosovën ...

Antena: Po si nuk e dini?! Ju jeni personi përgjegjës për këtë bashkim ...

Milena Harito: Unë s'di ku jam vetë. Për muaj të tërë, isha në një ... Ndaj nuk jam dukur fare në media.

Antena: Ku ishit?

Milena Harito: Të thashë pra, isha në një palestër.

Antena: Jo nuk ma thatë shoqja Milena. Ja shikoni procesverbalin e mbajtur, me bashkëllafosjen tonë.

Milena Harito: A po, nuk ja u paskam thënë. Kështu më ndodh shpesh. I lë fjalitë përtreçerek. Pastaj ju kthehem, e i mbaroj.

Antena: Duket që keni qenë në palestër, sepse jeni dobësuar.

Milena Harito: Isha mbyllur në palestër, në Vlorë.

Antena: Keni shkuar deri në Vlorë, për të bërë palestër?! Ju lumtë! Ajri i detit bën mirë.

Milena Harito: Isha nga halli. Shkova disa ditë para se të formohej ... Më tha Edi Rama të shkoja, të shikoja palestrën e Halimit, para se të formohej qeveria e re.

Antena: Ka hapur palestër Eduard Halimi, në Vlorë?! D.m.th., ndaj iku nga deputet ai! Tani po e kuptoj lëvizjen e fundit të tij.

Milena Harito: A, ti qenke aguridhe fare! Si mund të katandiset një ish-ministër, që të hapë ... Ai po hapi, do hapë ndonjë kompani tregtare.

Antena: Mirë thoni, në fakt!

Milena Harito: Vetëm unë mavria nuk bëra dot aq lekë, sa të hap firmën time. Ta kisha, te Halim Xhelua.

Antena: Kush është ky?

Milena Harito: Ishte një zviceran.

Antena: Ishte zviceran, Halimi?!

Milena Harito: Desha të thosha që ishte anëtar i Partisë Komuniste të Zvicrës. Meqë e kam zakon që i shkurtoj fjalitë, më doli Halimi, zviceran. E kam patur në patronazh.

Antena: Keni patur në patronazh Halimin?! Po ai, mesa di unë, ai ka jetuar ...

Milena Harito: Desha të thosha që kam patur në patronazh shkollën e tij. D.m.th. me emrin e tij. Iku i ri nga kjo botë. Ishte trim i madh. Tani, është shkollë e madhe.

Antena: Më bëtë lëmsh, shoqja Milena. Ju lutem, mbarojini fjalitë!

Milena Harito: Kështu më thoshte edhe Edi. "O mbaro fjalitë, o do të të heq nga ministre!" Dhe më hoqi.

Antena: Si ndodhi, shoqja Milena?

Milena Harito: Kur po bëhej lista me ministrat e kësaj qeverie, mua më mbyllën te palestra e shkollës "Halim Xhelo" në Vlorë. Ika tani, nesër. E vazhdojmë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: