“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Lindita Nikolla: Edhe bashkëshorti im pedagog, shau Edi Ramën

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoqja Lindita Nikolla: Edhe bashkëshorti im pedagog, shau Edi Ramën
“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Pedagogët që s'kishin marrë rrogat, mund t'i marrin ato kur të duan, pasi të shkojnë në bankë.

Kthehemi te titulli: Ka qenë e tillë thënia, apo siç i themi neve në gazetari, deklarata, e bërë nga ministrja e Arsimit, shoqja Lindita Nikolla, për rubrikën tonë. Theksojmë se, kjo është dhënë ekskluzivisht për neve.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoqja Ministre! Kemi marrë vesh se, ...

Lindita Nikolla: Nga e morët vesh? Unë askujt s'ia kam thënë. Ç'paskeni qënë edhe ju!

Antena: Atë punën e rrogave të pedagogëve e dinë të gjithë, shoqja Ministre ...

Lindita Nikolla: Ama, për çështjen e rrogës e kishe llafin ti?! Unë kujtova se kishe marrë vesh se, pse kam veshur këtë bluzën me ...

Antena: Nuk e kisha llafin për bluzën. E kisha për pedagogët pa rroga, që ju keni plasur buzën. Po meqë hapët muhabetin për bluzën ...

Lindita Nikolla: A më shkon? Si të duket?

Antena: Ultra fare! E kam thënë unë, visheni mjaft bukur!

Lindita Nikolla: Këto figurat në bluzë, janë për nder të Olimpiadës Dimërore në Seul. I shikon? Personifikojnë sportiste që merren me gjimnastikën aerobike.

Antena: Vërtet, tani që po i shikoj me vëmendje, po i dalloj që të tilla janë.

Lindita Nikolla: Si Ministre për Sportin, e ndjeva për detyrë të vishja diçka për nder të asaj ngjarjeje të madhe sportive, ku denjësisht paraqitemi edhe ne, me plot tre sportistë.

Antena: Mesa di unë, gjimnastika aerobike nuk është si disiplinë sportive, në lojërat Dimërore ...

Lindita Nikolla: Ouuu, nuk është?! Unë e dija që ishte. Le ta fusin, fundja ...

Antena: I lëmë ngjarjet ndërkombëtare, e kalojmë te këto të vendit. A mund të zbuloni për ne se, përse pedagogëve ju vonua rroga?

Lindita Nikolla: Rrogat nuk janë puna ime. Me to merret Beni i Ekonomisë dhe Edi i Kryeministrisë. Unë për vete, isha e goditur vetë nga vonesa e rrogave.

Antena: A mund të na e shpjegoni pak më qartë, ju lutem?

Lindita Nikolla: Mua vetë, më mbeti pa rrogë bashkëshorti që e kam pedagog. Mirë rrogë që nuk sillte, por më gjeti belaja me të. Bërtiste nëpër shtëpi dhe shante Kryeministrin.

Antena: Mirë ka bërë! Çdo njeri do e bënte këtë gjë, e aq më tepër një pedagog i nderuar universiteti si ai. Një intelektual i atij niveli, e ndjen veten i fyer, kur ...

Lindita Nikolla: Mos bërtit, se kanë vesh edhe muret!

Antena: Po unë nuk bërtita fare, shoqja Ministre! Madje fola me ...

Lindita Nikolla: Desha të thosha që, ato ditë i thosha burrit: Mos bërtit, se kanë vesh edhe muret! Po ku qetësohej ai. Ishte bërë tym. -"Pika neve! -thoshte. -U katandisëm të presim rrogën, nga një mësues vizatimi!"

Antena: Kështu thoshte?! Epo i ka ardhur në majë të hundës, se burri ndihet keq kur nuk sjell lekë në shtëpi dhe e mban gruaja.

Lindita Nikolla: Mirë rrogën e vetë nuk po e merrte, por desh hoqi edhe rrogën time. Po sikur ta dëgjonte ndonjë, e t'i thoshte Kryeministrit që, i shoqi i Linditës, po të shan. Ku do mbytesha unë pastaj ...?!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: