“Si u ruajt dhe u transportua përmendorja e Enver Hoxhës, brenda Shkollës së Bashkuar”

“Si u ruajt dhe u transportua përmendorja e Enver Hoxhës, brenda Shkollës së Bashkuar”
INTERVISTA/ Flet Xhemil Xh. Çela, ish-shef i Katedrës së Zbulimit në Akademinë Ushtarake: “Mendonin se përmendorja e shkollës do vendosej në qendër të Tiranës, ku ishte e para”

Ngjarjet e shkurtit të vitit 1991 përcollën një tension të madh, sidomos në mjediset e Shkollës së Bashkuar. Pas rrëzimit të përmendores së ish-diktatorit Enver Hoxha në qendër të Tiranës, më 20 shkurt, ditët e mëpasme u shoqëruan me zhvillime brenda kësaj shkolle. Flet rreth tyre, posaçërisht për “Albanian Free Press”, Xhemil Xh. Çela, ish-shef i Katedrës së Zbulimit në Akademinë Ushtarake. “Ngjarjet anarshiste po tërhiqnin si me magnet efektiva. U duhej prerë rruga me çdo mënyrë e mjet...”, rrëfen ai.

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Z. Çela, a mund të na tregoni sesi rrodhën ngjarjet në Shkollën e Bashkuar, në shkurtin e vitit 1991, kur brenda territorit të saj ishte dhe një përmendore e Enver Hoxhës? 

Për ne ushtarakët, por edhe për opinionin e gjerë, tashmë janë tepër të njohura ngjarjet e shkollave ushtarake, me epiqendër Shkollën e Bashkuar të Oficerëve (SHLBO), “Enver Hoxha”. Ishte koha kur në qendër të Tiranës, sapo ishte rrëzuar përmendorja e Enver Hoxhës. Dhe një e tillë, madje me uniformë ushtarake, gjendej edhe brenda territorit të shkollave ushtarake. Nga jashtë e brenda tyre, u përhapën thashetheme se përmendorja do të rrëzohej me dhunë nga jashtë. Kjo tymnajë rreth fatit të saj, po elektrizonte gjendjen brenda shkollave. Më e tensionuar gjendja po paraqitej në Shkollën e Bashkuar. Nga grupe të ndryshme mësimore kishte filluar të ndërpritej mësimi. Mesa dukej, përmes disa individëve protagonistë brenda shkollave, situatën e tensionuar po e shfrytëzonin për ta çuar në “pikën e vlimit” të tjerë e pa dalë fizikisht në skenë. Ngjarjet anarshiste po tërhiqnin si me magnet edhe efektiva të tjerë. U duhej prerë rruga me çdo mënyrë e mjet. Komandanti i saj, Arseni Stroka, bashkë me komandat e shkollave të tjera, e ndjenin më shumë se kushdo se ngjarjet po merrnin prirje zgjerimi e kaotike, me tendencë dalje jashtë kontrollit të rregullit e disiplinës ushtarake dhe të vetë komandave. E prunë rrethanat të gjendesha pranë komandave. Shikoja se Arseniu ishte i shqetësuar për zhvillimet, por jo i frikësuar. As i hallakatur në detyrë. Duke mos qëndruar pas funksionit të lartë dhe forcës që i jepte rregulli ushtarak, tashmë me qëndrim të matur, me gjykim të ftohët e të thellë për ngjarjet e pozicionin e tij si komandant, u ndërgjegjësua se magjia e forcës së urdhrit ushtarak, si mjet i komunikimit e i ruajtjes së unitetit të qëllimit e të veprimit ushtarak, po zbehej. Mes efektivave të caktuara mund të jepte fryte negative. Për më tepër, ngaqë presioni i një grupi protestuesish përreth territorit “të rrethuar” të shkollave, bëhej gjithnjë e më agresiv. Por Arseniu, pa hequr dorë nga urdhri, kërkonte edhe rrugë të tjera të vendosjes e ruajtjes së lidhjeve edhe me atë pjesë të efektivit që dukej me prirje anarshiste e që po i largohej linjës komanduese. Qëndronte mes efektivave, sikurse udhëzonte të gjithë kuadrot e tjerë të shkollës. Nga ana tjetër, aktivizoi disa kuadro me autoritet mes efektivave (nga SHLBO dhe Akademia Ushtarake) për të ndjekur nga brenda zhvillimin e ngjarjeve. Për këtë, në bashkëpunim edhe me komandant e dy shkollave të tjera, i futi në përbërje të të ashtuquajturit “Komision i ngjarjeve” me kryetar Agim Bajraktarin, komision ky që nuk dihej se nga lindi si ide. Por gjithsesi, duheshin shfrytëzuar mundësitë e hapësirat që ai krijonte për të administruar sa më qetë ecurinë e ngjarjeve. Dhe me kërkesën këmbëngulëse të komandant Arseniut, unë u bëra pjesë e atij komisioni. Faktikisht, edhe pse në ngjarje u përfshinë efektivat e tre shkollave ushtarake (SHLBO, AU dhe shkolla “Skënderbej”), graviteti i ngjarjeve mbetej brenda SHLBO dhe komandës së saj. Kjo ndjente dhe përgjegjësinë kryesore.

Çfarë ndodhi më tej ndërkohë?

Nxitësit e ngjarjeve nga jashtë, mbas ditës së dytë të ngjarjeve, u bindën se me efektivat e shkollave nuk mund të luhej. Efektivi i shkollave ushtarake tashmë e kaloi momentin e prirjeve anarshiste e kaotike, ku ata mund të mbështeteshin për rëndimin e situatës së brendshme në shkolla. Efektivi u kompaktësua nën drejtimin e komandave e për mbrojtjen e territorit e të objekteve në të, me përparësi përmendoren e Enver Hoxhës. Ishte një kështjellë që nuk mund të merrej. Ndaj për sidomos për të “sqaruar” përkrahësit e tyre përreth shkollave, u vunë në lëvizje për të marrë takim me komandën e Shkollës së Bashkuar. Në disa prej atyre takimeve kam marrë pjesë.

Cila ishte biseda që komandant Arseniu bëri me përfaqësues të Partisë Demokratike, dega Tiranë?  

Me komandën e SHLBO-së po vinin për takim përfaqësues të Partisë Demokratike, dega Tiranë. Më njoftuan edhe mua si anëtar komisioni. Kur mbërrita në zyrë ata kishin dalë për të parë gjendjen në terren. Përfaqësuesi i degës së PD-së për Tiranën, Mark Topallaj, nënkryetar i degës dhe regjisor i Kinostudios, kishin bredhur së bashku me komandën në territorin e shkollës duke parë realisht gjendjen. Madje kishin biseduar edhe me grupe studentësh në sheshin qendror. Ndaj edhe kishin shprehur një farë mirëkuptimi e madje shqetësimi për atë bllokim “qesharak” që u ishte bërë shkollave. Kur u kthyen në zyrë, e pasi zunë vendet, komandant Arseniu, iu drejtua të ardhurve: “Nëse është e mundur, bëjini thirrje turmës të largohet, të na lënë të qetë e të qetësojmë edhe ne plotësisht efektivat tona. Edhe pse përbëjnë një forcë të papërfillshme përballë forcës sonë fizike, pa folur ushtarake, ata gjithsesi janë ngacmues e irritues me fjalë e ndonjë veprim mbi efektivat tona. Ne si shkollë e kemi shprehur qartë në shtyp e televizion qëndrimin tonë. Nuk kemi të bëjmë me zhvillimet jashtë shkollave, por as nuk lejojmë kërkënd të të përzihet në punët tona apo të futet në shkolla”.

Flitet edhe për një deklaratë me shkrim nga ana e Shkollës së Bashkuar... Ç’ndodhi pas saj?

Në mbrëmjen e datës 24 shkurt 1991, në kohën që turma gjendej e mbledhur te shkolla qytetëse aty pranë, komanda e Shkollës së Bashkuar priti edhe 6-7 përfaqësues të lagjes 10. Afër fundit të takimit u gjenda edhe unë në zyrën e komandantit. Në mes të tjerash, përfaqësuesit e lagjes ende kërkonin të dinin për mundësinë e “lëvizjes” së përmendores nga efektivi i shkollave, për në qendër të Tiranës. Pra, ende rreth shkollave, përmes lojës së rivendosjes së përmendores, situata mbahej e ndezur. Dhe si gur më i rëndë për këtë ende luhej me figurën e saj, ajo e Enver Hoxhës. Për ne, kjo ide nuk ekzistonte më si problem për zgjidhje. Ishte mbyllur qysh në  takimin me përfaqësuesit e subjekteve të ndryshme dhe në vetë thirrjen. Ndaj komandanti i shkollës nuk e kishte të vështirë t‘u jepte përgjigje të prerë. Por të ardhurit ishin kaq të bindur në “mundësinë e rivendosjes”, saqë kërkuan që komandanti të jepte një deklaratë me shkrim. Ata, të ndjerë disi ngushtë nga kërkesa, argumentuan se u duhej kjo deklaratë, sepse njerëzit nuk u besonin. Njerëz të ardhur nga nuk merrej vesh se nga, prej ditëshmë shumë sesa ne, terrorizonin banorët e lagjes. Më erdhi mirë kur Arseniu, pa më të voglin hezitim dhe pa ndjenjën e inferioritetit, u dha deklaratën me shkrim, në të cilën përfshiheshin këto pika:

“1. Ne si komandë e shkollës deklarojmë nën përgjegjësinë tonë se askush në shkolla nuk ka marrë vendim për të lëvizur monumentin e Enver Hoxhës. Ne nuk merremi as me heqje dhe as me vendosje a rivendosje monumentesh.

  1. Të drejtën e heqjes së monumentit në shkolla e kanë institucionet që e kanë vendosur dhe askush tjetër.
  2. Monumenti është pjesë e inventarit material të shkollës dhe nuk do të lejohet askush, në mënyrë të njënashme e me dhunë, të verë dorë mbi të.
  3. Pas këtyre sqarimeve kërkojmë nga ju të mblidhni turmat, tu lexoni deklaratën dhe të hiqni të ashtuquajturin rrethim, që u keni bërë shkollave.
  4. Paralajmërojmë cilindo që do të tentojë të futet në territorin e shkollës, me synime terroriste, se do të ndeshet me një kundërveprim të ligjshëm të efektivit të shkollës, me të gjitha mundësitë e mjetet dhe ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi për pasojat”.

Përfaqësuesit e lagjes u ndjenë të kënaqur me deklaratën. Kërkuan të ndihmoheshin me një megafon, të cilin komanda ua dha. Mesa dukej, njerëzit e mbledhur te sheshi i shkollës “Bajram Curri” prisnin aty prej disa orësh. Ishte ora 21.00 datë 24 shkurt, kur turma duke kaluar para hyrjes së shkollës bërtiste “Drejt sheshit, drejt sheshit Skënderbej”. Të shumtit, pra, të ardhurit nga jashtë lagjes, po largoheshin. Nga ky çast, sikur filluan të ulen tensionet për rreth nesh. Kështu dhe paqësisht u mbyllën ngjarjet e bujshme të shkollave ushtarake.

Si rrodhën ngjarjet për përmendoren e Enverit brenda Shkollës së Bashkuar?

Përmendorja e Enverit është hequr nga shkolla, në kohën e pushimeve korrik-gusht 1991. Atë e ka hequr Divizioni i xhenios dhe u vendos në magazinat e tij. Fati i tij, më tej nuk dihet.

 

KUJTIME

“Si e mbaj mend ish-komandantin e Shkollës së Bashkuar”

“Me Arseni Strokën jam njohur në fund të viteve ’60.  Edhe pse më i ri dhe me njëfarë qetësie “olimpike” në pamjen e jashtme, në vështrimin tim, shquhej për veprime të sakta e të prera taktike. Sqarimet dhe veprimet e tij taktike të koordinuara deri në përsosmëri, rridhnin natyrshëm, pa sforcime a emocione të dukshme. Komandonte, shprehej para ushtarëve e vepronte vetë praktikisht në terren, në mënyrë të natyrshme dhe tepër bindës. Kështu, të aftë profesionalisht, të thjeshtë e modest në sjellje e karakter, e njoha fillimisht Arseni Strokën. I tillë në sytë e mi dhe të shokëve e miqve të tij, ai mbeti deri në ditën e ndarjes nga jeta...”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: