Voltan Prodani: S’do ndryshoja kurrë stil për aspekte komerciale

Voltan Prodani: S’do ndryshoja kurrë stil për aspekte komerciale
 

Është një nga kantautorët më jetëgjatë në muzikën e lehtë shqiptare, pa bujë por me profesionalizëm e me një stil të pandryshuar, është përfaqësuar me krijimet e tij romantike në festivalet e vendit. Voltan Prodani, bir i babait të kitarës shqiptare, Mehdi Prodani dhe nip i të madhit kompozitor Agim Prodani, është mëkuar që në fëmijëri të hershme më muzikën e mirë. Por si shumë artistë që dinë të flasin më shumë me muzikë e këngë, ka qenë i rezervuar dhe modest përballë mediave. Në këtë intervistë ekskluzive, djaloshi që studioi edhe në konservatorin prestigjioz të Bolonjës, e që më pas u rikthye për publikun që i mungonte, i plotësuar si bashkëshort e prind, na rrëfen shumëçka për pasionin për muzikën, bindjen se kurrë nuk do të ndryshojë stil dhe projektet për një muzikë dinjitoze.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ka ndonjë histori ky emri juaj i veçantë?

Të falënderoj për pyetjen... në lidhje me emrin, jam munduar të gjej prejardhjen dhe kuptimin ndoshta. Ajo që kam zbuluar është fakti se emri Voltan ka prejardhje ilire dhe anglo-saksone, gjermanike. Në Shqipëri është shumë i rrallë. Kjo sigurisht që më pëlqen, ha ha ha.

Si ka nisur pasioni juaj për muzikën?

Muzika tek unë ka filluar herët, që në moshën 5-6 vjeçare, kur më tregojnë prindërit që unë vija gishtat dhe luaja në kitarën e babait Mehdi, i cili konsiderohet si babai i kitarës shqiptare.

Pastaj më vonë, në klasë të parë fillore studioja për piano, por gjithçka u ndërpre në moshën 7-vjeçare kur babain e arrestoi Sigurimi i Shtetit komunist.

Vite më vonë, pasioni për muzikën u shtua më shumë gjatë shkollës së mesme, kur unë luaja në piano menjëherë, pa studiuar më parë dhe në kitarë klasike isha shumë i dalluar. Luaja në piano tek shtëpia e xhaxhait, kompozitorit të njohur Agim Prodani, mbi 3000 pjesë, gjithçka me vesh, pa studiuar piano. Në ato vite fitoj konkursin për Kompozicion në Akademinë e Arteve, sot UART, duke kaluar nga gjimnazi, pa bërë Liceun Artistik, si shumica që fillojnë që në klasë të parë e deri në maturë. Ky ishte rast shumë i rrallë për Akademinë e Arteve, të studiosh për kompozicion duke studiuar pianon që të tjerët e studiojnë për 12 vite, vetëm në një vit studim.

Më pas, në vitet ‘93-‘94 shkoj në Konservatorin “GB Martini” në Bolonjë të Italisë, për studime në degën e Kompozicionit. Gjatë viteve në Bolonjë, fillon dhe merr rrugë arti im muzikor në drejtim të muzikës së lehtë dhe aty nisin dhe krijimet e para si kantautor.

Po familja juaj, sa ju ka përkrahur ajo. Kur kujtoni fëmijërinë, çfarë ju

vjen në mend menjëherë?

Prindërit e mi kanë qenë përkrahje e madhe shpirtërore për mua në lidhje me rrugëtimin tim në fushën e artit. Babai si mjeshtër i kitarës, mbas goditjes që mori nga regjimi komunist, ka qenë herë-herë i ftohtë në lidhje me lidhjen time me muzikën; domethënë, unë u bëra artist, sepse isha i lindur i tillë. Kjo është absolute, pasi babai im Mehdi Prodani, emblema e kitarës në Shqipëri, u godit në kulmin e suksesit të tij artistik dhe normale është që e shihte muzikën jo aq të dashur për t’ia ushqyer djalit të tij Voltan.

E kundërta ndodhi me nënën time Zhaneta. Ajo ka qenë shtysa më e madhe dhe inkurajuese për rrugëtimin tim në rrugën e artit muzikor, kompozimit, pianos, këndimit, kitarës, studios.

Na tregoni diçka më shumë për aktivitet tuaja në rini, aktivitetet ku keni

marrë pjesë... emocionet.

Mund të përmend nga daljet e para në televizion, këngën e parë që realizova në Bolonjë, “Anything for You” në gjuhën angleze, që e kam kënduar në programin e vitit të ri, në vitin 1994. Më vonë, dalja ime e parë në Festivalin e RTSH-së si pjesë e grupit të njohur “ARB” me këngën “Në ç’stacion do zbresësh”. Viti ’97, viti i tmerrit për Shqipërinë, realizohet videoklipi i këngës “Mos u Kthe”, performuar në “Këngët e Stinës”në RTSH, ku unë kam një fragment ku këndoj mbi tank.

Sot mendoj se mund të tingëllojë diçka me vlerë historike ai videoklip!

Emocionet i kam marrë dhe gjatë qëndrimit në Bolonjë në konservator, ku bashkëpunova me artistë italianë profesionistë dhe Studio Harmony, Fonoprint nga më të njohurat e Italisë. Kam bashkëpunuar duke orkestruar këngët e mia me Samuelle Bersani, Pasquale Morgante (arranxhatori i Dales),

Robby Lorenzzoni Mix & Master me Vasco Rossi etj...

Një këngë tjetër që ia vlen të përmend nga emocionet e para bio që kam marrë, është kënga “Heshtja”, një bashkëpunim me Jorgo Papingjin në festivalin “Kënga Magjike”, 2006.

Pastaj vjen videoklipi im i parë zyrtar, “Dilema e saj”, që më ka dhënë shumë adrenalinë dhe energji pozitive nga mbresat e publikut të gjerë.

Keni ju një kriter kur zgjedh këngët që këndon?

 

Këngët që unë këndoj kanë vetëm një kriter, janë kompozimet e mia. Kriteri ka të bëjë me fabulën që zgjedh, harmoninë moderne të pasur që unë e kam brenda vetes, sigurisht dhe me karakterin tim vokal, i përshtatem regjistrit, timbrit, emocionit shpirtëror që unë përcjell me zërin tim.

Keni studiuar në fushën e muzikës. Si i kujtoni studimet?

Pjesa më e bukur, vitet e studimit në Konservatorin “GB Martini” në Bolonjë, jo për faktin se unë jam studioz, por sepse aty ka nisur marrëdhënia ime si kantautor, kompozitor dhe këngëtar; aty kam shprehur gjithë harmoninë dhe emocionin artistik timin, që më ka ndjekur vitet më pas e deri më sot, nga pikëpamja e stilit, origjinalitetit, të cilin nuk kam dashur ta ndryshoj asnjëherë për aspekte komerciale.

Sa e vështirë është të performosh në jetën e muzikës live në Tiranë?

 

Me thënë të drejtën, e vështirë është, duke imagjinuar një publik që është pak i bombarduar nga antivlerat dhe vulgaritetet tallava që i serviren 24 orë në 24! E vështirë është të bësh stilin që ti përfaqëson duke iu përshtatur dhe shijeve të publikut. Më konkretisht, në ambientet ku unë performoj, në përgjithësi muzika që unë luaj është në sintoni.

Cilat janë diferencat që gjeni me performimin jashtë kufijve, në piano-bar

p.sh.?

Publiku i ndryshëm, më i kulturuar përsa i përket muzikës së mirë elitare, i përshtatet më mirë stilit që unë bëj, është me shije  europiane. Nga ana tjetër, në ambientet në Shqipëri duke qenë se kam luajtur më shumë këto vite, mendoj se ka një publik më të vogël në numër, por që është shumë në sintoni me muzikën që unë bëj në stilin piano-bar, lounge, pop gold.

Çfarë mendon se keni fituar nga pjesëmarrjet në kompeticionet e këngës?

Kam fituar eksperiencë skenike, maturi artistike dhe jam krijuar si ky që jam sot, që identifikohem me stilin e këngëve të mia romantike, baladë, moderne, si kantautor.

Janë shpërblyer pritshmëritë tuaja nga pjesëmarrja në festivale?

Deri diku po, por nuk kanë marrë vlerën e duhur në festivalet kryesore përsa u përket çmimeve, por e rëndësishme për mua nuk është marrja e çmimit të parë, e rëndësishme është që këngët të pëlqehen nga publiku i duhur dhe fansat. Kjo është gjithçka që duhet, pasi e dimë të gjithë që çmimet janë subjektive.

Cilën prej konkurrimeve tuaja në festivale kujtoni me më shumë dëshirë e

cilën nuk do të donit ta kishit bërë fare?

 

Kënga më e fundit në festivalin e 56-të në RTSH, “E Pamundur”, është një nga daljet që do ta kujtoja me shumë dëshirë, pasi e kam shijuar vërtet këtë vit festivalin, si nga pritja e publikut, ashtu dhe nga vlerësimi i jurisë për në finale. Një këngë tjetër, që do ta kujtoja me dëshirë është “Endem nëpër erë” në “Këngën Magjike” 2016, edhe atë e kam shijuar shumë.

Këngë që po t’i rikthehesha nuk do ta bëja fare, është kënga “Kthehu dhe kujto” nga një festival para disa vitesh, ku kam pasur një problem teknik të rëndë në natën finale me kufjet dhe duke dashur mos ta ndaloja këngën, jam dëmtuar emocionalisht në atë festival.

Keni ndonjë ëndërr që mund ta ndash me ne?

Ëndërr... Ha ha ha... Shumë ëndrra, unë mendoj se ëndrrat janë gjithçka që na bën optimist dhe kreativ në jetë. Një ëndërr për ta ndarë, mund të ishte të prezantoja një program të ideuar nga unë vetë në televizion.

Po ju pyes edhe juve, sepse ka mendime kontradiktore, është muzika e

lehtë në agoni?

Nuk jam dakord me këtë konstatim për jashtë kufijve, sepse kur unë ndodhem në Udine, Bolonjë, muzika që më shoqëron nëpër radion italiane, televizionin, është muzika e lehtë e vërtetë, pa deformime, banalitete, e ngjashme me stilin që unë krijoj.

Ndërsa këtu në Shqipëri, ky konstatim është i saktë, këtu është larguar muzika e mirë, është infektuar keq nga rap, hip-hop, vulgariteti, mungesa e origjinalitetit krijues, tekstet banale etj.

Si e shikoni kualitetin e muzikës sot? A ndikon këtu edhe shkollimi

muzikor?

Kemi përpjekje të mira vitet e fundit për një kthim tek muzika e mirë origjinale. Duhet shumë punë për të luftuar atë që mbizotëron nëpër Shqipëri tani, pseudo-artistët, vulgariteti...

Pse zgjodhët edhe fushën e mësimdhënies? Gjeni vështirësi në të?

E zgjodha pasi, Harmonia teoria e muzikës, Estetika e Artit, Elektroakustika janë disa nga lëndët e mia të preferuara gjatë viteve të studimit në Shqipëri dhe Itali. Më lindi dëshira për ta ndarë me brezat e studentëve, eksperiencën time në këto lëndë dhe për të shkëmbyer energji, duke dhënë dhe duke marrë nga nxënësit. Vështirësi ka shumë, pasi kanë ndryshuar kohët, është futur teknologjia, rrjetet sociale etj. Përballesh dhe me nxënës pa formim të mirë kulturor dhe prindëror, me trauma sociale të ndryshme, duhet shumë elasticitet dhe qetësi për t’i menaxhuar. Pa dyshim që ka dhe studentë të kultivuar me vite, të përqendruar, me talent, të edukuar, që ta bëjnë punën në arsim plot adrenaline pozitive dhe pasion.

Jeni prind i dy fëmijëve, ju ka ngjasuar ndonjë në pasionin për muzikën?

Jam prind i dy fëmijëve, vajza Michelle 13 vjeç dhe djali Grant 7 vjeç. Vajza Michelle luan në piano, ka talent, këndon, ka kënduar një këngë timen në Festivalin “Junior Eurosong” në RTSH me titull “Prindër”.

Nuk e ka zgjedhur muzikën si profesion, por herë pas here merret për kënaqësi shpirtërore, ajo ka aftësi interpretimi, merret me teatër, balet etj.

Ndërsa djali është i vogël, por ka prirje të mira artistike, ka shumë shije të thellë dhe kur e pyes si të duket kjo këngë e imja ose e huaj, është shumë kritik i mirë.

Keni në duar ndonjë projekt të ri muzikor?

Jam duke punuar aktualisht me organizimin e një koncerti televiziv dhe jo vetëm, me krijimet e mia nëpër vite, me bashkëpunimet me këngëtarë të tjerë. Një nga këngët që është prioritet kryesor, është bashkëpunimi me Timo Fllokon dhe vëllezërit Endri dhe Stefi me këngën “Mbi çdo iluzion”, të cilën do ta promovojmë së shpejti në një videoklip të madh.

Ju këndoni në jetën e muzikës live, së fundmi më vëllain tuaj. Jeni në

harmoni? Ndodh që grindeni?

Jemi shumë në harmoni me vëllain tim Eldon, ajo që na bën të jemi në harmoni, janë shijet muzikore, karakteri, fantazia artistike, rryma që na bashkon. Grindje të vogla me qëllimin e përsosjes së bashkëpunimit profesional janë normale kur ndan me dikë artin dhe punën.

Keni pasione të tjerë përveç muzikës?

 

Estetika, energjia pozitive, pranoterapia, muzikoterapia!

Keni jetuar për shumë kohë edhe në Itali. Sot jeni familjarisht në

Shqipëri. Ku jeni ndjerë më mirë?

Është e vështirë ta përcaktoj drejt. Vitet jashtë jam ndjerë më mirë përsa i përket kulturës së njerëzve, respektin që kanë për artistin, muzikën e bukur, liria shpirtërore, hapësira, qetësia me veten, gjëra që për fat të keq na mungojnë në Tiranën tonë. Ndërsa këtu ndihem më i plotësuar profesionalisht, artistikisht, me familjen time të dashur,  bashkëshorten Gelardina dhe dy dashuritë e mëdha, Michelle dhe Grant!

Megjithatë, ajo që më mungon nga vitet jashtë është qetësia akustike, hapësira e madhe e lëvizjes, kultura e të sjellurit, komunikimi i qytetëruar, shija e mirë muzikore.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: