Vera Laçi: Dea, dashuria që më bëri t’i rikthehem këngës

Vera Laçi: Dea, dashuria që më bëri t’i rikthehem këngës
“Nga fati mos u anko/ish i bardhë apo i zi/qiellin tand jo mos e trano/dielli do të lindë përsëri/ja mora dhimbjen zemrës/i vura melodi/ja besova shpirtin këngës/se ajo hallin ma di!”. Janë këto vargjet e ndjera të Jorgo Papingjit që muzikoi Edmond Zhulali dhe risollën në këngë, pas një drame të madhe, këngëtaren e Dibrës, Vera Laçi. Asgjë më mirë se këto vargje nuk përshkruajnë peshën e rëndë të kësaj gruaje malësie, kësaj nëne që humbi birin e vetëm Deni, e që ende nuk resht së lotuari, por që, pavarësisht se mban një Korab me derte mbi supe, gjeti forcën për të jetuar tek birësimi dhe rritja me dashuri e vajzës së saj, Dea. Mbi 37 vite në skenë, Vera Laçi, zëri i shquar i baladave dibrane, vjen në këtë rrëfim të ndjerë, nga dashuria për folklorin shqiptar, por edhe nga dëshira për të vazhduar misionin e ruajtjes, të pastër, të perlave të vendlindjes.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju keni lindur e jeni rritur në Kastriot, në Dibër. Si ka qenë fëmijëria juaj?

Ka qenë me dy anë, edhe e pafat, por edhe e bukur. Kam humbur nënën shumë e vogël, isha vetëm 3-vjeçare, e rëndë për një vajzë të vogël. Por isha motra e vogël e katër fëmijëve ndaj isha disi e privilegjuar, e përkëdhelur nga babai e të gjithë të tjerët. Pas kaq shumë vitesh, kur e kthej kokën pas, edhe nga vlerësimi i ish-mësuesve të mi, që më shkruajnë ende, kujtoj se kam qenë një fëmijë shumë i sjellshëm dhe me rezultate shumë të mira në mësime. Që në këtë moshë, pra përpara se të filloja shkollën adhuroja të këndoja dhe këtë e ka pikasur një mësues i muzikës në shkollën fillore në Kastriot. Ishte ky një fat për mua, sepse ka zëra të mirë shumë, por që nuk pikasen. Kështu nisën edhe aktivizimet e mia të para në koncerte që organizoheshin në atë kohë.

Në klasë të tetë, kur do të konkurroja për shkollën e mesme të muzikës, për në Peshkopi, hasa vështirësitë e para. Ishin vitet e krizës së madhe dhe më japin bursë për në gjeologjike, që sigurisht nuk e doja. Ia dhashë shoqes time të ngushtë. Unë vija nga një familje me biografi të keqe, siç ishin ato vite, si nga nëna, por edhe nga babai. Por babai ishte i zoti në punën e tij, e nga zotësia dhe ndoshta sepse u duhej në atë sektor, e sulmonin, por nuk e lëviznin. Por unë pata probleme, sepse nuk më dhanë të drejtën të vazhdoja shkollën për muzikë. U mërzita jashtë mase, qaja me dënesë, sepse nuk më dukej e drejtë. Vendos të ndjek këshillën e babait e të shkoj tek sekretari i parë i rrethit, quhej Jovan Bardhi. Marr guximin dhe futem në zyrë. Ai më dëgjoi me vëmendje e më tha se unë do të shkoja patjetër në shkollë, ishte artdashës. Me lejen e tij konkurrova në Peshkopi, por më caktojnë të shkoj në degën e Elbasanit ku kalova katër vite. Kujtoj mësuesit Leonora Eminai, Astrit Lopari, historian muzike, profesor Sulejman Balza, Sopot Serica e të tjerë që nuk i mbaj mend emrat. Kujtoj që kur konkurrova, mësuesit mbetën me gojë hapur, e këndoja me aq pasion këngën dibrane.

Kënga dibrane, çfarë e dallon atë?

Ah, kënga dibrane është e veçantë, ka brenda gjithçka, ka lirikën, ka epikën, ka baladën, ka vajin, i ka të gjitha ngjyrat. Edhe unë vetë, kur jam në terezi dhe filloj e këndoj një këngë dibrane, mua më rrëqethet mishi, sepse e ndjej thellë.

Mbaruat shkollën e mesme për kanto në Elbasan. Të vështira ato vite?

Sigurisht që po, isha vajzë larg familjes dhe pa nënë. Sa herë i kam larë jastëkët me lot. Shikoja shokët e shoqet që kishin shumë gjëra që unë nuk i kisha, e ndihesha e lënduar. Mendoni se unë shkoja në shtëpi në Dibër vetëm për Vit të Ri se ishte larg. Por kishte edhe kënaqësi, fotografia ime duke kënduar ishte në hyrje të Teatrit “Onufri”, sa krenari dhe sa mirë ndihesha, sepse ishte një qytet me tradita në folklor.

Fati i keq deshi që unë të mos e vazhdoja shkollën e lartë për kanto, pas mbarimit të shkollës së mesme. Të gjithë mendonin se unë duhet të konkurroja, por ashtu ishin kushtet, duhet të kthehesha pranë familjes. Në ato vite, ashtu si edhe sot, Estrada e Peshkopisë ishte shumë cilësore, kishte këngëtarë të mëdhenj dhe orkestër brilante. Edhe sot asnjë rreth nuk e ka aktive estradën, Dibra e ka. Fati deshi që unë të punoja pranë kësaj estrade profesionistësh, pavarësisht se nuk kishte vende dhe mora emërim në një pozicion tjetër, por aktivitetin e zhvilloja aty, mes artistëve me emër si Arif Vladi, Liri Rasha, Caje Poleshi, Qerim Sula. Dibra deshi të më mbante afër dhe më mbajti.

Ndërkohë, ju mbështeste familja?

Kujtoj që babai im nuk donte, pavarësisht se ai e dinte që unë e doja shumë këngën. Por do të kishte preferuar që të studioja për mësuese, ose një profesion tjetër.

Pse vallë, për fanatizëm?

Jo, aspak. Por im atë ishte burrë shumë i mençur. Pasi mbarova shkollën e mesme, kujtoj që më tha: “Ti shkove në shkollë, unë të uroj të bësh karrierë. Por që të bësh karrierë në profesionin që ke zgjedhur ti, nuk duhet të martohesh”. E pyeta se përse? “Sepse kështu është!”- m’u përgjigj. Im atë, sot kur e kujtoj, e kujtoj me një respekt të jashtëzakonshëm, sepse ishte burrë i mençur, aq sa edhe sot e kujtojnë në Dibër, ishte largpamës. Unë ia kuptova merakun, dihen edhe traditat dhe mentaliteti në atë zonë, ndaj i premtova se edhe do të bëhesha këngëtare e zonja, por edhe një nënë dhe bashkëshorte e denjë. Ai derisa vdiq, më ka qarë hallin sesi ia dilja të isha edhe këngëtare, edhe familjare e mirë. Brenda vetes, ai kishte merakun nëse do të kisha një burrë që të më mbështeste në jetë, por edhe në karrierë, pra të mos kisha probleme e të isha e lumtur. Im atë më donte shumë.

Dhe si ndodhi që e gjetët burrin e jetës?

Ah, askush mos të thotë që e gjeta vetë, apo ma solli jeta. Bashkëshorti është fat, është si një bingo. Mos të mburret kush se është e mirë dhe ka bërë zgjedhjen e duhur, jo, është fat dhe unë këtë e besoj fort. Unë e kam njohur në ambient te njerëzit e mi, vëllai i nuses së një kushëriri. Ka qenë e shkruar, ma propozuan si marrëdhënie dhe thashë “po”.

I kujton turnetë ku ke nderuar këngën dibrane?

Unë kam arritur një periudhë më të vonë se këngëtaret e tjera, u përkas viteve ’80. Në 1980-tën kam qenë për herë të parë në Festivalin e Gjirokastrës. E më pas kam kënduar edhe në festivalin e Beratit. Por kishte edhe një aspekt tjetër në atë kohë, shikohej shumë me avantazh dikush që ishte komunist, privilegjohej më shumë se unë. Unë isha këngëtare që kisha shtrirje vokale dhe i këndoja të gjitha zërat, kjo më pas më avantazhoi. Kujtoj udhëtimin në Austri, një koncert madhështor në Vjenë, ishte krijuar një grup shumëdimensional, me ne ishte edhe Inva Mula, bashkëshortja e Dritëro Agollit, një kuartet harqesh dhe ansambli. Një grup shumë i mirë. Koncertet ishin për austriakët dhe kujtoj një detaj shumë interesant. Ishte fundi i viteve ’80 dhe kishin filluar të lëviznin gjërat, edhe në muzikë. Orkestra jonë nuk kishte fyell brenda saj, si pasojë e një lloj modernizimi të muzikës. Në Austri më doli ky problem, sepse më duhej të këndoja akapela, pra pa shoqërim. Këndoja baladën e Drinit të Zi, një perlë. Isha shumë e re dhe nuk doja të këndoja e pashoqëruar, hezitoja. Por kujtoj Edmond Zhulalin që më thotë: “Dëgjo këtu, në do të tregosh se çfarë këngëtareje je, ashtu ke për të kënduar dhe pikë!”. Dal dhe e këndoj dhe ende edhe sot ai sukses aq madhështor mbeti i vetëm. Salla ra në qetësi të plotë, spektator me tjetër kulturë, tre minutat e këngës në heshtje absolute, ndihej vetëm frymëmarrja ime, akustika fantastike dhe qindra aparate fotografikë që shkrepin foto. Kur kënga mbaroi kënga, nuk dilja dot nga skena, nga duartrokitjet, shkoi çdo gjë aq bukur. Një sukses të ngjashëm e kam përjetuar shumë vite më pas, në vitin 2004, në Rumani. Zhvillohej një festival për vendet buzë lumit Danub. Dibra ishte e ftuar, por na kishin lënë të këndonim në fund, kur ndërkohë spektatori ishte lodhur e po largohej. Unë e shpreha mërzitjen time se përse do të këndonim ne të fundit, me sallën gjysmë bosh, sepse artisti në sallë bosh ndihet shumë keq. Drejtuese për të më dhënë zemër, më tha se ai që do të të dëgjojë, të dëgjon. Kisha një këngë të shoqëruar me kavallë nga më i miri, Isuf Tusha, i papërsëritshëm. Kur ai filloi të luajë, spektatorët u kthyen pas, kënga pati shumë sukses dhe mora çmim të dytë.

Deri në cilin vit keni jetuar në Dibër?

Deri në vitin 2004, por në punë deri në vitin 2002. Ndërkohë kishim prenotuar shtëpi të re në Tiranë dhe nevoja për të ardhura ishte shumë e madhe, donim të jetonim në kryeqytet për të ardhmen e djalit. Drejtori i asaj kohe i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve vjen në një koncert në Dibër e më thotë se përse nuk vija në Tiranë, ai pra u bë sebep që unë erdha disa muaj në ansambël. Por nuk zgjati shumë.

Cila ishte arsyeja?

Në këtë moshë e pas kaq vitesh karrierë, sot mund ta them me bindje se arsyeja ishte se një këngëtare të mirë nuk e donin në krah artistët që ishin aty, ishte vend bërrylash. Veçanërisht kur je natyrë e qetë, qytetare, që nuk vërsulesh, këtë e shfrytëzojnë për të të shkelur. Unë nuk e konceptoja dot atë mënyrë të të punuarit, të visheshe bukur, të shkoje në punë, të paraqiteshe e të pije kafe, herë me prova e herë pa prova. Në koncert do të dilje kur të të lejonin nëse të jepnin rast. Këtë e them me keqardhje. Unë e kisha kaluar periudhën e provës, e nuk mund të lejoja bërrylat nga këngëtarë, që kishin vendosur aty rrënjë deri në pension e nuk lejonin askënd. Ndodhte që të dilnin në koncert edhe me një provë gjenerale, kjo nuk është normale. Sinqerisht vija nga një mënyrë komplet tjetër pune, me tjetër disiplinë. Ndaj dhe u largova.

Më pas si vijoi karriera juaj?

Unë kalova në punë private, me koncertet e mia. Në Zvicër, veçanërisht , vlerësohej shumë muzika e mirë shqiptare, ndihesha shumë e vlerësuar atje. Kjo zgjati një periudhë të gjatë, deri në momentin që u bastardua edhe muzika e mirë. U rreshtuan këngëtarë që nuk ishin këngëtarë, çdokush u bë këngëtar. Por jam ndjerë shumë e vlerësuar nga publiku i diasporës, ata e duan shumë muzikën. Por përsëri, edhe në ato vite, unë nuk kam punuar shumë dhe me koncerte të shpeshta.

Hyn këtu familja?

Obligimi im ka qenë që të jem familjare e denjë e pas familjes vinte puna, edhe pse me atë punë unë mbaja familjen. Kam refuzuar të shkuarat vetëm, jo se isha e paaftë, por kam qenë e ndrojtur. Shkoja vetëm me grupe, vetëm pasi kisha rregulluar mirëqenien e djalit e mbasi kisha rënë në ujdi me bashkëshortin, nuk kam bërë kompromis me paqen në familje, ka qenë parësore për mua. Sigurisht kam punuar edhe me gëzimet familjare, brenda e jashtë vendit.

Gjej shumë rezerva mbi muzikën popullore sot, të shprehura nga artistët, ju si e shikoni?

Kur mendoj kohën kur vajza ime të rritet, pyes veten se a do mundet ajo të kuptojë se nga ku kemi ardhur? Rinia sot nuk gjen më folklor, për të kuptuar se nga i ka rrënjët. E mbaj mend babain tim të mençur që më thoshte se njeriu nuk duhet të harrojë nga ka ardhur, sepse nuk do të dijë nga do të shkojë. Unë fjalët e babait tim i gjej sot realitet.

Ju shikoj dhe e admiroj forcën tuaj, por ju jeni një zonjë që keni përjetuar një dramë të madhe.... më të madhen që mund të përjetojë një nënë...

Jeta ime është shumë e trishtë, nuk i ka ndodhur asnjë artisteje një dramë e tillë si e imja, më e pafat se kaq nuk bëhet, sepse drama u ndoq nga drama. Në vitin 2013, pas një turneu në Gjermani, ndërkohë që kisha edhe 45-vjetorin tim, vendosa që të bëja një koncert recital. Dëshira ime ishte që koncerti të zhvillohej në Dibrën time, nga ku u bëra këngëtare dhe u bë çdo gjë gati që koncerti të realizohej në Pallatin e Kulturës më 10 prill. Në atë kohë, Bashkia kryesohej nga e djathta. Ndërsa isha ende në Gjermani, biri im më telefonon dhe më thotë se ishte i shoqëruar me disa zotërinj nga Dibra, njerëz shumë të mirë, e se do të merrej me politikë, pra me fushatë për të majtën. I thashë menjëherë se nuk pëlqeja asnjë obligim të këtij lloji prej tij, asnjë përfshirje me politikën. Por më ngjante shumë në këtë pikë dhe kishte dhënë fjalën, e si unë, kur thoshte “po” ose “jo” nuk e kthente. Unë e kisha pa asnjë dëshirë këtë përfshirje, sepse gjithmonë kam menduar se njeriu ka votën e tij, sipas bindjeve të tij, por pa pasur unë respekt për politikën, të them të drejtën. Gjithsesi, duke menduar se ishte djalë i ri, mendova të lëshoja pe’ e le të merrej me njerëz të duhur, më mirë sesa të rrinte në ambientin vërdallë. Pavarësisht se druhesha shumë, sepse e kisha rritur larg djallëzive. Kujtoj se një darkë vjen në shtëpi dhe më tregon se i kishin kërkuar që unë, si artiste, të merrja pjesë në një aktivitet partiak, e se ai kishte pranuar. E kundërshtova fort menjëherë këtë gjë, sinqerisht nuk desha. Por për të mos ia prishur, i kërkova nëse kishte kamera ose jo dhe pasi pyeti, i garantuan se nuk kishte media. Por gjërat janë të shkruara, këtë e tregoi edhe ky rast. Për hatër të tij përfundimisht shkova, unë e di se me sa pa qejf e debate shkova. Por kjo dalje transformoi çdo gjë. Dalja ime, ndryshe sa thanë,  u filmua dhe u përdor, u shfrytëzua, në media me jehonë të madhe. Koha u kthye pas, si dikur kur doja të shkoja në shkollë e nuk më lejonin nga biografia.

Kaq e rëndë u bë situata?

Pas lajmit të daljes time për një forcë politike, të nesërmen, më vjen lajmi nga Bashkia e Dibrës se koncerti nuk do të bëhej. Ishte kulmi e këto gjëra kanë ndodhur vetëm në komunizëm. Ishte e tmerrshme, vendi ku unë u rrita e ku zgjodha të bëja koncertin e jetës time, për arsye politike, anuloi koncertin. Kalova një mërzitje e shqetësim shumë të madh. Por nuk u dorëzuam, kërkoj sallën e ansamblit tek opera dhe më thonë, katastrofë kjo gjë, se ishte e zënë. Më në fund arrij të kem sallën e Akademisë së Arteve, një sallë me rreth 60 vende. Për 6 ditë, unë duhet të bëja reklamat e të organizohej gjithçka. Isha shpirtërisht e vrarë e me qejf të prishur, por im bir nguli këmbë dhe për fat, pavarësisht reklamës së pakët, ata që më deshën e më vlerësuan erdhën, dhe koncerti ishte një sukses. Djali im fluturonte, sepse doli shumë bukur, i thjeshtë por profesional. Pas koncertit shkuam, me muzikantët, për një darkë. Kujtoj djalin tim që do dilte me të fejuarën, por në mesnatë hyn në atë ambient, i bukur si dielli dhe respektoi duke i falënderuar muzikantët që më kishin shoqëruar, i takoi një e nga një. Ah, im bir më thoshte gjithmonë: “Unë e di që kam një mam të mirë, nuk ta kam merakun. Ti mam nuk gabon”. Ehhhh, pas darke, rrugës për në shtëpi, ne bënim plane. Ai kishte merakun tim se lodhesha shumë e se nuk duhet të punoja më. Pas tre ditësh, djali im iku për fare nga ne, pas një aksidenti. Pra, unë atë koncert nuk e shijova dot deri në fund.

Por ju mbeteni artiste e madhe dhe nga dhimbja juaj e thellë, rrodhi edhe muzikë...

Kjo ka qenë jeta ime, kam punuar shumë, por nuk kam pasur fatin me vete. Pas kësaj dhimbjeje që nuk e përshkruaj dot, nuk gjej fjalë e as ngushëllim as sot, unë u shkëputa për 5 vite nga koncertet.

Për këngën dedikuar djalit tim, u bë shkas një kushëri imi, i cili më tha se unë duhet ta këndoja një këngë, unë isha artiste, artisti për dhimbje e gëzim, këngën ka valvul shpërthimi.

Mes dy rrugëve, nëse pas humbjes së djalit, do të jetoja ose jo, kur vendosa të jetoj, unë e dija se duhet ta realizoja edhe një këngë për djalin tim. Por askujt nuk ia kisha thënë. Unë e ndjeja që duhet ta realizoja, por pozicioni im ishte shumë i vështirë, që unë të shprehesha.

Por ju bëri të mbijetoni një ëndërr e re... erdhi tek ju vajza...

Unë e doja shumë një arsye që t’i mbijetoja dhimbjes dhe vetëm ajo, vajza ime Dea, të cilën unë luftova fort që ta birësoja, më shpëtoi. Vetëm ai obligim më solli në vete, me qëllimin që unë të mbijetoja drejt rrugës për të shkuar e për të qarë tek djali im. Sepse e kam ditur që kjo më pret, derisa ta takoj. Sot që në të dyja po flasim, e vetmja arsye se përse sot unë kam vendosur të rikthehem me këngën, është ajo, vajza ime. Ajo është shumë e vogël e do të rritet, do të jetojë, duhet të jetë e lumtur e është obligim imi që unë t’ia bëj të mundur jetën e lumtur, pra unë duhet të punoj. Kërkova madje që të rikthehesha tek Ansambli i Këngëve dhe Valleve, që të rikthehesha në aktivitet. Ma refuzuan, sepse kështu funksionon mosmirënjohja tek ne. Kjo ndodh kur një ministre Arsimi as që e ka idenë e ansamblit dhe i kërkon një këngëtareje me 30 vite karrierë të konkurrojë për t’u futur në ansambël. Ndaj duhet përgjegjësi kur vendosen drejtues në art. Pavarësisht tragjedisë time dhe sforcimit tim të madh për t’u ringritur, ndesha në paaftësi. Ndershmëria dhe sinqeriteti, fatkeqësisht, në këtë vend, nuk shpërblehet. Kënga që erdhi nga dëshpërimi “Fatit mos iu anko” ishte një bashkëpunim me Jorgo Papingjin, që ka derdhur edhe ai lot në vargje dhe muzikë të Edmond Zhulalit. Risolla edhe një këngë timen “O marak” që nuk kishte qenë e regjistruar e që ishte vijë melodike për historinë time.

Sot ju mbani male mbi supe, por është fat për muzikën tonë që jeni rikthyer....

Koncertet që bëj nuk janë shumë, por shpesh e kërkoj të largohem, të iki larg gjendjes së dëshpërimit që më kap shpesh. Kam filluar të kem data koncertesh, gjithmonë duke pasur parasysh që vajza është e vogël dhe do përkujdesjen time konstante. Por kam vendosur të vazhdoj të këndoj, edhe sepse kam sigurinë që zëri im nuk çalon, ndryshe nuk do rikthehesha, kjo pjesë më vret, kam sedër të sëmurë në këtë pikë.

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: