Silvana Rusi: E dua shumë sfidën në këndim

Silvana Rusi: E dua shumë sfidën në këndim
Është ende një studente, një vajzë e re, me një rrugë të gjatë përpara, por sapo e ndjek, të bën përshtypje zëri i saj, i fuqishëm, i ngrohtë dhe i lindur. Pavarësisht se në repertor janë ende të pakta këngët, e ka nisur që shumë e vogël pasionin për këngën dhe artin në përgjithësi. Ngjitja në skenën e festivalit, “Kënga magjike”, ku edhe u rendit mes finalistëve, solli një gradë më lart në karrierën e saj të re, por ndërkohë, është një vajzë me këmbë në tokë, që punon në jetën e muzikës “live” të Tiranës, merr pjesë në aktivitetet muzikore dhe studion. Le ta njohim më mirë vajzën me sy të bukur, që habiti dikur jurinë në garat televizive dhe sot përpiqet të lërë gjurmën e saj, në botën e madhe të muzikës.

 Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Kur mendon fëmijërinë tënde, çfarë kujton?

 

Fëmijëria ime ka qenë e qetë psikologjikisht dhe shumë e ngarkuar me aktivitete të ndryshme. Sapo dëgjoj fjalën fëmijëri, më vijnë ndërmend të gjitha angazhimet e mia, qofshin ato artistike ose jo.

Si dhe kur nisi rruga jote si këngëtare?

Në fakt, e mbaj gjithmonë veten mend duke kënduar, qysh nga koha kur ruaj kujtimet e para. Domethënë, nuk e di kur kam filluar të këndoj, por di që kam kënduar gjithmonë. Çdo gjë ka filluar në pallatin e pionierëve ose siç e quanim ne, Qqendra kulturore e fëmijëve, ku fillova të aktivizohesha dhe të dilja në skenë.

E kujton herën e parë kur je ngjitur në skenë?

 Uhh, si jo! Madje edhe sot e ruaj veshjen e parë, të cilën e mbaja kur kam performuar për herë të parë, në skenën e Teatrit të Tiranës, në Festivalin e Fëmijëve, “Zërat e Rinj”. Isha 9 vjeç dhe çdo gjë e kam të freskët, sikur të kishte ndodhur sot.

Ke pasur përkrahjen e familjes, në këtë pasion?

Gjithmonë, gjithmonë dhe gjithmonë! Familja ka qenë mbështetja ime më e madhe në çdo hap dhe nuk e di nëse ua kam shpërblyer aq sa ata e meritojnë, për sa i takon karrierës.

Si i zgjedh këngët që këndon?

Në fakt, nuk kam shumë këngë, por ato që kam në repertor deri më sot, gjithmonë kam menduar t’ua lë në dorë profesionistëve. Besoj që ka rezultuar mirë, por duke marrë parasysh edhe mbresat e para që më ka dhënë kënga, sapo e kam dëgjuar për herë të parë.

Je artiste autodidakte apo ke studiuar në këtë fushë?

Besoj që kam një dhunti, të cilën Zoti më ka dashur shumë që ma ka dhuruar. Por pa punë dhe durim, asgjë nuk perfeksionohet. Nuk kam ndonjë diplomë që e vërteton studimin artistik, por gjatë gjithë jetës, deri më sot, kam marrë leksione kantoje dhe pak piano, - nuk e kam lënë pas dore asnjëherë dhe do vazhdoj të studioj.

Emocionet i mund apo të mundin?

Ndoshta jam nga ata pak njerëz që emocioni nuk më ka mbytur asnjëherë. Nuk mund të them që në fillime nuk kisha emocione, sigurisht. Por sot e them me bindje që, kur dal në skenë, nuk mendoj asgjë, veçse i them vetes: Thyje në mes, Silva! Gjithmonë prapë në skenë kam emocione, por kur dal, s’mendoj asgjë dhe jam super e qetë. I mbys, i mbys fare! Ha ha ha.

Sa e vështirë është të performosh, në jetën e natës?

Jeta e natës ka vështirësitë e saj, sidomos kur bëhet e përnatshme, pasi ndodh që vokalisht lodhesh, sepse vokali do regjim. Të ndihmon të jesh profesional në lidhje me publikun dhe si artist, të rrit.

Sa merresh me fizikun, po me veshjen skenike?

Kohët e fundit s’kam bërë shumë përpjekje sa i takon fizikut. Veshjen e kam pikë të dobët. Mundohem të jem me veshje të cilat mua më bëjnë të ndihem komode, por edhe bukur. I dua edhe çmenduritë në look.

Si lindën pjesëmarrjet e tua në kompeticionet kanore? Çfarë ke fituar prej tyre?

Thashë më sipër që kam filluar qysh në moshën 9-vjeçare, me kompeticione. E dua shumë sfidën në këndim, më pëlqen gara dhe emocioni që ajo jep, prandaj dhe çdo gjë ka ardhur natyrshëm.

 U shpërblyen pritshmëritë e tua nga pjesëmarrja te Kënga Magjike? Na trego ndonjë detaj ...

Në festivalin “Kënga Magjike” pjesëmarrja ime ka qenë krejtësisht rastësore. Doja të bëja një këngë për videoklip, por  nuk u realizua dhe më mjaftoi një fjalë e kompozitorit tim, i cili më tha ta dorëzojmë në “Këngën Magjike”, pasi kënga është shumë e bukur. Të them të drejtën, thashë OK, po e dorëzoj dhe realisht nuk e prisja të shkoja deri në finale. Me kënaqësinë më të madhe, falënderoj studion, “SM Records”, për këngën dhe Fifi-n për tekstin!

Ke ndonjë ëndërr në sirtar?

Ne artistët kemi ëndrra pafund. Por dua të them që, ëndrra ime më e madhe ka qenë të performoja në skenë. Kur isha e vogël, kur kalonin ato raketat e vockla në qiell, i kapja me gishta dhe shprehja dëshirën, që një ditë të isha në skena të mëdha. Mua mu plotësua dëshira. Tani përpiqem ta zgjeroj e ta mbaj të gjallë, për një kohë të gjatë, këtë pasion.

Ku gjen paqe? 

Sinqerisht, tani që jam një vajzë që njëkohësisht edhe studioj, edhe punoj, paqen e gjej kur jam pushim nga angazhimet dhe e qetë, afër familjes time. Por kam edhe një pasion që më qetëson, kinemanë.

Po në kohën jashtë skenës, me se merresh?

Studioj për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe jam çdo ditë në shkollë. Kur jam e lirë dua të pushoj dhe sigurisht argëtohem me shoqërinë time.

I druhesh konkurrencës?

Sot ka shumëëëëë këngëtarë dhe një pjesë e tyre kanë hyrë fuqishëm dhe janë të talentuar. Mendoj se, secili nga ne ka të veçantën e tij dhe kush e meriton realisht, do të dalë në krye, pa pasur nevojë të mendojë për konkurrencën! Duhet punë dhe vetëm punë!

Ke në duar ndonjë projekt të ri muzikor?

Po. Momentalisht kam dy projekte dhe shpejt do të dalë edhe klipi i ri.

Ke menduar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëria?

Kam jetuar disa vite jashtë. Që kur jam kthyer, nuk e mendoj të shkoj dhe të jetoj, sepse çfarë kam dashur, e kam gjetur në vendin tim.

Ka qenë zemërgjerë tregu muzikor me ty? Po publiku?

Tregu do shumë punë që të tregohet zemërgjerë dhe unë po punoj akoma. Për publikun, s’di ç’të them sinqerisht. Kurrë nuk e kam menduar se do të kem ndikim kaq pozitiv tek ata. Më kanë falur shumë dashuri, madje shpesh shikoj komentet në videot e mia në Youtube dhe shikoj mjaft pozitivitet. I falënderoj të gjithë!

Ku beson më shumë?

Në Zot për gjithçka dhe në aftësitë e mia në skenë, kur Zoti më jep shëndetin.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: