Mimoza Selimi: Muzika, magjia që më bën të ëndërroj përtej realitetit

Mimoza Selimi: Muzika, magjia që më bën të ëndërroj përtej realitetit
Me Mimozën me sy të bukur, njihemi qysh në fillimet e mia si prezantuese. Shpesh, ishte pjesë e grupit të artistëve që performonin, e kur e kujtoj, më vijnë nëpër mend nga ato kujtime që të ngrinin zemrën peshë! Sheshe të mbushura plot, stadiume ku nuk kishte më vende, salla ku publiku na priste edhe kur dilnim. Mimoza jonë ishte aty, me aparatin e saj të dashur, teksa na fotografonte në çdo aktivitet, sepse fotografinë e kishte pasion, por edhe dhunti. Mimoza Selimi kishte një zë melodioz e një portret jo shumë të zakonshëm, me sy të shkruar, buzë e mollëza për të cilat sot paguhet shtrenjtë. Por mbi të gjitha, e kujtoj për një komunikim delikat, mjaft qytetar dhe finesë, të cilën e gjeta edhe pas kaq shumë vitesh. Nuk ka nevojë t’u them që biseda nisi sikur të mos ishte ndalur kurrë, jeta në Zvicër, atë Mimozën e bukur, vetëm sa e kishte bërë edhe më të pasur në fjalor e shprehje. Këtë verë i ndodhi një humbje e madhe, si ajo e vëllait, por, pavarësisht shpirtit me brenga, Mimoza ndoshta shleu pak mallin e saj për mëmëdheun, përmes këtij rrëfimi ekskluziv për Albanian Free Press.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Si e kujton fëmijërinë tënde?

Kam qenë fëmijë i lumtur, rrethuar plot dashuri. Pavarësisht se ishin kohë të vështira, ruaj kujtime të mrekullueshme. Në familjen tonë kishte dashuri, harmoni, respekt. E nuk besoj të kem njohur ndonjë çift tjetër, si prindërit e mi, që duheshin aq shumë, e kjo është tepër e rëndësishme duke ndikuar pozitivisht te fëmijët.

Kur lindi pasioni për muzikën, artin?Që e vogël, këndoja nëpër shtëpi dh,e kur shkova në shkollë, merrja pjesë në aktivitetet artistike që organizoheshin aty, si dhe në festivalet e fëmijëve.

Muzika ishte magjia që më bënte të ëndërroja përtej realitet.

Kur je ngjitur për herë të parë në skenë?

Pa folur për festivalet e fëmijëve, prezantimi im i parë në Radio-Televizion ka qenë në Festivalin e Interpretuesve të Këngës në vitin 1985. Isha në shkollën e mesme artistike “Prenk Jakova”, maturante.

Shkodra, qyteti që aq shumë i ka dhënë artit e kulturës, më dha shumë dashuri edhe mua. Në ato vite isha e angazhuar me koncerte në Klubin e Rinisë dhe në Estradën Profesioniste. Kam pasur shumë fat të rritem pranë artistëve dhe njerëzve të mrekullueshëm.

Në Festivalin e Interpretuesve u paraqita me këngën «E dua vendin tim», e kompozitorit Agim Prodani, e cila ishte kënduar më parë nga e madhja, Vaçe Zela. Nuk kam për t’i harruar asnjëherë ato emocione, kur u ngjita në skenë për herë të parë. Isha një vajzë e ndrojtur, nuk njihja askënd, kënga kishte vulën e Vaçe Zelës, e unë duhet ta justifikoja para publikut, zgjedhjen që kisha bërë. Kur mbarova së kënduari, publiku më duartrokiti e më riktheu në skenë. Isha tepër e emocionuar dhe e lumtur njëkohësisht. Ishte fillimi i realizimit të një ëndrre.

I përket një brezi këngëtarësh që ka jetuar në dy sistemet. Si i përjetove ndryshimet?

Si shumë shqiptarë që prisnin lirinë. Diktatura ishte gjëja më e tmerrshme që përjetoi vendi ynë. Mungesa e pluralizmit, e lirisë së mendimit, fjalës, mjerimi i tejskajshëm, e bënë Shqipërinë vendin me diktaturën më të egër në gjithë kampin komunist, e pasojat i dimë të gjithë. Nuk ka më të shtrenjtë se liria! U lumturova që diktatura ra!

Ishin kohët e koncerteve në sheshe, qytete, teatro. Çfarë kujton prej tyre?

Kujtimet e emocionet janë pafund. Të shikoje mijëra njerëz në sheshe që këndonin me ne, të lodhur nga vuajtjet e pafund, por me shpresën për një të ardhme krejt ndryshe, nuk kam fjalë ta përshkruaj.

Një publik i mrekullueshëm, që më ka dhënë aq shumë dashuri, e që po aq më mungon.

Të kesh një zë si yti, të ëmbël, por dhe të fortë. Si e ke jetuar këtë pasuri?

E quaj veten me shumë fat, sepse falë zërit, këngës, kam përjetuar momente të mrekullueshme, kam njohur njerëz të mrekullueshëm.

Është privilegj të jesh Artist, të marrësh aq shumë dashuri!

Sa rëndësi ka pasur dhe ka teksti, poezia, mesazhi i këngës, për ty?

Ka rëndësi të madhe për mua, sepse dua që kënga të përcjellë një mesazh, emocion, të prekë njerëzit e t’i bëjë të gjejnë veten, jetën e tyre tek kënga.

Ke pasur idhuj mes këngëtareve shqiptare? Po të huaja?

Sigurisht, idhulli im ka qenë e mbetet Vaçe Zela. Falë saj ndoqa rrugën e këngës. Që e vogël, kur e dëgjoja, më mahniste me zërin e saj, e më bënte të ëndërroja. Fati deshi që në vitin 1986, të jem nxënësja e saj për një vit. Kam mësuar dhe më ka dhënë aq shumë, dhe jo vetëm për këndimin! Ne u bëmë shumë të afërta, e nuk u ndamë, deri sa ajo ndërroi jetë. Vaçe Zela, ishte si një nënë për mua, e mbetet përgjithmonë në zemrën time!

Nga këngëtaret e huaja, veçoj Celine Dion, por ka dhe të tjera e të tjerë.

Bota e këngës është aq e madhe, sa nuk mund të them që është vetëm një artist që më pëlqen.

Cili është ndryshimi mes botës së artit, atëherë dhe tani?

Atëherë kishte vetëm një Radio-Televizion, e kishte kritere për t’u ngjitur në skenë. Flas për veten. Përpara se të merrja pjesë në Festivalin e Interpretuesve, kam kënduar para një komisioni që përbëhej nga emrat më të shquar të muzikës si Ferdinand Deda, Avni Mula, Eno Koço, Spartak Tili, Feim Ibrahimi, Gazmend Mullahu. Ka pasur dhe të tjerë që nuk i kujtoj tani.

Ka qenë një provim tepër i vështirë, nuk kam për ta harruar asnjëherë! Dridhesha nga emocionet, isha vetëm, përballë artistëve më të mëdhenj.

Pasi kam mbaruar audicionin, jam kthyer në shkollë në Shkodër, dhe gjithë ankth, prisja përgjigjen.

Ju nuk mund ta imagjinoni gëzimin tim, kur pas një muaji, vjen letra nga Redaksia e Muzikës e Radio Tiranës, ku shkruhej: “Jeni miratur të merrni pjesë në Festivalin e Interpretuesve të Këngës në Radio Televizion.”

Këto janë emocione që nuk harrohen. Ndërsa sot, mendoj se tregu muzikor është aq i madh, sa që kushdo mund të këndojë.

Je dalluar edhe për portretin e bukur. Mendon se kjo të ka ndihmuar?

Faleminderit për komplimentin, e dashur!

Është fat, kur Zoti të jep dhe bukuri fizike. Por ajo çfarë njerëzit kanë parë tek unë, është shpirtërorja, dhe më kanë dashur shumë. Ndërsa në rrethin profesional, ka pasur shumë xhelozi, pra nuk më ka ndihmuar ...

Vendose të largohesh drejt Zvicrës. Pse?

Sepse jeta e solli ashtu ...

E ke braktisur muzikën ndonjë çast?

Jo, asnjëherë, muzika është jeta ime. Edhe kur nuk më dëgjoni, unë këndoj.

Cilat janë aktivitetet e tua artistike, në Zvicër?

Ajo çfarë më mungon më shumë në Zvicër, është jeta artistike. Në Tiranë punoja në Radio Televizion, e kisha mjaft koncerte, isha tepër aktive

Këtu është më ndryshe, por nuk kam ndaluar së kënduari.

Prezantoj muzikën tradicionale shqiptare, e marr gjithmonë komplimente nga publiku i huaj; komplimente që i përkasin muzikës sonë të mrekullueshme.

Si janë ditët e tua të zakonshme aty? Ke pasione të tjera?

Koha ikën shpejt këtu. Sigurisht që kam pasione të tjera.

Një ndër ta është libri, nuk mund t’i ndahem!

Jeta të ka rënduar me humbje të mëdha. Ku e gjen forcën t'i përballosh ato?

Para 7 viteve, humba vëllanë e madh, para 5 viteve humba babanë, e para 6 muajve, humba vëllanë e dytë. Është shumë, shumë e vështirë ta shpreh me fjalë dhimbjen që kam në shpirt! Ne ishim tepër të lidhur me njëri-tjetrin. Mungesa e tyre dhemb shumë e kam një zbrazëti në jetë të cilën asgjë nuk mund të ma zëvendësojë!

Shprehja “kështu është jeta”, nuk ma lehtëson dhimbjen. Sidomos tani, pas humbjes së vëllait të dytë, zemra ime nuk di si duron ...

Mundohem të ngrihem çdo ditë nga pak, por është shumë e vështirë!

Unë besoj te shpirtrat, e di që janë këtu dhe ndjej praninë tyre! Janë ata që ma japin forcën!

Dikur, kujtoj Mimozën me aparat fotografik me vete. Një pasion i madh? Po sot?

Jam gjithmonë e pasionuar pas fotografisë, e mendoj që në një të ardhme jo të largët, do t’i përkushtohem.

Më thuaj një mendim për muzikën e lehtë sot ...

Me përjashtime të vogla, muzika e lehtë sot është kthyer në komerciale. Mund të thuash që muzika më shumë shihet, se sa dëgjohet ...

Kur të merr malli për Tiranën, çfarë bën?

Kam gjithmonë mall, ndonjëherë malli flet me gjuhën e lotit ...

Do e shikojmë Mimozën, sërish në skenën shqiptare?

Ndoshta ...

 

Disa nga interpretimet e këngëtares:

Çelu si mimoza

Do ta pi rakinë (Potpuri serenatash)

Edhe një puthje Akoma (Serenatë)

Eja o engjëll (Serenatë)

Europa ëndrra jonë - Kastriot Ago & Mimoza Selimi

Falju zemrës

Flas me shiun

Mbretëresha e detit

Absurdi i dashurisë – Mimoza Selimi, Arjan Elezi

Na kujtoni - Mimoza Selimi, Adhurim Demiri & Dashnor Diko

Po ç’është ajo (Potpuri serenatash)

Rrugët e jetës

Të pres

Zërin e zemrës dëgjo

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: