Greqia dhe Shqipëria i japin dritën jeshile zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes dy vendeve

Greqia dhe Shqipëria i japin dritën jeshile zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes dy vendeve
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras dhe homologu i tij shqiptar, Edi Rama u takuan për afro një orë e gjysmë gjatë zhvillimit të punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, disa ditë pasi Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati u takuan në Korçë, për bisedime intensive mbi zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta.

Takimi, i cili u zhvillua në një klimë mjaft miqësore në praninë e dy Ministrave të Jashtëm përkatës, shërbeu si një mundësi për të vlerësuar progresin e bërë në bisedimet dypalëshe mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që ekzistojnë mes dy vendeve.

Sipas burimeve brenda takimit, dialogu i zhvilluar trajtoi çështje të tilla si përcaktimi i një marrëveshjeje për detin, të drejtat e minoritetit etnik grek, të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, heqja e ligjit të luftës dhe konfirmimi i kufijve tokësorë. Bisedimet e zhvilluara mes dy ministrave Kotzias dhe Bushati në Kretë dhe në Korçë u kanë dhënë zgjidhje pjesës më të madhe të mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Takimi i dy kryeministrave konfirmon zgjidhjen e një sërë çështjesh.

Takimi i djeshëm, po ashtu i hap rrugë zgjidhjes së çështjeve të mbetura dhe zyrtarizimit të marrëveshjes mes dy vendeve në të gjitha nivelet në pranverën e vitit 2018, nëse gjatë bisedimeve nuk shfaqen pengesa të papritura.

Kryeministri grek shprehu vullnetin e tij për të ndihmuar rrugën integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për të përmbushur reformat e nevojshme në këtë drejtim dhe për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Dy palët vendosën që të ndërmarrin edhe veprime të përbashkëta për bashkëpunim më të ngushtë në fushën e ekonomisë, edukimit, energjisë dhe kulturës. Aleksis Tsipras u shpreh se minoriteti grek në Shqipëri dhe mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi, mund të shërbejnë si një urë miqësie dhe bashkëpunimi për të dy vendet.

Në fund, kryeministri grek përgëzoi dhënien e shtetësisë shqiptare, Kryepeshkopit Anastasios dhe implementimin e marrëveshjes për varrezat e ushtarëve grekë që ranë në frontin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama shprehu vlerësimin e tij për përpjekjet e mëdha të ministrave Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet që ekzistojnë mes dy vendeve, duke nxjerrë në pah faktin se Greqia është një partner strategjik për Shqipërinë.

Kryeministri shqiptar konfirmoi vullnetin e tij për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe dhe për ta çuar vendin drejt integrimit evropian me anë të mbështetjes së Greqisë.

 

KOMENTI

Rama: “Objektivi i përbashkët, nënshkrimi në pranverë i Dokumentit të Partneritetit Strategjik”

“Me Kryeministrin e Greqisë, Aleksis Tsipras, për progresin e bërë deri më tani përmes dialogut dypalësh; në adresimin e çështjeve të bartura të së shkuarës, në funksion të çeljes së një kapitulli të ri partneriteti strategjik për të ardhmen”. Kështu e ka komentuar kryeministri shqiptar, Edi Rama, takimin e tij me homologun grek, Aleksis Tsipras. “Objektivi i përbashkët, finalizimi i dialogut dhe nënshkrimi në pranverë i Dokumentit të Partneritetit Strategjik në Tiranë”, ka shtuar Rama në rrjetet sociale, rreth këtij takimi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: