Ambasadori i parë amerikan në Tiranë, figura që lidh tre kombe

Ambasadori i parë amerikan në Tiranë, figura që lidh tre kombe
DOSSIER/ Përfaqësuesi zyrtar fuqiplotë i SHBA-ve në Mbretërinë Shqiptare të viteve 1930-1933, Herman Bernstein, mik i tre presidentëve amerikanë: Theodore Roosevelt, Uoodrou Uilson dhe Herbert Hoover. Një figurë që shkroi shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët

Nga Mal Berisha

*Diplomat

Ardhja e një figure kaq të lartë, si Herman Berstein në postin e ambasadorit përbën një ndër nderimet më të mëdha që shteti dhe qeveria amerikane i kanë bërë shtetit shqiptar. Po ashtu, edhe hebrenjtë e Amerikës ndjejnë se ky ishte një vlerësim për ta. Teksa krijohet kështu, një lidhje mes këtyre tre kombeve, përfaqësuar nga një figurë e tillë e lartë siç ishte Herman Berstein. Një njeri i cili kishte pasur kontakte me njerëzit më të shquar të botës, të tillë si Leon Tolstoi, Leo Trocki, August Rodi, Leon Andrejevi, George Bernard Shou, Sheik Ul Islam, Sigmund Freud, Aleksandër Moisiu dhe mbi të gjitha, ai kishte miqësi personale edhe me vetë Albert Ainshtajnin. Teksa pas ardhjes në Shqipëri shohim sesi vetë Bernstein vlerëson Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai i çmoi lart traditat e mrekullueshme shqiptare, tolerancën fetare, besën shqiptare, hebrenjtë dhe trajtimin e tyre. Dhe vlerësimet e tij janë aq të larta sa sot, pavarësisht distancës kohore, ndjehemi krenarë për trashëgiminë e tij...

 ***

Duke qenë hebre, ai la një trashëgimi të jashtëzakonshme edhe rreth historisë së pranisë hebraike në Shqipëri. Gjithsesi, identiteti hebraik i Bernsteinit nuk mund të veçohet nga kontributi i tij si përfaqësues i një kombi të madh, atij amerikan. Vetëm dhjetë vite para se Bernsteini të emërohej në Shqipëri, vendin tonë e kishte mbrojtur Presidenti Uilson, ndërsa Bernsteini kishte njohje personale me të, qëkur ai ishte guvernator i Nju Xhersit. Madje, ai kishte organizuar edhe takime të tij me gazetarët më të famshëm të Amerikës në fushatën elektorale të vitit 1912. Një ndër veçoritë që duhen vënë në pah më shumë është se ai ishte një mik i ngushtë edhe i Presidentit Hoover. Siç do të shohim, ai kishte kontribuar shumë në zgjedhjen e këtij Presidenti duke mbuluar si gazetar për shtypin amerikan ngjarje të cilat kanë tronditur njerëzimin, siç është revolucioni i sovjetëve. Fjala e tij pati peshë të madhe në zgjedhjen e këtij burri të madh në krye të Shtëpisë së Bardhë, sidomos me botimin e librit “Njeriu që e solli Amerikën në Botë”. Së dyti, nga urimet që Bernstein mori me rastin e emërimit në Shqipëri, do të shohim qartë se ai kishte një ndikim të jashtëzakonshëm te lobi hebraik në SHBA, i cili ka luajtur përherë një rol shumë të rëndësishëm në zgjedhjen e presidentëve amerikanë, të paktën prej asaj periudhe. Duhet thënë se Amerika e atëhershme nuk ishte ajo e sotmja, ku respektohen të drejtat e bashkësive të ndryshme. Gjurmët e antisemitizmit në Europë kishin filluar të shfaqeshin dukshëm. Edhe Amerika vetë, edhe pse vend i formuar nga emigrantët, ka dhënë shembuj që nuk e bëjnë të ndihet mirë në raport me hebrenjtë e asaj kohe. Një ndër rastet fatkeqe që e ilustron këtë më mirë është ai i anijes St. Louis. Dhe nëse nuk dihet fati i çdo individi të asaj anijeje, fati i hebrenjve në vendet europiane deri në fund të luftës së Dytë Botërore tashmë dihet. Edhe vende të tjera me prirje më të pakta antisemitiste nuk kanë qenë gjithsesi kaq dashamirëse ndaj hebrenjve, siç ka ndodhur me Shqipërinë. Ndërkaq, Bernsteini ishte i njohur si mbrojtës i paepur i çështjes së hebraizmit dhe ndërtimit të një shteti izraelit bashkë me njerëz të shquar nga forca hebraike në botë, përfshirë edhe Ajnshtainin. Ai mendonte të hapte një korridor mbrojtës për hebrenjtë e Europës të kërcënuar nga nazizmi, duke i vendosur ata në një masë të caktuar diku në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë. Ky projekt del në pah nga diskutimet e tij me vetë Mbretin Zog.

Trashëgimia e mbiemrit “Bernstein”

Kuptimi i mbiemrit “Bernstein” është “qelibar” dhe vjen nga gjuha gjermane. Ka shumë njerëz të njohur që mbajnë këtë mbiemër. Kjo nuk do të thotë se ata rrjedhin të gjithë nga e njëjta familje, por kur kërkon të njohësh njërin prej tyre, nuk mund të mos biesh në gjurmët e dhjetëra të tjerëve. Këtë mbiemër mund ta gjesh sot tek njerëz, të cilët kontribuojnë në sfera të ndryshme të dijes dhe të jetës. Kështu, mund të përmendim Leonard Bernstein, muzikantin e famshëm, dirigjentin e veprave të Bethovenit. Po ashtu, regjisorin e filmave Elmer Bernstein, apo edhe regjisorin tjetër, Adam Bernstein. Ky mbiemër shumë i njohur në botën hebraike, e jo vetëm, është mbajtur nga shkrimtarë, filozofë, muzikantë, poetë, gazetarë, shkencëtarë, sportistë, aktorë, udhëtarë, linguistë, komentatorë, e njerëz nga thuajse çdo fushë e jetës. Ky fakt i ka bërë akoma më interesante vitet e studimeve rreth Herman Bernsteinit, pasi gjatë hulumtimeve kam qenë disi “i detyruar” të njihem edhe me shumë Bernstein-ë të tjerë. Kështu, hulumtimet rreth Herman Bernsteinit kanë qenë për mua një lloj lundrimi në një oqean dijesh, që prek tërthorazi jo vetëm botën hebraike në të katër anët e saj, por edhe skajet e vetë kulturës dhe historisë së kohërave tona.

Studimi i jetës së Herman Bernsteinit

Studimi i jetës së Herman Bernsteinit përbën në vetvete një sipërmarrje shumëplanëshe. Është i rrallë dhe i admirueshëm fakti sesa shumë mund të bëjë njeriu gjatë një jete jo aq të gjatë, sa ajo e tij. Sa udhëtime të gjata ndërkontinentale, në kushtet e lëvizjes së ngadalshme të kohës, sa artikuj gazetash, sa ngjarje të përshkruara drejtpërdrejt nga terreni ku ndodhnin, sa vepra letrare të shkruara, sa polemika të publikuara, sa përkthime veprash në disa gjuhë, rusisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, hebraisht, polonisht, madje edhe esperanto janë dashur. Ai ka botuar 14 vepra dhe fatmirësisht të gjitha mund të gjenden lehtësisht të ribotuara sot. Veprat e përkthyera nga Bernstein-i janë 17, që të gjitha

kryevepra të autorëve të mëdhenj. Megjithëse, zanafilla e këtij studimi ishte periudha e jetës së Herman Bernstein-it në Shqipëri (1930-1933), densiteti i jetës së tij paraprirëse intelektuale përfshiu me interes një pjesë të madhe të punës sime. Prandaj, ashtu si në rastin e studimit të jetës së amerikanit Charles Telford Erickson, që i kushtoi jetën Shqipërisë, apo në ato të udhëtarëve të “The National Geographic Magazine”, që e paraqitën Shqipërinë me tërë bukuritë e saj dhe gjithashtu, si në rastin e studimit të “Racave dhe Feve në Europë” si raca më e vjetër dhe më e bukur në kontinent, po kështu, shkrimet e udhëtarëve britanikë në trojet shqiptare, që e përshkruajnë Shqipërinë dhe shqiptarët me nota ekzotike, edhe në jetën e Herman Bernsteinit, në përmbledhjen e parë dhe në këtë të tashmen, ndjej se ndikimi i gjithë atyre aspekteve, që plotësojnë njohjen e figurave të mëdha, apo një periudhe historike, ka qenë shumë i madh.

Kontaktet e para shqiptaro - amerikane

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane duket se fillon përpara krijimit të vetë shtetit shqiptar. Gjurmët e para të vëmendjes amerikane ndaj historisë së kombit shqiptar i gjejmë te poema e Longfellout “Përrallat e Bujtinës ndanë Udhës”, në të cilën i këndohet heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Përkthimi i kësaj vepre është bërë nga

Fan Noli (1916):

“Nga Kështjella shpejt ka rënë

Flamuri me gjysmë-hënë

Edhe populli shikon

Që në vent të tij valon

Flamur’ i Skënderit n’erë

Shkab’ e Zezë me dy krerë.

Dhe një thirrje lart u ngrit,

Se çdo zemër e çdo shpirt

U mërzit nga Turku i lik,

Që e bëri atë Krujë

Zi, murtajë dhe rrëmujë.

Ay zë me gas me bujë

Q’oshëtin nga bregu n’breg

është: “Rrofsh, o Skanderbeg!”.

Më pas fillojnë të duken dallëndyshet e para të pranisë shqiptare në SHBA. Në një studim me titull “Përpjekjet shqiptare12”, të kryer nga Universiteti i Harvardit nën drejtimin e dr. M.U. Royse, editori kombëtar i Studimeve Social-Etnike) dhe dr. Frank Manuel, në bashkëpunim me patriotë shqiptarë si Qerim Panariti (ish-President i Vatrës) dhe Vangjel Misho, konstatohen fillimet e vendosjes së shqiptarëve në Amerikë. Sipas këtij studimi, i pari shqiptar që shkeli në Tokën e Re mbërriti aty nga viti 1876, për t’u larguar më pas në Argjentinë. Provë e parë e mbërritjes së shqiptarëve në Amerikë është një prift i quajtur Nikolla Kristoferi nga fshati Katund i Korçës, i cili u vendos në Massachusetts, në vitin 1886. Ai udhëtonte shpesh në Shqipëri dhe çdo herë në kthim merrte dikë me vete për ta vendosur në Amerikë. Kështu, emigrimi i shqiptarëve drejt SHBA-ve filloi të intensifikohej në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX.  Megjithatë, përkeqësimi i gjendjes nën Perandorinë Osmane dhe mundësitë e mëdha që ofronte Amerika u bënë shumë shpejt të njohura prej atyre që emigruan atje. Natyrisht, kolonia më e madhe e vendosur në Amerikë ishte ajo e emigrantëve korçarë të vendosur në Neu England, Uestchester e Boston, në shtetin Massachusetts. Toka përtej Diellit po bëhej gjithnjë dhe më tërheqëse. Një ndër veçoritë e emigracionit shqiptar në SHBA ka të bëjë me përkohshmërinë e tij. Emigrantët dëshironin të ktheheshin përsëri në atdhe, pasi të kishin bërë ca pará. Ndjenja patriotike e shfaqur pikërisht në atë vlug të ringjalljes së dëshirës për pavarësinë e vendit dhe bashkë me të, dashuria për gjuhën, traditat e zakonet ishte krejt unike. Ajo që binte në sy ishte edhe dëshira për të ruajtur të papërzier gjakun dhe familjen. Prandaj shohim se ata ktheheshin në atdhe për t’u martuar, për të lindur fëmijë dhe shtuar familjen shqiptare, sa në njërën anë, po aq edhe në anën tjetër të oqeanit. Zhvillimi ekonomik dhe transformimi nën ndikimin e këtij emigracioni në zonën e

Korçës është i tillë, që e bëri atë një qytet krejt të ndryshëm nga të tjerët. Ai dallohej për kulturën, sjelljet, tregtinë, shkollat, muzikën, fenë, aq sa mund të konsiderohej një pjesë jo vetëm më e zhvilluar, por shumë e shkëputur nga pjesa tjetër e vendit. Ndikimi ishte i dyanshëm. Ishin ata një pjesë e këtyre emigrantëve që krijuan në Amerikë organizatën më të vjetër (që ekziston akoma) Federatën Pan-Shqiptare Vatra, si dhe organin e saj gazetën “Dielli”. Siç dihet, ajo luajti një rol të jashtëzakonshëm në përshpejtimin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ruajtjen e shtetit shqiptar. Ndërkohë, ata që u kthyen që andej, si motrat Qiriazi, kompozitori Koço Kota, gazetari Sotir Peçi (botuesi i gazetës së parë në gjuhën shqipe në SHBA në vitin 1908 dhe që më pas u bë Ministër i Arsimit në vitin 1920) e sa e sa të tjerë, i dhanë trajtë tjetër mënyrës se si veprohej e krijohej në Shqipërinë e asaj kohe. Në studimin e përmendur gjejmë këtë vlerësim për shqiptarët emigrantë në Amerikë: “Të punojmë sa më shumë që të mundemi, të shpenzojmë sa më pak që të mundemi dhe ta dërgojmë pjesën tjetër në Shqipëri. Ky ishte në ditët e para Trinitriti ynë i Shenjtë”. Sigurisht, Amerika deri në vitin 1917 nuk ishte një shtet që dominonte në politikën ndërkombëtare. Ajo u bë e tillë me fuqizimin e jashtëzakonshëm ekonomik. Me dërgimin e trupave ushtarake amerikane në Europë, për herë të parë në historinë e saj, më 26 nëntor 1917, ajo tregoi se tanimë ishte edhe një fuqi ushtarake që mund të vendoste fatet e luftërave këtej oqeanit. Ky ishte edhe vendimi më i guximshëm që presidenti Uilson kishte marrë deri atëherë nga zyra ovale. Ai asnjëherë nuk e përmendi mundësinë e zbarkimit ushtarak në Europë, pasi shkonte totalisht kundër tij në planin e brendshëm politik, por befasoi botën me vendimin e tij të guximshëm. “Ky zbarkim përcaktoi fatin e Luftës së Madhe në Europë”.

Banorët e parë amerikanë në Shqipëri

Ndërkohë që emigrantët shqiptarë shkonin e vinin përtej oqeanit, në Shqipëri u shfaqën banorët e parë amerikanë. Ungjillorët. Ata arritën në Korçë në fillim të viteve 1900 dhe bashkëpunuan me motrat Qiriazi dhe familjen Cilka. Ishin kenedët që u bënë shumë të njohur në atë qytet. Në Korçë, Shoqëria Biblike kishte kohë që e kishte filluar veprimtarinë e saj. Aty përdorej Bibla e përkthyer në gjuhën shqipe me iniciativën e Robert Pinkertonit nga Shoqëria Britanike Biblike shkruar më 28 gusht 1816. Në vitin 1855, Konstandin Kristoforidhi, Aleksandër Thomson dhe Shoqëria Biblike publikuan Biblën e plotë në shqip, në dialektin geg. Kjo ndodhi për herë të parë në historinë tonë, çka e bëri librin

e shenjtë të përdorej nga shqiptarët dhe ndihmoi në identi-fikimin e tyre bazuar në një gjuhë të përbashkët. Më 23 tetor 1891, Gjerasim dhe Sevasti Qiriazi themeluan të parën shkollë për vajza në Shqipëri, e cila kishte modelin e shkollave të tilla protestante të hapura nën Perandorinë Osmane që nga viti 1800. Më 14 nëntor 1892, Gjerasim Qiriazi me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij themeluan Vllazërinë Evangjelike me qëllimin e vetëm, që të zhvillonin dhe përhapnin gjuhën shqipe dhe njohuritë rreth Biblës. E tillë ishte gjendja në Korçën e asaj kohe, kur në vitin 1908 arriti edhe familja prej pesë anëtarësh e Charles Telford Ericksonit. Ata nuk qëndruan aty, për shkak se gjetën një Korçë shumë më të zhvilluar nga ajo që përfytyronin. Ata ishin në kërkim të një vendi më të pazhvilluar, i cili, siç thotë Ericksoni, të plotësonte një standard tjetër, atë që ai më vonë e përshkruan kështu: “Nëse do të kërkoja një vend, ku të mos kishte asnjë prej elementeve të jetës së rehatshme, kurrë nuk do të kisha gjetur një vend më të mirë se Shqipëria”. Ndikimi i këtij amerikani në historinë e Shqipërisë tashmë është bërë i njohur dhe nuk do të ndalemi aty, por ngjizja, vendosja e themeleve, hapja e udhës së një marrëdhënieje të kombit më të varfër e më të vuajtur të Europës me kombin më të madh dhe më të fuqishëm të globit, që po formësohej, është një rast unik që vlen për t’u studiuar me shumë vëmendje dhe respekt. Ashtu si kish bërë Longfellou me poemën “Skënderbeg” disa dhjetëvjeçarë më parë dhe siç do të bënte Bernsteini më pas edhe Ericksoni i kushtoi heroit tonë poemën e mëposhtme:

“Skënderbeg,

Ti dorën nuk e zgjate drejt skeptrit njollagjak,

As i trishtë nuk kërkove të shprishurën kurorë,

Përballë i dole që vetë të merrje hak,

Ndaj atij tirani djemrrëmbyes e idhnak,

Që dheun tënd kishte shtënë në dorë.

I flake tej nderet e pafundme imperiale,

Dhe lavdinë ndër vite të fituar,

Të mbroje folenë e vendit tënd, trazuar,

Si shqipe-shqiptare gjokszbuluar,

Prej morisë së pafund të shigjetave, i sulmuar.

U zhveshe nga një fe që të kishte ndarë,

Nga shtëpia, babai, nëna dhe altari,

Dhe varrose një dashuri,

Tinëzare, por të bukur, tretur, ëmbëlsi,

Për at’ dhe, fe e truall që t’ la i pari.

Si dikur Zoti yt, drejt vdekjes t’i shkove,

Ndërsa bota krejt e qetë të kundronte,

Pa luajtur qoftë dhe gishtin për shpëtim,

Pa rrahur një herë duart për tëndin guxim,

Kur kombit tënd si shi gjaku i kullonte.

Shpirt martir, eja prapë dhe hakmerru!

Nga pluhuri ngrije atë flamur, në lartësi!

Bëhu edhe një herë për ne, frymëzim,

Për Kryqin e Ndritur deri në amshim,

Dhe pamjes së largët të Lirisë, silli përjetësi!”.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë

Për t’u theksuar është edhe fakti se Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, e inauguruar më datën 27 nëntor 1930, është e para ndërtesë në historinë e Amerikës, e ndërtuar enkas për ambasadë. Ajo përfshihet në historinë e selive diplomatike të ndërtuara më vonë në shumë vende tjera të botës dhe shquhet si pioniere e këtyre ambasadave për arkitekturën dhe funksionalitetin e saj. Inaugurimi i saj bëhet pikërisht nga ambasadori Herman Bernstein.

Rëndësia e emërimit të Herman Bernsteinit

Emërimi i Herman Bernsteinit si Ministër Fuqiplotë në Mbretërinë Shqiptare, kishte rëndësi për Shqipërinë, për Vatrën në Boston dhe për vetë lobin hebraik në SHBA-të e asaj kohe. Vetë “Vatra”, e cila kishte vepruar si “qeveri shqiptare në mërgim”, e priti emërimin e tij me gëzim të veçantë, siç vihet re nga njoftimi i botuar për në gazetën “Dielli”: “Ministri i ri i Amerikës Herman Bernstein lindi më 21 shtator 1876 në Vladislavov sipas rusishtes, Neustadt – Schirmuindt, në gjermanisht, ose Naishtot në hebraisht, në atë kohë një vend në kufirin midis Gjermanisë dhe Rusisë, sot territor lituanez”, citon ai. Duke shtuar më tej detaje se ai ka  shkruar për “Neu York Evening Post”, “The Nation”, “The Independent”, teksa ka themeluar gazetën “The Neu London Day”, ka qenë edhe botues i “The Jeuish Tribune”, apo i  “Jeuish Daily Bulletin”. Ndërsa si korrespondent i “Neu York Times”, Bernsteini udhëtoi rregullisht në Europë, kur në vitin 1915 shkoi atje për të parë në terren situatën e hebrenjve në zonat e luftës. Më pas ai mbuloi si gazetar Revolucionin Socialist të Tetorit të vitit 1917 për gazetën amerikane “Neu York Herald”, çka e çoi atë drejt Siberisë dhe Japonisë me forcat amerikane të ekspeditave. Ai hartoi artikuj mbi Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, po për të njëjtën gazetë. Gjatë udhëtimeve Bernsteini mori intervista nga disa prej njerëzve më të shquar të Europës, përfshirë Kontin Uitt, Metchenikoff, Bergson, August Rodin, G.B Shau, Tolstoin dhe mblodhi materialin e librit “Me mendjendriturit” botuar në vitin 1912. Teksa vepra e Herman Bernsteinit gjendet në arkivën e Institutit të Hulumtimeve Hebraike “YIVO”, në Nju Jork. Ku hapjen e këtij instituti e mbështetën intelektualët më të shquar, përfshirë Ajnshtainin dhe Sigmund Freud-in. Ndërkaq, në një shkrim me titull “Koleksioni i Herman Bernsteinit për Shqipërinë”, dr. Elez Biberaj shkruan: “Ky koleksion përfaqëson një burim të vlefshëm për studiuesit e interesuar për zhvillimet e Shqipërisë në fillimin e viteve 1930. Ai është relativisht i pasur dhe përbëhet nga tetëmbëdhjetë dosje të vendosura në katalogë, sipas subjekteve që përmbajnë. Ai përmban informacion interesant mbi aktivitetin e Bernsteinit në Shqipëri, marrëdhëniet e tij me shumë shqiptarë, intervista me burrështetas dhe një dorëshkrim bibliografik për Mbretin Zog si dhe informacion tjetër përkatës. Ambasadori Bernstein duket se ka qenë shumë i interesuar rreth Shqipërisë dhe historisë së saj. Ai shkroi disa artikuj për luftën e shqiptarëve për mbijetesë në një vend sovran. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri ai u bë një figurë shumë e njohur dhe mik i ngushtë i shumë shqiptarëve përfshirë Mbretin Zog, Faik dhe Mehmet Konicën”.

Mbrojtja e hebrenjve në Shqipëri

Me përkeqësimin e pozicionit të hebrenjve dhe ardhjen në fuqi të Hitlerit, Bernstein-i mori përsipër të bisedonte me Mbretin Zog çështjen e vendosjes së një numri të madh hebrenjsh si emigrantë në Shqipëri. Si rezultat i këtyre diskutimeve, në qershor të vitit 1933 ai u dërgoi një ftesë zyrtare biznesmenëve hebrenj të vendoseshin në Shqipëri dhe

u premtoi “të ndihmonte me çdo mjet sipërmarrjet tregtare të ndërmarra nga të ardhurit e rinj, të tillë”. Më datën 29 gusht 1934, një zyrtar shqiptar në një dokument të nënshkruar e informon Bernstein-in rreth mundësisë së vendosjes së hebrenjve në Shqipëri.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë

Gjithashtu, koleksioni i Bernsteinit përmban informacion të rëndësishëm edhe mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë dhe varësinë e saj kronike nga ndihmat e huaja. Në një letër të datës 28 maj 1930, H.T. Fultz, i cili drejtonte Shkollën Teknike, i raporton ambasadorit të sapoemëruar në Shqipëri, një memorandum marrëveshjeje për ndihmat që i ofronte

Italia Shqipërisë dhe një bisedë që kishte bërë me një ministër shqiptar të paidentifikuar. Ai përmend bisedën shumë miqësore që ministri kishte pasur me të dhe që i kishte thënë se Shqipëria i kishte jetike ndihmat e huaja dhe se, tani për tani, e vetmja ndihmë që merrte Shqipëria, vinte nga Italia. Aty gjendet edhe një raport konfidencial i datës 3 shtator 1930, i ambasadorit Bernstein pas një vizite në shtëpinë e dr. Terenc Toçit, i cili hedh edhe më shumë dritë mbi varësinë e Shqipërisë nga Italia. Ai thotë se Shqipëria është në prag të shkatërrimit dhe se është shumë kritik ndaj Zogut, i cili i ka orientuar marrëdhëniet vetëm drejt Italisë, duke injoruar Greqinë dhe Jugosllavinë dhe se “Mbreti është i rrethuar nga dhjetë ose dymbëdhjetë vetë që e keqorientojnë atë”. Teksa një prej dokumenteve më të rëndësishme të koleksionit është edhe një material në shtatë faqe, i cili përmban intervistën që Mbreti Zog i ka dhënë gazetarit amerikan Pouell. Intervista duhet të jetë dhënë në fillimin e vitit 1931. Në këtë intervistë Mbreti Zog shpreh pikëpamjet e tij për ekonominë shqiptare, bujqësinë, si dhe marrëdhëniet e vështira të Tiranës me Beogradin dhe Athinën.

 

 

KONTRIBUTI

Personalitet që promovoi shqiptarët

Ai ishte mik i tre presidentëve amerikanë: Theodore Roosevelt, UoodroU Uilson dhe Herbert Hoover. Ai kishte pasur kontakte me njerëzit më të shquar të botës si me Leon Tolstoi, Leo Trocki, August Rodi, Leon Andrejev, George Bernard Shou, Sheik Ul Islam, Sigmund Freud, Aleksandër Moisiu dhe mbi të gjithë, ai kishte miqësi personale me Albert Ainshtajnin. Një personalitet i tillë, për mua, në kontekstin shqiptar, është promovim i Shqipërisë, pasi përfaqëson dikë që ka përmasa universale. Ky është edhe qëllimi, misioni i veprës sime: Të zbulohet Shqipëria dhe shqiptarët, siç e kanë parë njerëz të tillë të mëdhenj. Kjo është pjesë e asaj që bota sot e quan “Pushteti i butë” i kombeve të vegjël, në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një njeri që i “këndoi” Shqipërisë, lavdisë së saj antike, Skënderbeut, konsolidimit të shtetit të pavarur shqiptar, tolerancës fetare, virtyteve tona, besës dhe mikpritjes shqiptare.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: